NUNS: “Republika”, “Kurir”, “Blitz”, “Alo”, “Telegraf” dhe “Mondo” t’i fshijnë menjëherë fotografitë e varrimit të viktimave në Koçan

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (Nezavisno služenje novinara Srbije – NUNS) u bëri thirrje mediave serbe që raportojnë për varrimin e viktimave në tragjedinë në Maqedoninë e Veriut që menjëherë të fshijnë fotot dhe t’i përshtatin lajmet sipas standardeve etike dhe profesionale, transmeton Portalb.mk. NUNS beson se raportimi i sotëm i disa mediave […]

Mars 20, 2025 - 21:00
 0  4
NUNS: “Republika”, “Kurir”, “Blitz”, “Alo”, “Telegraf” dhe “Mondo” t’i fshijnë menjëherë fotografitë e varrimit të viktimave në Koçan
Varrimi i viktimave nga zjarri në diskotekën e Koçanit. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (Nezavisno služenje novinara Srbije – NUNS) u bëri thirrje mediave serbe që raportojnë për varrimin e viktimave në tragjedinë në Maqedoninë e Veriut që menjëherë të fshijnë fotot dhe t’i përshtatin lajmet sipas standardeve etike dhe profesionale, transmeton Portalb.mk.

NUNS beson se raportimi i sotëm i disa mediave serbe që kanë publikuar foto tronditëse dhe shqetësuese është thellësisht imoral dhe i papranueshëm.

“Publikimi i fotografive dhe videove të varrezave, anëtarëve të afërt të familjes dhe momenteve private është shkelje e drejtpërdrejtë e rekomandimeve të raportimit etik dhe shkelje e dinjitetit të individëve në fjalë”, tha Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë.

Nga atje ata theksojnë se Kodi i Gazetarëve të Serbisë në mënyrë eksplicite ndalon raportimin për funeralet e personave privatë dhe se gazetarët janë të detyruar të respektojnë privatësinë, dinjitetin dhe integritetin e njerëzve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre.

“Raportimi i funeralit dhe publikimi i fotove nuk është në interesin publik,” tha NUNS.

NUNS thirri Ministrinë e Informacionit dhe Telekomunikacionit të Serbisë që të reagojë ndaj raportimeve në portalet “Republika”, “Kurir”, “Blitz”, “Alo”, “Telegraf” dhe “Mondo”.

Më herët, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) u bëri thirrje mediave që të raportojnë sipas protokollit të përcaktuar më parë dhe parimeve themelore etike.

Kujtojmë se sot, familjarë, miq e bashkëqytetarë dhe më gjerë, iu dhanë lamtumirën e fundit të vdekurve nga zjarri në Koçan. Varrime të viktimave që humbën jetën nga zjarri në diskotekën “Puls” pati në Koçan, Shtip, Probishtip, Shkup dhe Obleshevë.

Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.