Në Qendrat Komunale po vazhdon numërimi i votave për deputetë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është duke vazhduar procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit. Ndërkohë, ky proces i numërimit të votave për kandidatët për deputetë
![Në Qendrat Komunale po vazhdon numërimi i votave për deputetë](https://orainfo.net/wp-content/uploads/2025/02/722949-ne-qendrat-komunale-po-vazhdon-numerimi-i-votave-per-deputete.png)
![ne-qendrat-komunale-po-vazhdon-numerimi-i-votave-per-deputete](https://orainfo.net/wp-content/uploads/2025/02/722949-ne-qendrat-komunale-po-vazhdon-numerimi-i-votave-per-deputete-1024x648.png)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është duke vazhduar procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit.
Ndërkohë, ky proces i numërimit të votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike ka filluar të martën në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh.
Ky proces në Prishtinë u shfaq me probleme të shumta, përfshirë rënien e shpeshtë të sistemit, si pasojë e së cilës u desh që të rinumërohen kutitë që ishin numëruar më herët.
Ende nuk dihet se sa do të zgjasë procesi i numërimit të votave për ata që garuan për Kuvendin e Kosovës, ndërkohë që disa komuna ende nuk kanë filluar numërimin, pasi duhet të kryejnë përgatitjet teknike dhe administrative të nevojshme.
Vetëm pasi të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i atyre për subjektet politike, do të vazhdohet me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre nga diaspora.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotime me kusht, që janë pjesë e votimit me kusht nga dita e zgjedhjeve më 9 shkurt në 38 qendrat e votimit me kusht, është 12 mijë e 801 vota.
Sipas procedurave të KQZ-së, këto zarfe me fletëvotime do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.
Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota./RTK