Ministri Igor Filkov nuk i bindet zëvendëskryeministrit Bekim Sali: Iku ajo kohë!
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar The post Ministri Igor Filkov nuk i bindet zëvendëskryeministrit Bekim Sali: Iku ajo kohë! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se çështjet kushtetuese dhe ligjore nuk mund të interpretohen sipas nevojave ditore politike, transmeton Gazeta Flaka.
“Koha kur Kushtetuta dhe ligjet interpretoheshin sipas interesave politike ka përfunduar me largimin e LSDM–BDI nga pushteti. Kjo Qeveri nuk do të vazhdojë praktikën e relativizmit juridik dhe zbatimit selektiv të normave”, deklaroi Filkov.
Ai theksoi se respektimi i Kushtetutës nënkupton lexim të plotë dhe sistemor të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, e jo nxjerrje selektive nga konteksti për qëllime politike afatshkurtra.
Duke iu referuar drejtpërdrejt deklaratave të Bekim Salit, Filkov tha se vendimet në shtet nuk merren “sipas ndjenjës apo përshtypjes politike”, por vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
“Në sistemin juridik nuk ekziston kategoria ‘ka ose nuk ka vullnet’. Ekzistojnë norma kushtetuese, zgjidhje ligjore dhe procedura institucionale”, tha ministri.
Filkov njoftoi se Ministria e Drejtësisë e ka shqyrtuar peticionin e studentëve për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke analizuar të gjitha dispozitat përkatëse. Sipas tij, edhe pse Ligji për përdorimin e gjuhëve lejon përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në procedura institucionale, provimi i jurisprudencës është parakusht për hyrje në sistemin e drejtësisë, ku ligjet përkatëse kërkojnë njohje aktive të gjuhës maqedonase.
“Provimi i jurisprudencës shërben për verifikimin e përgatitjes profesionale dhe gjuhësore, pasi procedurat, vendimet dhe aktet zyrtare në sistemin e drejtësisë zhvillohen kryesisht në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik”, theksoi ai.
Ministri u referua edhe nenit 7 të Kushtetutës, sipas të cilit gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik janë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit, ndërsa përdorimi i gjuhëve të tjera zyrtare lejohet vetëm në kushtet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj. Ai shtoi se Ligji për provimin e jurisprudencës nuk parasheh mundësinë e dhënies së këtij provimi në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.
Filkov përmendi gjithashtu vërejtjet e Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe faktin se aktualisht para Gjykatës Kushtetuese janë dorëzuar 13 iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij.
“Teza se Ministria e Drejtësisë ‘nuk ka argumente’ është e pasaktë dhe politikisht e motivuar. Argumentet janë të qarta, kushtetuese dhe ligjore”, theksoi Filkov.
Në fund, ai dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë për zëvendëskryeministrin Sali, duke theksuar se Kushtetuta nuk është temë për emisione televizive dhe se drejtësia nuk duhet të jetë peng i asnjë agjende politike.
“Kjo Qeveri ka për qëllim të vendosë rend pas viteve të kaosit institucional dhe të zbatojë reforma, jo të prodhojë konflikte. Kush dëshiron politikë, le ta bëjë në zgjedhje; kush mban funksion në shtetin juridik, duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet”, përfundoi ministri i Drejtësisë. Gazeta Flaka
The post Ministri Igor Filkov nuk i bindet zëvendëskryeministrit Bekim Sali: Iku ajo kohë! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .