Mbyllet lënda për spitalet modulare: Prokuroria nuk ka konstatuar vepër penale
Pas kontrolleve dhe analizave të dokumentacionit të mbledhur, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vlerësoi se nuk ka bazë për ndjekje penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, apo për ndonjë vepër tjetër penale ...
Pas kontrolleve dhe analizave të dokumentacionit të mbledhur, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vlerësoi se nuk ka bazë për ndjekje penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, apo për ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare njofton INA.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) ka mbyllur lëndën lidhur me prokurimet publike për ndërtimin e 19 spitaleve modulare në vend.
Pas kontrolleve të kryera dhe analizës së dokumentacionit të mbledhur, Prokuroria ka vlerësuar se nuk ekzistojnë baza dyshimi për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 i Kodit Penal, dhe as për ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare në lidhje me prokurimet publike për ndërtimin e 19 spitaleve modulare.
Lënda ishte hapur më 10 shtator 2021, pas ngjarjes tragjike në spitalin modular të Tetovës. Në atë kohë, Prokuroria njoftoi se do të kontrollonte dokumentacionin lidhur me prokurimin dhe ndërtimin e të gjitha spitaleve modulare.
Prokurorja Verica Berxhecka, në një brifing me gazetarët të mërkurën, tha se për këtë lëndë është analizuar dokumentacion i gjerë dhe kompleks. Lënda fillimisht ishte nën drejtimin e prokurores Vilma Ruskoskës, më pas te prokurorja Elizabeta Josifovska dhe në fund te Berxhecka.
Sipas vlerësimit të Prokurorisë, gjatë periudhës prill–qershor 2020 janë zhvilluar tri procedura për sigurimin e kapaciteteve shtesë të sistemit shëndetësor për përballimin e pandemisë së COVID-19.
Prokurimet kishin të bënin me kontejnerë montues pranë Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup, pajisje jomjekësore për Qendrën Rajonale COVID-19, si dhe me krijimin e një reparti montues-modular ambulant dhe poliklinik për nevojat e Klinikës për Pulmologji dhe Alergologji.
Prokuroria ka analizuar gjithashtu procedurën për blerjen e kontejnerëve modularë në kuadër të Projektit për Reagim Emergjent ndaj COVID-19, i financuar përmes një kredie nga Banka Botërore.
Sipas Prokurorisë, kjo procedurë është zhvilluar në përputhje me rregullat e institucionit financiar ndërkombëtar, përmes kërkesës për oferta në tregun ndërkombëtar. Byroja e Prokurimeve Publike ka konfirmuar se në këtë rast nuk zbatohen dispozitat e Ligjit për Prokurimet Publike, për shkak të përjashtimit ligjor për prokurimet e realizuara sipas rregullave të një organizate ndërkombëtare.
Është analizuar edhe legjislacioni në fushën e ndërtimit. Thirrja publike ishte shpallur më 13 tetor 2020, ndërsa kontrata ishte lidhur më 30 nëntor 2020. Ndërkohë, me ndryshimet e Ligjit për Ndërtim, të publikuara më 24 nëntor 2020, objektet modulare të destinuara për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore u përfshinë në kategorinë e ndërtimeve për të cilat nuk kërkohet leje ndërtimi.
Nga dokumentacioni i mbledhur rezulton se disa institucione publike shëndetësore kishin vendime nga Ministria e Shëndetësisë për vendosjen e objekteve modulare, si dhe dokumentacionin përkatës teknik dhe projektues.
Prokuroria ka shqyrtuar edhe dokumentacionin lidhur me aktivitetet e Bankës Botërore pas zjarrit në spitalin modular të Tetovës. Në tetor 2021, ekipet kishin inspektuar objektet në Gostivar, Strugë, Prilep, Veles dhe Shtip, duke kontrolluar përputhshmërinë me standardet e projektit, sigurinë dhe mbrojtjen nga zjarri.
Sipas dokumentacionit, ekipi i Bankës Botërore kishte konfirmuar se procedura e prokurimit ishte zhvilluar në përputhje me rregullat në fuqi të bankës dhe se mallrat e dorëzuara përputheshin me specifikimet teknike.
“Nga analiza e të gjithë dokumentacionit dhe kontrolleve të kryera, Prokuroria nuk konstatoi fakte që do të tregonin se gjatë procedurave të prokurimit ndonjë zyrtar e ka keqpërdorur ose tejkaluar pozitën apo autorizimet zyrtare, përkatësisht nuk e ka kryer detyrën zyrtare me qëllim për të siguruar përfitim të konsiderueshëm pasuror ose për të shkaktuar dëm të konsiderueshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, faktet e konstatuara nuk i përmbushin elementet ligjore të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
“Për këtë arsye, prokurori publik kompetent vlerësoi se nuk ka baza dyshimi se është kryer ndonjë vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare, për shkak të së cilës nuk ka bazë për vazhdimin e mëtejshëm të procedurës prokuroriale”, thuhet në njoftimin e PTHP NKOK.
Zjarri në spitalin modular të Tetovës ndodhi më 8 shtator 2021, kur humbën jetën 14 persona, ndërsa rreth dhjetë të tjerë u lënduan.
Pas vendimit të Prokurorisë, VMRO-DPMNE reagoi duke kritikuar mbylljen e lëndës dhe duke kërkuar përgjegjësi për personat që, sipas partisë, kanë pasur rol në përcaktimin e specifikimeve teknike të spitalit modular në Tetovë. Në reagim, partia iu referua edhe ish-ministrit të Shëndetësisë dhe liderit të LSDM-së, Venko Filipçes./INA/
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.