Me iniciativë të OEK-ut themelohet Forumi i Sektorit Privat në Kosovë

Me iniciativë të Odës Ekonomike të Kosovës, është themeluar Forumi i Sektorit Privat në Kosovë, si një mekanizëm i përbashkët bashkëpunimi ndërmjet organizatave përfaqësuese të biznesit në vend. Bëhet e ditur se forumi ka për qëllim paraqitjen e qëndrimeve të unifikuara të sektorit privat, forcimin e dialogut me institucionet shtetërore dhe avokimin për krijimin e një

dhjetor 23, 2025 - 11:00
 0
Me iniciativë të OEK-ut themelohet Forumi i Sektorit Privat në Kosovë
Me iniciativë të OEK-ut themelohet Forumi i Sektorit Privat në Kosovë

Me iniciativë të OEK-ut themelohet Forumi i Sektorit Privat në Kosovë

Me iniciativë të Odës Ekonomike të Kosovës, është themeluar Forumi i Sektorit Privat në Kosovë, si një mekanizëm i përbashkët bashkëpunimi ndërmjet organizatave përfaqësuese të biznesit në vend.

Bëhet e ditur se forumi ka për qëllim paraqitjen e qëndrimeve të unifikuara të sektorit privat, forcimin e dialogut me institucionet shtetërore dhe avokimin për krijimin e një klime më të favorshme për biznesin, investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Përveç përfaqësimit të interesave të bizneseve vendore, Forumi përfshin edhe organizata që përfaqësojnë interesat tregtare dhe investuese të huaja në Kosovë, duke synuar koordinim më të mirë ndërmjet sektorit privat vendas dhe atij ndërkombëtar, si dhe forcimin e rolit të Kosovës në ekonominë rajonale dhe globale”.

“I ndërtuar mbi parimet e transparencës, përfaqësimit dhe funksionimit të rregullt institucional, Forumi shërben si një platformë e strukturuar për koordinim, avokim dhe trajtim të çështjeve me interes të përbashkët ekonomik. Veprimtaria e tij rregullohet përmes Rregullores së Punës, e cila përcakton anëtarësinë, organet drejtuese, kryesimin rotativ, Sekretariatin dhe mënyrën e organizimit të takimeve”.

Forumi udhëhiqet nga Këshilli i Forumit, i përbërë nga përfaqësues të autorizuar të organizatave anëtare, përfshirë: Odën Ekonomike të Kosovës, Zyrën Tregtare të Austrisë, Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Këshillin e Investitorëve Evropianë, Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, Odën Sllovene të Bizneseve në Kosovë, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Odën e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, si dhe Klubin e Biznesit.

“Këshilli përcakton prioritetet e avokimit, miraton qëndrimet e përbashkëta dhe zgjedh udhëheqjen e Forumit. Kryesimi realizohet në mënyrë rotative me mandat njëvjeçar, duke garantuar përfaqësim të barabartë dhe vazhdimësi institucionale, ndërsa organizata kryesuese ushtron edhe funksionin e Sekretariatit”.

“Forumi i Sektorit Privat në Kosovë synon të jetë zëri i unifikuar i komunitetit të biznesit, vendor dhe ndërkombëtar, si dhe një partner konstruktiv i institucioneve publike në avancimin e reformave, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”, njofton OEK.