Ministria e Jashtme me apel te qytetarët e RMV-së: Largohuni sa më parë nga Siria
Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Siri, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që ndodhen në këtë vend që në rastin e parë të mundshëm të largohen nga atje, transmeton Portalb.mk. Ministria e Jashtme gjithashtu […]
Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Siri, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që ndodhen në këtë vend që në rastin e parë të mundshëm të largohen nga atje, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Jashtme gjithashtu apeloi që të shtyhen të gjitha udhëtimet në këtë vend.
“Ekziston mundësia e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, dhe rrjedhimisht e zvogëlimit të mundësive për largim me kohë nga Siria”, thotë Ministria e Jashtme.
Ministria ka vënë në dispozicion linjën SOS, qytetarët mund të drejtohen në numrin +389 75 268 736 dhe në email adresën [email protected].
Ndryshe, kryengritësit sirianë kanë mbërritur në periferi të Damaskut në kuadrin e një ofensive që po përparon me shpejtësi, gjatë së cilës ata kanë marrë nën kontroll disa nga qytetet më të mëdha të Sirisë. Ushtria siriane u tërhoq nga pjesa më e madhe e Sirisë jugore të shtunën, duke lënë më shumë zona të vendit. Përparimet e shpejta nga kryengritësit janë një goditje e rëndë dhe e papritur për presidentin e Sirisë Bashar al-Assad.
Ofensiva e befasishme filloi më 27 nëntor nën drejtimin e grupit xhihadist Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, gjatë së cilës persona të armatosur pushtuan qytetin verior të Aleppos, më i madhi i Sirisë, dhe qytetin qendror Hama, qyteti i katërt më i madh i vendit.
Grupi e ka origjinën tek Al-Kaida dhe konsiderohet një organizatë terroriste nga SHBA dhe Kombet e Bashkuara. Udhëheqësi i tij Abu Mohammed al-Golani i tha CNN në një intervistë ekskluzive të enjten nga Siria se qëllimi i ofensivës është të përmbysë qeverinë e al-Assadit.