Paloka: Erion Veliaj u lëshua nga Edi Rama

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka komentoi arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke thënë fillimisht se për të dhe selinë blu është një akt i mirëpritur. Në një lidhje direkte me gazetarin e Klan News, Besard Jacaj, Paloka u shpreh se ky arrestim i Veliajt nuk e ndryshon qëndrimin e tij dhe të […]

shkurt 19, 2025 - 01:00
 0  6
Paloka: Erion Veliaj u lëshua nga Edi Rama

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka komentoi arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke thënë fillimisht se për të dhe selinë blu është një akt i mirëpritur.

Në një lidhje direkte me gazetarin e Klan News, Besard Jacaj, Paloka u shpreh se ky arrestim i Veliajt nuk e ndryshon qëndrimin e tij dhe të PD-së për drejtësinë e SPAK, pasi sipas tij, linja që ndjek Struktura e Posaçme është një drejtësi me “regjim të Edi Ramës”.

Më tej, Paloka sqaroi se ky qëndrim do të ndryshojë në momentin që SPAK, përveç Veliaj të arrestojë dhe Kryeministrin Rama, duke thënë se nëse ndodhë, do të kërkojë ndjesë me përulje.

“Që arrestimi i Veliajt është i mirëpritur kjo nuk diskutohet. Madje besoj ka qenë i mirëpritur më shumë nga qytetarët të cilët festuan në forma të ndryshme arrestimin e tij. Pra nuk diskutohet që, e thatë dhe ju, ne kemi kaq kohë që kërkojmë arrestimin e tij dhe akti i arrestimit është i mirëpritur. Fakti që po arrestohet për një çështje minore do thoja krahasuar me çështjet madhore për të cilat ai akuzohet, siç janë inceneratorët, 5D, mos t’i marr me radhë sepse janë përmendur shpesh. Ky rast vërteton atë që kemi thënë edhe njëherë në fakt dhe i kemi qëndruar konsekuent gjithmonë që kemi të bëjmë me një drejtësi me regji, me regji të Edi Ramës. Edhe Veliaj është arrestuar, është lëshuar prej Edi Ramës, dhe kjo nuk ka si të ndryshojë qëndrimin tonë për SPAK-un. Unë vetë personalisht se nëse ndodh që SPAK-u të arrestojë Veliajn dhe Ramën, atëherë unë do t’i kërkoj ndjesë me përulje sepse qenkam gabuar unë. Por përderisa SPAK të vazhdojë të ndjekë të njëjtën linjë, arrestime me regji nga të dyja krahët, atëherë kur kërkon Rama, pse duhet të ndryshojë qëndrimi ynë?”, tha Edi Paloka.

Sa i përket reagimeve të Kryeministrit Rama lidhur me mbrojtjen që i ka bërë kryebashkiakut të Tiranës, Paloka sqaroi se kjo është një lëvizje e qartë e Ramës për të mbajtur afër ata që paguhen prej Erion Veliajt. Madje Paloka shtoi se kjo situatë i ka dalë jashtë kontrollit kreut të qeverisë duke thënë se ditëve të fundit, Rama ka shfaqur gjendje të paqëndrueshme psiqike.

“Tani hajde ma trego ti mua se cili është qëndrimi i vërtetë i Ramës. Brenda tre ditëve ka patur luhatje maksimale, ekstreme, nga një krah në tjetrin. E sulmoi ditën e parë, doli ditën e dytë tha çështja kur gjoja u akuzua se do të shkonte në Durrës që në fakt nuk ishte kështu, tjetër gjë u tha. Doli tha nuk është çështja ime, është çështje e drejtësisë, çështja e Erion Velisë, pastaj doli prapë ta mbronte. Ka ndërruar qëndrim brenda tre ditëve, të paktën 4-5 herë. Kjo tregon në fakt dhe gjendjen e paqëndrueshme psiqike të tij me lëvizjet e fundit por arsyen e reagimit të tij. Rama po përpiqet ose u përpoq të paktën ditët e para edhe me atë protestën që organizoi aty me administratën e Bashkisë, u përpoq t’iu mbushte mendjen mbështetësve dhe ndjekësve, atyre që paguhen nga Erion Veliaj, ky është termi më i mirë në fakt, se nuk ka ai as ndjekës e as mbështetës, por ata që paguhen me paret tona për Erion Velinë, u përpoq që t’iu tregojë që nuk është ai që e shiti Velinë. Ai madje po e mbron, ai po sulmon dhe drejtësinë që ka bërë Partia Socialiste për të mbrojtur Velinë. Ky ishte qëllimi dhe sa herë sulmon drejtësinë dhe bën sikur mbron Erion Veliajn, ka vetëm këtë qëllim. Të mbajë afër ata që paguhen prej Erion Velisë sepse ka hall se i ikin apo i dalin kundër etj etj”, tha Paloka.  /tvklan.al