PD deklaron se negociatat janë bllokuar, Rama: Së shpejti do të kemi lajme të mira
Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të dielë nga podkasti i tij se negociatat për anëtarësim në Bashkimi Europian po vazhdojnë normalisht, duke hedhur poshtë pretendimet e kryedemokratit Sali Berisha për bllokim apo pengim të procesit. Në fjalën e tij, Rama e vendosi theksin te sfidat e komunikimit publik dhe përhapja e dezinformimit, që sipas tij […]
Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të dielë nga podkasti i tij se negociatat për anëtarësim në Bashkimi Europian po vazhdojnë normalisht, duke hedhur poshtë pretendimet e kryedemokratit Sali Berisha për bllokim apo pengim të procesit.
Në fjalën e tij, Rama e vendosi theksin te sfidat e komunikimit publik dhe përhapja e dezinformimit, që sipas tij po dëmton debatin mbi çështjet reale të vendit.
“E kundërta ndodh! Je menjëherë i përmbytur nga gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, nga gënjeshtra safi, që i thonë fjalë nga sajesa e fabrikime, dhe nga komente gjithfarësh, që në fund të ditës më shumë e mjegullojnë sesa ndihmojnë në kërkimin e të vërtetës, dhe thuhen nga të tëra, dëgjohen nga të tëra, por ajo që është më shqetësuesja, për sa më takon dhe për sa na takon, është se nuk flitet, nuk komunikohet e nuk diskutohet për punët e Shqipërisë. Po përkundrazi, punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe me një përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne, që qeverisim Shqipërinë, për të bërë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre, me baltën e të gjithë urrejtjes, mllefit, inateve të tyre”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, pavarësisht kritikave dhe klimës së tensionuar politike, puna për reformat dhe avancimin e vendit vijon.
Po ashtu, Rama paralajmëroi zhvillime pozitive në kuadër të integrimit europian, duke u shprehur se së shpejti priten lajme të mira lidhur me ecurinë e negociatave.
“Ashtu si kundër, dhe e mbyll këtë shënim, është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë dhe, në ndërkohë, gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: “ato janë bllokuar”, “ato janë ndaluar”, “ato janë penguar”, për arsye të mosarsyes së të gjithë atyre që synojnë ta pengojnë Shqipërinë për të luftuar qeverinë. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, vijoi kreu i qeverisë.