Më 28 Nëntor
Shkruan: Prof. dr. Veton Latifi “Mbase nganjëherë mund të jemi të zhgënjyer nga proceset politike; mund të jemi të dëshpëruar nga përfaqësimet politike dhe prijësit deri në shpërthim; apo ndodh që të jemi prekur thellë nga rrjedhat politike jo në dobinë shqiptare; por kjo nuk na luhat në asnjë mënyrë që për 28 Nëntor të […]
Shkruan: Prof. dr. Veton Latifi
“Mbase nganjëherë mund të jemi të zhgënjyer nga proceset politike; mund të jemi të dëshpëruar nga përfaqësimet politike dhe prijësit deri në shpërthim; apo ndodh që të jemi prekur thellë nga rrjedhat politike jo në dobinë shqiptare; por kjo nuk na luhat në asnjë mënyrë që për 28 Nëntor të jemi krenarë deri në majë që jemi shqiptarë në kuptimin e plotë të fjalës.
Se kur vie 28 Nëntori i harrojmë për një çast ato zhvillime, rrjedha, procese e figura dëshpëruese e zhgënjyese, pa harruar leksionet nga ato zhvillime dhe të historisë; kështu kujtojmë vetëm sakrificën, gjakun e dëshmorëve dhe veprimtaritë atdhetare për ta mbrojtur e valvitur me çdo kusht flamurin, e për ta ecur përpara gjuhën e kombin.
Në këtë ditë të madhe nuk lejojmë që dështimet politike të çastit të na mundin durimin; nuk lejojmë as mllefi e neveritja ndaj atyre personazheve neveritëse politike të na ndalin afshin për të përqafuar e valvitur me të të njëjtin pasion flamurin tonë kombëtar.
Gjithnjë e gjejmë forcën që të përmbledhim veten e të përmbahemi në raport me episodat dëshpëruese nëpër kohë, e që nuk na kanë luhatur e mposhtur kurrë; se fundja ato janë kalimtare; se më 28 Nëntor kemi festë; se jemi faqebardhë e ballëhapur dhe nuk prishim asnjëherë buzëqeshjen, nuk ulim dot krenarinë, përkundrazi.
Pavarësisht të gjithave, më 28 Nëntor çdonjeri, që merr frymë shqip e flet shqip, feston me mburrje shqiptare, se të gjithëve këtë ditë u qan e u buzëqesh zemra njëkohësisht nëpër histori e realitet dhe kemi një 28 Nëntor.”