Në Maqedoninë e Veriut ka pasur më së shumti kërkesa për azil, në Shqipëri më së paku

Shqipëria ka numrin më të ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor të të huajve të parregullt që hynë në vend dhe u referuan në sistemin e azilit gjatë vitit 2024, ndërsa vetë shtetasit shqiptarë vijojnë të kryesojnë në rajon për nga numri i kërkesave për azil që kanë paraqitur në vendet evropiane, raporton Zëri i […]

shkurt 5, 2025 - 03:00
 0  2
Në Maqedoninë e Veriut ka pasur më së shumti kërkesa për azil, në Shqipëri më së paku
Ballkani Perëndimor. Foto: Arman Fazlic në Canva

Shqipëria ka numrin më të ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor të të huajve të parregullt që hynë në vend dhe u referuan në sistemin e azilit gjatë vitit 2024, ndërsa vetë shtetasit shqiptarë vijojnë të kryesojnë në rajon për nga numri i kërkesave për azil që kanë paraqitur në vendet evropiane, raporton Zëri i Amerikës.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) nga 1388 të huaj të parregullt që hynë në Shqipëri në vitin 2024 vetëm 87 prej tyre u referuan në fazën e parë në sistemin shqiptar të azilit.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, vendet e tjera të rajonit kishin tregues më të lartë të referimeve në azil të të huajve të parregullt në fazën fillestare.

Kështu nga 25333 kërkesat paraprake për azil që u paraqitën për herë të parë në vendet e Ballkanit, Serbia kishte 850, Mali i Zi 2968, Bosnjë Hercegovina 21450, ndërsa Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kishin të dhëna të referuara për këtë fazë.

Por megjithë numrin e lartë të referimeve për azil në fazën fillestare sipas UNHCR-së aplikimet për azil për herë të parë ishin tejet të ulëta në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2024.

Kështu nga 1125 aplikime për azil që u paraqitën për herë të parë në vendet e Ballkanit Shqipëria kishte 17 aplikime, Maqedonia e Veriut kishte 333 , Serbia 219 , Mali i Zi 132 , Bosnjë Hercegovina 234 dhe Kosova 190.

Ulja e aplikimeve për azil në raport me referimin në fazën fillestare lidhet pasi të huajt e parregullt nuk qëndrojnë në këto vende për të vijuar procedurat e azilit por largohen drejt vendeve evropiane në mënyrë të parregullt.

Sipas UNHCR-së nga janari deri në dhjetor të vitit 2024 , rreth 17,500 refugjatë dhe migrantë vlerësohet të kenë kaluar tranzit nëpër Ballkanin Perëndimor si pjesë e lëvizjeve të përziera.

UNHCR thotë se rreth 2,300 persona ishin të pranishëm në Ballkanin Perëndimor deri në fund të dhjetorit 2024, duke përfshirë 99 fëmijë të pashoqëruar.

Sipas UNHCR-së 35% e të huajve të parregullt ishin të pranishëm në Serbi, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (34.5%), Kosova (12%), Shqipëria dhe Mali i Zi (7% secili) dhe Maqedonia e Veriut (4.5%).

Sipas UNHCR-së numri më i madh i të huajve të parregullt që hynë në Ballkan gjatë vitit 2024 ishte nga Afganistani (15%), Siria (12%), Maroku (10%), Egjipti (5%), Irani (2% ) etj.

Sipërmarrjet në vendet e Ballkanit Perëndimor po paraqesin gjithnjë e më shumë nevoja për fuqi punëtore prej largimit të shtetasve të tyre dhe sidomos të rinjve drejt Bashkimit Evropian ku Shqipëria sipas statistikave të EUROSTAT është vendi më i prekur në rajon.

Por, sipas analistëve të ekonomisë, vendet e Ballkanit nuk po munden ti zbutin nevojat për fuqi punëtore nga integrimi i të huajve që hyjnë në Ballkanin Perëndimor në mënyrë të parregullt pasi ata qëndrojnë përkohësisht në vendet e Ballkanit dhe më pas kalojnë drejt vendeve evropiane në mënyrë të parregullt.