Nesër ditë zie në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, njëherit Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e ka shpallur të premten e 24 prillit, ditë zie shtetërore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosjes, i cili vdiq sot në moshën 89-vjeçare. Haxhiu ka thënë se këtë vendim, shteti shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës […]

Prill 23, 2026 - 17:30
Nesër ditë zie në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, njëherit Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e ka shpallur të premten e 24 prillit, ditë zie shtetërore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosjes, i cili vdiq sot në moshën 89-vjeçare.

Haxhiu ka thënë se këtë vendim, shteti shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet, shkruan Reporteri.net.

“Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, ka shkruar Haxhiu.

Qosja ka vdekur sot në moshën 89-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij.

Në njoftim bëhet e ditur se tashmë është kryer edhe ceremonia e varrimit. Familjarët thonë se me dëshirën e të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja.

Po ashtu bëhet e ditur se familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.