Në Idrizovë shqipja ndalet në klasën e pestë: Pas saj, fëmijët duhet të zgjedhin mes maqedonishtes ose udhëtimit

Nxënësit shqiptarë në Idrizovë detyrohen të zgjedhin mes gjuhës amtare dhe largimit nga vendbanimi pasi mësimi në shqip në SHFK “Njegosh” mësohet vetëm deri në klasën e pestë. Për të vazhduar arsimin fillor në shqip deri në klasën e nëntë, ...

gusht 27, 2026 - 10:00
Në Idrizovë shqipja ndalet në klasën e pestë: Pas saj, fëmijët duhet të zgjedhin mes maqedonishtes ose udhëtimit

Nxënësit shqiptarë në Idrizovë detyrohen të zgjedhin mes gjuhës amtare dhe largimit nga vendbanimi pasi mësimi në shqip në SHFK “Njegosh” mësohet vetëm deri në klasën e pestë. Për të vazhduar arsimin fillor në shqip deri në klasën e nëntë, ata duhet të udhëtojnë në vendbanim tjetër, ndërsa alternativa tjetër është të vazhdojnë mësimin në gjuhën maqedonase. Prindërit akuzojnë partitë shqiptare për neglizhencë dhe mungesë vullneti politik për zgjidhjen e problemit, kurse institucionet luajnë ‘ping-pong’ me përjgegjësinë derisa banorët me dekada përballen me këtë problem, shkruan Portalb.mk.

Prindi Rizvan Seferi, për Portalb.mk, thotë se problemi me mungesën e mësimit në gjuhën shqipe në këtë shkollë daton që nga vitet ’70-’80 dhe, pavarësisht disa përpjekjeve për hapjen e një paraleleje shqipe, deri më sot nuk është gjetur zgjidhje.

Sipas tij, një nga mundësitë më të mëdha për zgjidhjen e problemit ishte në vitin 2019, kur ministër i Arsimit ishte Arbër Ademi. Seferi tregon se atëherë nga shkolla u ishte thënë se nuk ekzistonin kushtet për hapjen e paraleles, pas së cilës nxënësit u shpërndanë dhe u regjistruan në shkollën “Kongresi i Manastirit” dhe në shkollën e Odnjancës.

Një tjetër përpjekje, sipas tij, u bë në vitin 2023, kur u ngrit sërish iniciativa për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe. Atëherë, Inspektorati kishte kontrolluar kushtet në shkollë dhe, sipas Seferit, kishte konstatuar se ato plotësoheshin edhe për zhvillimin e mësimit në shqip. Edhe mundësia e organizimit të mësimit në dy ndërrime ishte pranuar nga prindërit.

“Ne ishim dakord që t’i sillnim fëmijët edhe në ndërrimin e dytë”, thotë Seferi, duke shtuar se prindërit ishin të gatshëm të ndihmonin edhe vetë për përmirësimin e kushteve, vetëm që fëmijët të mos detyroheshin të udhëtonin dhjetëra kilometra për të ndjekur mësimin në gjuhën shqipe.

Ai thekson se numri i nxënësve në këtë shkollë ka rënë ndjeshëm ndër vite. Nga rreth 1.400 nxënës që kishte më parë, sot shkolla, sipas tij, nuk ka rreth 500. Seferi thotë se në klasat e para deri në të pestat dikur kishte vazhdimisht mbi 20 nxënës, ndërsa sot numri ka rënë në shtatë ose tetë, pasi disa prindër, për shkak të pamundësisë për t’i dërguar fëmijët në shkolla të tjera, detyrohen t’i regjistrojnë në mësimin në gjuhën maqedonase.

“Nëse do të kishte paralele në gjuhën shqipe, numri sigurisht që do të ishte mbi 20 nxënës”, shprehet ai.

Seferi kujton se vetëm në vitin 2019 kishte mbi 100 nxënës nga klasa e parë deri në të katërtën, ndërsa disa nxënës që ndërkohë ishin regjistruar në shkolla të tjera kishin shprehur gatishmërinë të ktheheshin nëse do të hapej paralelja në gjuhën shqipe.

Sipas tij, përgjegjësia për moszgjidhjen e problemit është bartur mes Komunës së Gazi Babës dhe shkollës. “Kur jemi ankuar në Komunën e Gazi Babës, ata kanë thënë se faji është te shkolla, ndërsa shkolla ka thënë se problemi është te komuna”, thotë Seferi.

Ai thekson se çështja, sipas tij, nuk duhet të shihet nga këndvështrimi partiak, por si një problem që prek drejtpërdrejt fëmijët dhe familjet e tyre.

“Neve nuk na intereson cila parti politike është. Na intereson që shkollën të na e ofrojnë afër shtëpisë, ashtu si nxënësit maqedonas që shkollën e kanë në oborrin e shtëpisë”, përfundon Seferi.

Sipas profesorit universitar dhe ekspertit të arsimit, Avzi Mustafa, i cili për Portalb.mk, tha se problemi nuk duhet parë vetëm te shkollat, por edhe te mënyra se si është ndërtuar dhe funksionon sistemi edukativo-arsimor. Pasi, siç shtoi ai, sa herë që flitet për të drejtën e arsimit në gjuhën shqipe, shfaqen barriera që nxënësve shqiptarë u pamundësojnë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.

Mustafa thekson se çdo nxënës që jeton në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë i barabartë me komunitetet e tjera dhe se mbi këtë parim duhet të ndërtohet edhe infrastruktura arsimore.

“Kjo që ndodh dhe ngritja e barrierave, ku në një shkollë nuk mund të mësojnë nxënësit shqiptarë në gjuhën e vet, është e pakuptimtë si për shtetin, ashtu edhe për sistemin edukativo-arsimor dhe demokracinë”, vlerëson Mustafa.
Sipas tij, krijimi i pengesave për arsimimin në gjuhën amtare mund të ndikojë edhe në bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve në të ardhmen.

Mustafa vlerëson se mungesa e shoqërimit dhe bashkëpunimit të mjaftueshëm ndërmjet komuniteteve, së bashku me pengesat në realizimin e të drejtave gjuhësore, mund të krijojnë probleme të reja sociale dhe ndëretnike, të cilat, siç thotë ai, nuk do të duhej të shfaqeshin në të ardhmen në Maqedoninë e Veriut.

Për problemin në SHFK “Njegosh” në Idrizovë, kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Nga partia thonë se kjo është çështje që prej vitesh mbetet e pazgjidhur dhe se nxënësit shqiptarë përballen me pengesa për të ndjekur arsimin në gjuhën e tyre amtare.

“Është e papranueshme që në vitin 2026 fëmijët shqiptarë të përballen ende me pengesa të tilla”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Nga ASH-ja kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria që të ndërmarrin procedurat për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në shkollën “Njegosh”.

Partia e lidh këtë çështje edhe me përgjegjësinë e VLEN-it, duke theksuar se ata janë pjesë e Qeverisë dhe se në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ka zëvendësministër shqiptar.

“Fëmijët e Idrizovës nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë një të drejtë që u takon”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për këtë problem përgjegjësinë e hedh te Komuna e Gazi Babës, si themeluese e shkollës. Nga ministria për Portalb.mk, thanë se për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor në arsimin fillor përgjegjës është komuna dhe se ministria uk mund të organizojë procesin mësimor në arsimin e ulët në 80 komuna. Por, nga MASH-i, shtuan se kjo shkollë është pjesë e listës së shkollave ku do të ketë ndërtim të klasave të reja.

“Problemet me nxënësit nuk duhet të politizohen dhe të përdoren për pikë politike. Për të gjithë palët është e dëmshme dhe duhet të gjendet zgjidhje për ta tejkaluar këtë problem. Klasat do të ndërtohen edhe në atë shkollë”, u shprehen nga MASH.

Portalb.mk ka kontaktuar edhe Komunën e Gazi Babëspor deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje nga atje

Ndryshe, problemi me mungesën e mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit e Idrizovës nuk është i ri. Në vitin 2023, pas kërkesave të prindërve dhe ndërhyrjes së Ministrisë së Arsimit, ishte paralajmëruar hapja e një paraleleje shqipe për klasën e gjashtë në SHFK “Njegosh”, ndërsa 13 nxënësit shqiptarë përkohësisht u sistemuan në SHFK “Kongresi i Manastirit” në Çair. Megjithatë, edhe pas ndërhyrjeve të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe Avokatit të Popullit, çështja nuk është zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa nxënësit vazhdojnë të përballen me të njëjtin problem për vite me radhë.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.