Tragjedia në Koçan, kush duhet të mbajë përgjegjësi për 59 viktimat?

Mbyllja e syve të institucioneve ndaj shkeljeve të ligjit ndodh për shkak të korrupsionit. Ngjarja tragjike në diskotekën “Puls” në Koçan, ku zjarri ua mori jetën 59 të rinjve dhe plagosi 150 të rinj tjerë, ia çeli sytë opinionit për strukturat shtetërore që qeverisin symbyllur, shkruan Portalb.mk.   Lokali i natës që mori jetën tragjikisht të […]

Mars 18, 2025 - 18:00
 0  3
Tragjedia në Koçan, kush duhet të mbajë përgjegjësi për 59 viktimat?
Zjarri në diskotekën "Pulse" në Koçan. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Mbyllja e syve të institucioneve ndaj shkeljeve të ligjit ndodh për shkak të korrupsionit. Ngjarja tragjike në diskotekën “Puls” në Koçan, ku zjarri ua mori jetën 59 të rinjve dhe plagosi 150 të rinj tjerë, ia çeli sytë opinionit për strukturat shtetërore që qeverisin symbyllur, shkruan Portalb.mk.  

Lokali i natës që mori jetën tragjikisht të rinjve nga Koçani dhe rrethina nuk do të ekzistonte si i tillë nëse institucionet shtetërore kompetente do ishin syçelë.   

Si duket mozaiku i përgjegjësive institucionale dhe si humbet përgjegjësia shtetërore?  

Ministria e Ekonomisë

Ministria lëshon licencë për kryerjen e veprimtarive hotelierike për lokale nate, disko, kabare dhe objekte të tjera të këtij lloji. Kjo është e rregulluar me Ligjin për Veprimtari Hotelierike, i cili për këtë çështje precizon (Neni 20 dhe 21):

“Veprimtaria hotelierike në një bar nate, kabare, disko klub dhe disko klub në hapësirë të hapur kryhet në bazë të licencës. Për marrjen e licencës pronari obligohet të paraqesë kërkesë për lëshimin e licencës në formular tarifor në Ministrinë e Ekonomisë”.   

Sipas Ligjit, në procesin e dhënies së licencës: përpilimin dhe kontrollimin hyjnë edhe institucionet si: ministria e Shëndetësisë, Inspektorati Sanitar, Inspektorati i Punës, ministria e Ambientit Jetësor, Inspektorati për Ambient Jetësor, si dhe ministria e Punëve të Brendshme.

Mirëpo, objektin që e kemi lëndë të shkrimit, siç e vërtetoi edhe vet ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, nuk kishte licencë të vlefshme biznesi dhe operonte si objekt i destinuar për industrinë e lehtë.  

Komuna

Vetëqeverisja lokale lëshon leje funksionimi, në varësi të kushteve urbane dhe të sigurisë. Ligji për Vetëqeverisje Lokale 

Në kompetencat e komunave, mes tjerash, hyjnë:   

(Neni 22) Planifikimin urban (urban dhe rural), lëshimi i miratimit për ndërtimin e objekteve me rëndësi lokale të përcaktuara me ligj, planifikimi hapësinor dhe zhvillimi i tokës ndërtimore.  

Ndërkaq, sipas Ligjit për Veprimtari Hotelierike (Neni 8):

“Kryetari i komunës mban evidencë për hotelierët të cilët fillojnë të punojnë në zonën e tyre”.

Për të rinovuar lokalin Komuna është përgjegjëse për të dhënë leje.

Ministria e Punëve të Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme, nën kompetencat e saj ka sigurinë dhe rendin, në rastin konkret, do duhej të kujdesej për sigurinë e qytetarëve brenda objektit ku po mbahej koncert i një bendi mjaft të njohur në vend edhe pse sipas ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, MPB nuk është e obliguar të sigurojë çdo objekt hotelierik.  

“A është Ministria e Brendshme përgjegjëse për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike? Po. A duhet Ministria e Brendshme të sigurojë objekte në Maqedoni sipas ligjit? Jo. Ky është ligji. Ministria e Brendshme nuk mund të sigurojë siguri për të gjitha objektet. A duhet të ishte njoftuar Ministria e Brendshme për përdorimin e mjeteve piroteknike? Po, por nuk është njoftuar”, tha ministri.  

Ndryshe mendon eksperti i sigurisë, profesori universitar Vlladimir Pivovarov. Pivovarov përgjegjësinë ia ngarkon sektorit të Punëve të Brendshme në Koçan, i cili është dashur, por nuk ka bërë, kontrolle në shumë aspekte të funksionimit të diskotekës, të cilat nëse do të ishin kryer diskoteka nuk do të kishte ekzistuar fare.   

“Kjo ngjarje, me sa di unë, është paralajmëruar në rrjetet sociale për një kohë të gjatë. Nëse është paralajmëruar për një kohë të gjatë, por nuk është raportuar në sektorin e Punëve të Brendshme, sigurisht që Drejtoria e Punëve të Brendshme të Koçanit është dashur të reagojë menjëherë dhe ta njoftojë pronarin se nuk lejojnë mbajtjen e një koncerti të tillë”, sqaroi Pivovarov.  

“Pse nuk është inspektuar në asnjë bazë ky objekt për kaq shumë vite? Kjo është pyetja që na shqetëson të gjithëve. A po na vë ky korrupsion i neveritshëm në një situatë kaq të palakmueshme, saqë duhet ta paguajmë me gjak, me varre me kryqe dhe me lotë të shumtë të prindërve që nuk do t’i kthejnë kurrë fëmijët e tyre”, nënvizoi Pivovarov.     

Ndryshe, kur i pari i MPB pyetet se vallë policët e rajonit në operimet e zakonshme nuk e kanë parë se objekti është jashtë çdo standardi, ministri Toshkovski me përgjigje:

“Në analizat që kanë të bëjnë me MPB-në, që janë edhe në vijim e sipër, zbuluam paligjshmëri në pjesën e dhënies së pëlqimeve, pikërisht për lëndën të cilën po e diskutojmë. Do ketë përgjegjësi edhe nga strukturat policore”.  

Se korrupsioni ia ka mbyllur sytë institucioneve e verifikoi edhe vet ministri Toshkovski, por dhe kryeministri Hristijan Mickoski.

“Sistemi në Maqedoni është i korruptuar, deri në atë nivel që lirshëm mund të them se kemi gjendje katastrofale në pjesën e veprimit të një numri të madh të institucioneve, të cilat në përputhje me ligjin duhet të përcjellin të gjithë proceset lidhur me funksionimin e diskotekës, funksionimin e së njëjtës. Veçanërisht në pjesën e gjithë asaj që është e lidhur me zjarrin dhe kushtet e nevojshme për vënien në funksion të një objekti, sipas ligjeve”, tha Toshkovski.  

Për mbikqyrjen dhe kontrollin e objektit përgjegjësi mbajnë edhe Inspektorati Shtetëror i Tregut, Inspektorati Shtetëror i Punës, si dhe Departamenti i Zjarrfikësve.

Në procedurë hetimore janë përfshirë nëntë prokurorë, është kërkuar përfshirja e inspektorëve të ndërtimit dhe punës, ndërkohë janë lëshuar 59 urdhra për obduksion, kurse bastisje janë kryer në Ministrinë e Ekonomisë dhe dy lokacione tjera në Shkup.

Në zjarrin e ndodhur më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa mbi 140 të lënduar janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.

Deri në këto momente 16 persona kanë përfunduar në paraburgim 48 orësh, mbi 20 persona janë të dyshuar, për dyshimet për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe nxitje e rrezikut të përgjithshëm.

Ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT), Goran Trajkovskit dhe 12 personave të tjerë, në procedurë paraprake nga Gjykata Themelore në Koçan, gjyqtari i ka dënuar me paraburgim në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish drejtori për Menaxhim  me kriza, Bekim Maksuti dhe ish sekretarja shtetërore Razmena Çekiç Duroviç.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskitha se disa nga të dyshuarit për shkaktimin e kësaj ngjarje penale juridike kanë vdekur, disa janë në spital.