Me pëlhurë ku ishin shkruar emrat e viktimave të disa aksidenteve në RMV, lëvizja “Kush e ka radhën?” zhvilloi aksion gueril në Shkup
Me aksion gueril, nisma “Kush e ka radhën” kërkoi sot drejtësi për viktimat e zjarrit katastrofik që ndodhi më 16 mars në Koçan. Ata vendosën një pëlhurë të bardhë para ndërtesës së Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, mbi të cilën ishin shkruar emrat e të gjithë atyre që vdiqën dhe u plagosën në zjarr, si […]


Me aksion gueril, nisma “Kush e ka radhën” kërkoi sot drejtësi për viktimat e zjarrit katastrofik që ndodhi më 16 mars në Koçan. Ata vendosën një pëlhurë të bardhë para ndërtesës së Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, mbi të cilën ishin shkruar emrat e të gjithë atyre që vdiqën dhe u plagosën në zjarr, si dhe emrat e të gjithë atyre që humbën jetën në tragjedi të mëdha, transmeton Portalb.mk.
“Kanë kaluar 2 muaj që nga tragjedia më e madhe në historinë tonë. Tragjedia më e madhe që ndodhi para syve tanë. Sot i kujtojmë Prokurorisë Themelore Publike, i kujtojmë sistemit, i kujtojmë publikut se pas numrave janë jetë njerëzore”, njoftoi nisma.
“Kush e ka radhën” njoftoi transport të organizuar për nesër për të gjithë të interesuarit që duan të nisen nga Shkupi për në Koçan dhe të marrin pjesë në marshin protestues “Marshi për engjëjt” të familjeve të viktimave, i cili është planifikuar për në orën 16:00 dhe 17:00 në sheshin e qytetit në Koçan.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.