Sema Halili: Adresimi i dhunës ndaj grave në RMV përballë shumë sfidave, ka mungesë të zbatimit të ligjeve (Intervistë)
Bota shënon 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore të cilat filluan më 25 Nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave kurse do të zgjasin deri më më 10 Dhjetore cila përkon me Ditën e të Drejtave të Njeriut. Lidhur me situatën e dhunës ndaj grave në Maqedoninë e Veriut, […]
Bota shënon 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore të cilat filluan më 25 Nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave kurse do të zgjasin deri më më 10 Dhjetore cila përkon me Ditën e të Drejtave të Njeriut. Lidhur me situatën e dhunës ndaj grave në Maqedoninë e Veriut, mbrotjen nga shteti dhe problemet tjera në këtë drejtim biseduam me psikoterapisten Sema Halili nga Qendra për Mbështetjen e Grave në Tetovë, shkruan Portalb.mk.
Intervistoi: Fisnik Xhelili
Portalb.mk: Jemi në ditët e fushatës “16 Ditët e Aktivzmit Kundër Dhunës ”, si e vlerësoni situatën aktuale të dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje në Maqedoninë e Veriut?
Sema Halili: Në nivel global nga 1 dhjetor ka filluar fushata “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës ”, dhe do të zgjasë deri më 15 dhjetor, e cila ka për qëllim sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Vitet e fundit, me ndryshimin e ligjit, sistemi dukshëm është përmirësuar dhe është harmonizuar me Konventën e Stambollit, që na jep shpresë se do të bëhet edhe më mire duke punuar bashkërisht në nivel nacional dhe lokal në parandalimin e kësaj dukurie negative e cila reflektohet në shoqëri.
Portalb.mk: Cilat janë ngecjet në sistemin e mbrojtjes dhe drejtësisë në RMV të cilat e vështirësojnë adresimin e dhunës ndaj grave, dhe çfarë duhet të ndryshojë?
Sema Halili: Në Maqedoninë e Veriut, adresimi i dhunës ndaj grave përballet me sfida të shumta në sistemin e mbrojtjes dhe drejtësisë, që shpesh pengojnë zgjidhjen efektive të rasteve dhe mbështetjen e viktimës edhe atë: Mungesa e zbatimit të ligjeve ekzistuese, koordinimi i dobët ndërinstitucional, mungesa e strehimoreve dhe këshillimoreve për viktimat në të gjitha vendet urbane dhe rurale, sereotipat gjinore në sistemin e drejtësisë, procedurat e zgjatura dhe mungesa e mbrojtjes emergjente dhe Edukimi i pamjaftueshëm i stafit institucional. Ndryshimi në këto sfera është i domosdoshëm për të ndërtuar një sistem mbrojtjeje dhe drejtësie që ofron siguri dhe mbështetje për të gjithë viktimat e dhunës.
Portalb.mk: Si Qendër për mbështetje e grave, jeni të angazhuara në ofrimin e shërbimeve për gratë viktima të dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje, çfarë ofroni konkretisht?
Sema Halili: Qendra për Mbështetjen e Grave Tetovë, është e vetmja qendër këshilluese në rajonin e Pollogut të cilën e menaxhon Rrjeti Nacional Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje – Shkup, në partneritet me Shoqatën “Cortex” – Tetovë, e cila ofron shërbime konfidenciale, të specializuara dhe falas për të ndihmuar dhe mbështetur gratë dhe fëmijët që përjetojnë dhunë edhe atë: këshillim për realizimin e të drejtave sociale, këshillim psikologjik dhe psikoterapi, ndihmë dhe mbështetje juridike, këshillim për karrierë dhe mentorim për fuqizimin ekonomik.
Portalb.mk: Për të gjithë ata gra që duan të vijnë këtu, cila është rruga për të arritur deri këtu?
Sema Halili: Për të gjithë ata gra që duan të vijnë, rruga për të arritur deri këtu nuk është e vështirë, mjafton të na besojnë dhe të marrin guximin ta paraqesin rastin, të gjithë ata që kanë nevojë mund të na gjejnë përmes faqes tonë të Facebookut Qendra për Mbështetjen e Grave Tetovë, ku është e vendosur adresa edhe numri i telefonit i cili është i disponueshëm çdo ditë nga e hëna deri të premten nga ora 09:00 deri në orën 16:00
Portalb.mk: Cilat janë sfidat me të cilat ju si Qendër për mbështetjen e grave, përballeni në punën dhe adresimin e këtyre problematikave?
Sema Halili: Sfidat janë nga më të ndryshmet duke filluar nga moszbatimi i ligjit, moskordinim i mirë ndërinstitucional, zvogëlimi i mjeteve financiare nga institucionet përkatëse për organizatat që merren me këtë dukuri, stereotipat gjinore, edukim i pamjaftueshëm i profesionistëve që punojnë në institucionet përkatëse dhe sensibilizimi për këtë çështje, për të kuptuar dinamikën e dhunës, të njohin format e ndryshme të dhunës, dhe rregulloret ligjore.
Portalb.mk: Cila është porosia për gratë që janë viktima të dhunës, si mund t’i inkurajoni ato të kërkojnë ndihmë dhe të dalin nga cikli i dhunës?
Sema Halili: Për gratë që janë viktima të dhunës, mesazhi më i rëndësishëm është ta dinë që nuk janë vetëm, ndihma është gjithmonë e mundur nëse e kërkojnë dhe mos hezitojnë të kërkojnë mbështetje. Një hap drejt kërkimit të ndihmës mund të jetë fillimi i një jete të re, më të sigurt dhe më të lumtur.
Ndryshe, sipas UN Women dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në botë. Në nivel global, vlerësohet se rreth 736 milionë gra (gati një në tre) kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga një partner intim, dhunë seksuale nga jopartneri ose nga të dyja të paktën një herë në jetën e tyre.
Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit filloi në vitin 1991 dhe shënohet çdo vit në periudhën 25 nëntor – 10 dhjetor.