Njëjtë si me drejtorin e ASK-së, Antikorrupsioni e ndërpreu procedurën edhe ndaj zv.drejtoreshës së Agjencisë së Inteligjencës së RMV-së
Komisioni Kundër Korrupsionit, ngjashëm si për drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, vetëm tani në seancë me dyer të mbyllura, e ndërpreu procedurën kundër zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë për Inteligjencë, Ivana Stojanovska, e cila u hap në korrik të vitit të kaluar, me arsyetimin se edhe Prokuroria Publike ka hapur rast kundër Stojanovskës me […]


Komisioni Kundër Korrupsionit, ngjashëm si për drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, vetëm tani në seancë me dyer të mbyllura, e ndërpreu procedurën kundër zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë për Inteligjencë, Ivana Stojanovska, e cila u hap në korrik të vitit të kaluar, me arsyetimin se edhe Prokuroria Publike ka hapur rast kundër Stojanovskës me të njëjtat pretendime se ajo ka paraqitur biografi të rreme dhe dokumente të falsifikuara, transmeton Portalb.mk.
“Procedura për rastin e formuar në bazë të kallëzimeve nga kryers i panjohur është ndërprerë për faktin se Prokuroria Publike kompetente po vepron sipas kallëzimit me të njëjtat pretendime dhe për këtë KSHPK-ja nuk ka bazë për veprime të mëtutjeshme. Kërkesa dhe bashkëngjitjet duhet të dorëzohen në prokurorinë publike themelore kompetente. Lënda me numër 12-1859/1 nga viti 2024 duhet të arkivohet”, vendosën anëtarët e KSHPK-së në seancën e mbyllur për publikun për shkak të informacioneve të klasifikuara.
Nga vendimi i shpallur nga KSHPK, raporti i parë Komisionit është dorëzuar më 2 korrik të vitit të kaluar. Kërkesa është nga një denoncues i panjohur me pretendime se Stojanovska nuk i ka plotësuar kushtet për kryerjen e pozitës.
“Sipas informacioneve që disponon parashtruesi, Presidentja e shtetit është mashtruar pasi personi në fjalë ka paraqitur biografi false dhe dokumente të falsifikuara. Në bazë të raportit në KSHPK është formuar lëndë”, shkruan në një pjesë të vendimit.
Por, përveç këtij raporti, si edhe për Hristovskin, për të cilin në KSHPK janë dorëzuar gjithsej nëntë denoncime, për Stojanovskën janë dorëzuar edhe shtatë, i fundit më 18 shkurt. Këto raporte ishin me pretendime të ngjashme, se presidentja ka shkelur Ligjin për Agjencinë e Inteligjencës duke emëruar zëvendësdrejtoren dhe kërkesë për të përcaktuar se cilat të dhëna i ka paraqitur dhe nëse presidentja e ka ditur situatën aktuale para se të marrë vendimin apo me vetëdije ka shkelur ligjin.
Por përveç kësaj, në raporte është kërkuar edhe të konstatohet nëse ndonjë person nga ndonjë parti politike ka ndikuar në zgjedhjen e saj, duke qenë se në opinion janë publikuar fotografi të Stojanovskës me zyrtarë të lartë të partisë në pushtet.
Prokuroria po zhvillon procedurë edhe kundër drejtorit të ASK-së, Hristovski, pasi Antikorrupsioni e mbylli rastin për të dhe e arkivoi. Antikorrupsioni konstatoi se Hristovski është emëruar drejtor i ASK-së ligjërisht, duke i plotësuar të gjitha kushtet e parapara në nenin 10 të Agjencisë për Siguri Kombëtare.
KSHPK-ja tha se nuk ka kompetencë të përcaktojë nëse një dokument është i falsifikuar apo jo. Certifikatat e tij tani po hetohet nga prokuroria, por me muaj pret përgjigje nga kolegët bullgarë.
Hristovski në biografinë e tij zyrtare ka deklaruar se në mars të vitit 2022 ka marrë certifikatën e anglishtes TOEFL nga kompania “Julia CO LTD” nga Plovdiv, Bullgari.
Gazetarët bullgarë të FAKTOR.BG zbuluan se në atë lokacion nuk ka shkollë dhe nuk është e angazhuar në lëshimin e certifikatave TOEFL. Prej kohësh, nuk ekziston as faqja “Julia CO LTD” në Facebook, e cila tashmë është fshirë.