PDK sërish letër Deharit: Thirr seancën konstituive, mos vendos mbi baza politike
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka dërguar sërish letër kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe ushtrimin e mandatit të deputetëve të zgjedhur. Në letrën e nënshkruar...


Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka dërguar sërish letër kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe ushtrimin e mandatit të deputetëve të zgjedhur.
Në letrën e nënshkruar nga deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, thuhet se Dehari duhet të përmbushë obligimin kushtetues dhe procedural për vazhdimin e seancës, hiq më larg se nesër.
“Duke u mbështetur në Nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në emër të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që, më 18 gusht 2026, në ora 11:00, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive”, thuhet në letër.
PDK shprehet se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës, ndërsa thekson se mosrespektimi i afateve procedurale po e thellon më tej situatën.
“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në dokument.
Partia opozitare i referohet edhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se Kuvendi duhet të konstituohet pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues.
“Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, thuhet në letrën drejtuar Deharit.
PDK gjithashtu thotë se vazhdimi i seancës konstituive është detyrë e kryesuesit dhe se ai nuk duhet të vendosë mbi bazën e konsideratave politike.
“Përgjegjësia juaj është vetëm të mundësoni zhvillimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet në letër.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.