PATRIOTIZMI DIGJITAL!
Shkruan: Naser Pajaziti Politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë gjetur një hobi të ri: patriotizmin digjital! Janë bërë mjeshtër të “rrahjes së gjoksit” nëpër rrjete sociale, ndërsa në realitet mbeten thjesht pengje të politikave ditore dhe interesave të ngushta. Kaluan edhe dekada që gjuha shqipe përdoret si mish për top! Njëherë na thonë se […]
Shkruan: Naser Pajaziti
Politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë gjetur një hobi të ri: patriotizmin digjital!
Janë bërë mjeshtër të “rrahjes së gjoksit” nëpër rrjete sociale, ndërsa në realitet mbeten thjesht pengje të politikave ditore dhe interesave të ngushta.
Kaluan edhe dekada që gjuha shqipe përdoret si mish për top!
Njëherë na thonë se u krye, herën tjetër hyjnë në rrethe vicioze se “a është apo nuk është” zyrtare?
Por realiteti është se na lane si numra, statistikë, pra si “20 përqindësh”!
Kjo kastë politike tashmë është e njohur për ndërrim qëndrimesh, edhe ate më shpesh se çorapet, varësisht se në cilën karrige të pushtetit ulen.
Përbërja parlamentare para kësaj aktuale kishte 34 deputetë shqiptarë dhe ishte momenti i artë kur mund të kushtëzohej Zaevi e zaevët tjerë, sepse e kishin pisk me numra për të mbajtur gjallë qeverinë, dhe në anën tjetër bënte me sy edhe partia që sot është në pushtet.
Por, jo, nuk u bë as atëherë, por edhe sot që jemi në të njejtin film dhe rreth vicioz, por tashmë me hesape krejt tjera.
E pra, kur kishin numrat, s’kishin guximin; kur kanë guximin (në facebook), s’kanë numrat!
Mos të harrojme se ku na mbeti Marrëveshja famoze e Tiranës? Ajo që u shit si dokumenti historik mbarëpartiak, por që kurrë nuk u realizu!
Për sa kohë kjo politikë mbetet “ngucakeqe” dhe ushqehet me populizëm dhe patriotizëm digjital, dinjiteti i shqiptarëve do të mbetet peng i përqindjeve dhe premtimeve të ricikluara!