Mevlan Ademi mohon lidhjet politike: Protesta e 6 prillit është kauzë për të drejta, jo për interesa parti

Mevlan Ademi, student i Juridikut dhe një nga organizatorët e protestës së paralajmëruar për 6 prill, ka reaguar ndaj pretendimeve publike që, sipas tij, synojnë të diskreditojnë angazhimin e tij në këtë nismë studentore. Në një reagim publik, Ademi ka sqaruar se nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e kabinetit të ambasadorit të Shqipërisë, […]

Prill 5, 2026 - 10:00
Mevlan Ademi mohon lidhjet politike: Protesta e 6 prillit është kauzë për të drejta, jo për interesa parti

Mevlan Ademi, student i Juridikut dhe një nga organizatorët e protestës së paralajmëruar për 6 prill, ka reaguar ndaj pretendimeve publike që, sipas tij, synojnë të diskreditojnë angazhimin e tij në këtë nismë studentore.

Në një reagim publik, Ademi ka sqaruar se nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e kabinetit të ambasadorit të Shqipërisë, Denion Meidani, duke theksuar se lidhja e tij e vetme me ambasadën ka qenë një stazh tre-mujor gjatë vitit 2025.

“Ka pasur një përvojë profesionale për të cilën jam krenar, si çdo i ri që synon të mësojë dhe të kontribuojë. Por përpjekja për ta përdorur këtë fakt si ‘provë’ për të ndërtuar narrativa politike është e pasaktë dhe e padrejtë”, ka deklaruar Ademi.

Reagimi i plotë i Mevlan Ademit:

Së fundmi janë bërë disa pretendime publike në lidhje me angazhimin tim profesional dhe rolin tim në protestën e paralajmëruar të 6 prillit.

Dua të sqaroj qartë dhe pa asnjë ekuivok:

Nuk punoj dhe nuk kam qenë pjesë e kabinetit të Ambasadorit Meidani.

Po, është e vërtetë që gjatë vitit 2025 kam zhvilluar një periudhë 3-mujore stazhi në Ambasadën e Shqipërisë. Një pervojë profesionale për të cilën jam krenar, si çdo i ri që synon të kontribuojë dhe të mësojë.

Por përpjekja për ta përdorur këtë fakt si “provë” për të ndërtuar narrativa politike rreth një nisme studentore është jo vetëm e pasaktë, por edhe e padrejtë.

Grupi organizator i kësaj nisme, pjesë e të cilit jam, ka mbi dy vite që merret me këtë çështje. Kjo nuk është një reagim i momentit, por një përpjekje e vazhdueshme për të adresuar një problem real.

Angazhimi im në këtë çështje nuk buron nga asnjë lidhje politike, por nga një shqetësim real dhe legjitim: e drejta për të ushtruar profesionin në gjuhën në të cilën kemi studiuar.

Dhe nuk është aspak e çuditshme që një kauzë që lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e shqiptarëve të gjejë mirëkuptim apo mbështetje më të gjerë nga Shqipëria. Ne jemi falënderues për çdo mbështetje nga trevat shqiptare, e veçanërisht nga Shqipëria, sepse jemi bijat dhe bijtë e saj.

Kjo është një çështje parimore, jo partiake.

Dhe si e tillë duhet të trajtohet.

Është e lehtë të etiketosh dhe të devijosh debatin.

Është më e vështirë të përballesh me thelbin e problemit.

Unë zgjedh të qëndroj te thelbi.