Pesë mijë qytetarë në “ignore”: Deputetët nuk kanë guxim të fillojnë seancë mbikëqyrëse për Koçanin, Tetovën dhe aksidentet me autobusët
Pas pothuajse dy muajve pas krimit të tmerrshëm në Koçan, deputetët po i kryejnë me rregull detyrat e tyre – shkojnë në punë, marrin para për shpenzimet për rrugë, marrin pjesë në komisione parlamentare. Marrin pjesë në seanca plenare, votojnë kur duhet dhe nuk votojnë kur nuk duhet, parashtrojnë pyetje, por asesi të fillojnë një […]


Pas pothuajse dy muajve pas krimit të tmerrshëm në Koçan, deputetët po i kryejnë me rregull detyrat e tyre – shkojnë në punë, marrin para për shpenzimet për rrugë, marrin pjesë në komisione parlamentare. Marrin pjesë në seanca plenare, votojnë kur duhet dhe nuk votojnë kur nuk duhet, parashtrojnë pyetje, por asesi të fillojnë një seancë mbikëqyrëse në Kuvend për tragjedinë në kabarenë ilegale “Pulse”. Ata madje bënë edhe pushim pranveror menjëherë pas kësaj tragjedie. Dhe në vend që ta justifikojnë rolin që u është dhënë – si përfaqësues të zgjedhur të popullit, jo të partisë – ata janë të heshtur atëherë kur duhet të jenë të zëshëm. Kalkulimet partiake në Kuvend u vunë re edhe nga familjet e viktimave dhe të lënduarve në “Pulse”, shkruan Investigative Reporting Lab (IRL), transmeton Portalb.mk.
“Nëse nuk ishte një votë e lidhur me partinë, a do të thotë kjo që vota jonë nuk vlen?! Partia nuk ju paguan! Ne ju paguajmë! Nëse nuk jeni të zotët, nëse e keni të vështirë – marsh!”, thuhej në një nga mesazhet e prindërve.
Në protestën që u mbajt më 29 prill në Shkup nën organizimin e prindërve dhe të afërmve të viktimave, të pranishmit folën me tone të ashpra drejt deputetëve, pushtetit ekzekutiv dhe institucioneve shtetërore.
Por nisma për të thirrur një seancë mbikëqyrëse parlamentare mbi tragjedinë mbeti e bllokuar midis justifikimeve, detyrimeve të paplotësuara dhe pritjes së udhëzimeve të partisë. As 20 deputetët nga Njësia Zgjedhore 3, e cila përfshin Koçanin, nuk vendosën ndryshe nga baza e partisë dhe nuk kërkuan një seancë mbikëqyrëse në emër të votuesve të tyre.
Në këtë njësi zgjedhore VMRO-DPMNE dhe koalicioni kanë 14 deputetë, LSDM dhe koalicioni kanë katër, ndërsa ZNAM dhe Levica kanë nga një deputet.
Por iniciativa për konvokimin e një seance mbikëqyrëse parlamentare për tragjedinë mbeti e bllokuar midis justifikimeve, detyrimeve të paplotësuara dhe pritjes së udhëzimeve partiake. As 20 deputetët nga Njësia Zgjedhore numër 3, në kuadër të të cilës bën pjesë edhe Koçani, nuk morën vendim ndryshe nga baza e partisë dhe nuk kërkuan një seancë mbikëqyrëse në emër të votuesve të tyre.
Në këtë njësi zgjedhore VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni kanë 14 deputetë, LSDM-ja dhe koalicioni kanë katër, ndërsa ZNAM dhe E Majta kanë nga një deputet.
Qytetarët kërkojnë seancë mbikëqyrëse
Pas zjarrit në të cilin jetën e humbën 62 persona dhe ku u lënduan 196 të tjerë, IRL inicioi një apel për veprim. Ne u bëmë thirrje qytetarëve që t’u drejtohen njëzet deputetëve nga Njësia Zgjedhore numër 3 duke dërguar mesazhe të njëjta në adresat e tyre zyrtare elektronike. Përmes tyre ata kërkuan që deputetët të nisin një senacë urgjente mbikëqyrëse për të hedhur dritë mbi dështimet sistemike që shkaktuan një numër kaq të madh të vdekjeve në Koçan.
Sipas Ligjit për Kuvendin për të caktuar një seancë mbikëqyrëse nevojitet që të paktën 15 deputetë të dorëzojnë një iniciativë të tillë pranë shërbimeve parlamentare. Pas kësaj kryetari i Kuvendit është i detyruar ta vendosë atë menjëherë në rend të ditës.
Seanca mbikëqyrëse qytetarët kërkuan edhe për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, si dhe për dy aksidentet me autobusë, atë në afërsi të Laskarcit dhe për atë që ndodhi në Bullgari.
Seanca mbikëqyrëse është një nga mekanizmat kryesorë përmes të cilit Kuvendi mund të ushtrojë kontroll mbi pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor. Seanca e tillë është publike, transmetohet drejtpërdrejt në Kanalin e Kuvendit dhe përfundimet e tij janë obligative. Mund të shërbejë si bazë për procedura të mëtejshme, përfshirë këtu edhe për përgjegjësi penale.
Në kuadër të një seance mbikëqyrëse deputetët kanë të drejtë të thërrasin dëshmitarë, zyrtarë, ekspertë dhe qytetarë, për t’i analizuar dështimet sistemike dhe për të përcaktuar nëse institucionet kanë vepruar sipas ligjit.
Përmes seancave mbikëqyrëse mund të ngrihet çështja për cilësinë e ligjeve dhe funksionimin e administratës publike. Por, për shkak të natyrës së tyre publike dhe detyrimit ligjor, deputetët shpesh zgjedhin forma alternative – siç janë komisionet hetimore parlamentare.
Por, për dallim nga seancat mbikëqyrëse, mbledhjet e komisioneve anketuese nuk janë publike. Në to nuk përfshihen ekspertë të jashtëm, nuk kanë peshë ligjore dhe puna e tyre mund të zgjasë pafundësisht.
Por, pavarësisht faktit se thirrjes së IRL-së iu përgjigjën pothuajse pesë mijë qytetarë dhe po aq u dërguan mesazhe njëzet deputetëve duke kërkuar që të iniciojnë një seancë urgjente mbikëqyrëse për Koçanin, deri më tani një gjë e tillë nuk u bë.
Disa nga deputetët, siç thanë më vonë për IRL, as që i kishin lexuar mesazhet. Një tjetër e kishte denoncuar veprimin e IRL-së në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale sepse kishte vlerësuar se ishin kompromentuar të dhënat e tij personale. Një deputet tjetër na pohoi se nuk kishte marrë asnjë mesazh të vetëm dhe shumica thanë se po prisnin që të përfundonte hetimi.
Të gjithë “për“, por askush nuk nënshkruhet
IRL kontaktoi me 19 nga 20 deputetët e Njësisë Zgjedhore numër 3, të cilëve qytetarët u dërguan mesazhe. Deputetët nga parti të ndryshme, pavarësisht nëse janë nga qeveria apo opozita, në bisedat me gazetarët shprehën mbështetje të përgjithshme për një debat mbikëqyrës. Vetëm deputeti i ZNAM-it, Pavle Arsoski, nuk iu përgjigj thirrjeve nga gazetarët e IRL-së.
Asnjë nga deputetët me të cilët biseduam, me përjashtim të deputetëve të partisë E Majta, nuk e nënshkroi iniciativën parlamentare për një debat mbikëqyrës. Në të shumtën e rasteve ata u arsyetuan duke thënë se nuk kishte ardhur ende koha për një debat të tillë.
Nuk kishte pothuajse asnjë dallim në përgjigjet e deputetëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Ata ishin të njëjta dhe dukej se kishin një marrëveshje ndërpartiake, domethënë, që së pari të prisnin që të përfundonte hetimi dhe vetëm pastaj të mbahej një seancë mbikëqyrëse.
Sanja Llukarevska nga LSDM na tha se qëndrimi i partisë është se të presim përfundimin e procedurës parahetimore.
“Sapo të përfundojë procedura parahetimore dhe hetimore, ne do ta nënshkruajmë sepse edhe ne duam të marrim përgjigje për shumë pyetje. Gjatë kësaj periudhe institucionet nuk do të mund të flisnin aq hapur sa do të donim ne”, na deklaroi Llukarevska.
Edhe Ljupço Nikollovski nga partia LSDM, thotë se ka marrë shumë email-e, por se do të nënshkruajë kur të krijohen kushtet.
“Sigurisht që ne jemi për një debat mbikëqyrës, por duhet edhe të ketë kushte që ai debat të ketë domethënie. Unë, si Ljupço Nikollovski, do ta nënshkruaj atë kërkesë kur të krijohen kushtet”, tha deputeti i opozitës.
Bllagoj Boçvarski e përsëriti të njëjtën gjë si bashkëpartiakët e tij – ai dha një qëndrim, por jo edhe nënshkrim:
“Absolutisht që do ta nënshkruaja dhe nuk do të isha kundër, por kohën e caktojmë në koordinim me kolegët tanë.”
Deputetët e VMRO-DPMNE-së, Bllagica Llasovska, Mile Lefkov, Emill Spasovski, Igor Zdravkovski, Dushko Ivanov, Dragana Bojkovska dhe Nikolla Micevski njëzëri thanë se janë të mendimit se duhet të ketë një seancë mbikëqyrëse, por asnjëri prej tyre nuk ishte i gatshëm ta mbështeste personalisht një iniciativë të tillë.
Deputeti Dushko Ivanov, në bisedën e tij me gazetarët e IRL-së, përveçse foli për një seancë të mundshme mbikëqyrëse, foli edhe për mesazhet që i kishte marrë nga qytetarët, të cilët i kërkonin të inicionte një debat të tillë në Kuvend.
Në adresën e tij kishin ardhur mbi tre mijë mesazhe të tilla, por, siç tha ai, pastaj ato u përcollën nga adresa e tij në adresat e kolegëve të tij nga Njësia Zgjedhore numër 3. Ai na theksoi se meqenëse vinte nga Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE), kishte dyshuar se përmes veprimit të IRL-së dhe qytetarëve ishin keqpërdorur të dhënat e tij personale.
“Tani do t’ju them, mora një email nga njëri, mendoj se ishin rreth tre mijë e pesëqind në numër, të cilët ishin. Por, nuk e di se si anë arritur që përmes agregatit të IRL-së të dërgojnë mesazh nda adresa ime në adresat elektronike të deputetëve të Njësisë Zgjedhore numër 3”, tha Ivanov, duke shtuar se do ta nënshkruante një iniciativë për një debat mbikëqyrës të iniciuar nga partia e tij VMRO-DPMNE.
Bashkëpartiakja e tij, Dragana Bojkovska, na deklaroi se ajo e mbështet iniciativën edhe për seancë anketuese edhe mbikëqyrëse.
“Sapo të përfundojë hetimi për rasin në Koçan, ne do të iniciojmë një seancë gjithpërfshirëse.“
Aleksandar Jamallov, gjithashtu deputet i VMRO-DPMNE-së, ndërsa me profesion polic, beson se nuk duhet bërë asgjë përderisa po vijojnë hetimet.
“Ju siguroj, si polic me profesion, se deputetët nuk duhet të ndërmarrin asnjë veprim përderisa po vijon hetimi”, tha ai për IRL.
Përdorin email zyrtar – ndonjëherë
Disa deputetë thonë se nuk i kanë lexuar mesazhet e dërguara nga disa mijëra qytetarë sepse nuk e përdorin email-in e tyre zyrtar.
Goran Misovski nga Partia e Re Socialdemokrate na tha:
“Email –in zyrtar kam 20 vite që nuk e përdor.“
Sipas tij, iniciativa duhet të jetë e përbashkët dhe e nënshkruar nga të gjithë 120 deputetët.
“Nuk e di pse po kërkoni që dikush të iniciojë diçka individualisht… Të 120 deputetët duhet ta nënshkruajnë së bashku çdo iniciativë “, tha Misovski.
Nga ana tjetër, Rashela Mizrahi nga VMRO-DPMNE-ja na tha se nuk ka marrë asnjë mesazh.
“Nuk kam marrë asnjë email. Ju lutemi të vini në zyrën time dhe ta kontrolloni”, shtoi ajo, dhe shtoi se ishte tendencioze kur gazetarët e IRL-së i thanë se mesazhet nga qytetarët mund të kenë arritur në “spam” të email-it të saj.
Kur u pyet nëse do ta nënshkruante iniciativën, ajo u përgjigj se ishte në favor të një seance mbikëqyrëse për të gjitha aksidentet me numër të madh viktimash në të kaluarën, dhe jo vetëm për Koçanin.
“Besojn se deri në fund të ditës do të merrni informacion nga Kuvendi“, na tha Mizrahi në 23 prill duke e shmangur kështu një përgjigje të drejpërdrejtë.
Por, as atë ditë dhe as deri në publikimin e këtij materiali nuk morëm ndonjë informacion nga Kuvendi në lidhje me një seancë të mundshme mbikëqyrëse për ndonjë nga rastet e përmendura.
Askush nuk ndërmerr iniciativë personalisht – të gjithë presin që këtë ta bëjë dikush tjetër
Disa deputetë i hapin derën mundësisë për një seancë mbikëqyrëse, por gjithmonë me kushtin ose pritjen që dikush tjetër ta iniciojë.
Nikolla Konjanovski nga Partia Socialiste na tha:
“Po, problemet duhen zgjidhur, të shkojnë të gjitha në një paket.“
Por, në pyetjen nëse do inicionte një gjë të tillë personalisht, ai na u përgjigj:
“Tani… ne jemi të gjithë së bashku dhe e gjitha duhet të bëhet bashkë.“
Marija Petrushevska nga VMRO-DPMNE-ja tha se seanca mbikëqyrëse është një instrument i rëndësishëm, por gjithashtu shtoi:
“Do ishte mirë që tu lëmë hapësirë organeve që ta kryejnë punën e tyre.“
Ngjashëm, edhe deputetet Dragana Arsova dhe Daniella Hristova nga VMRO-DPMNE-ja shprehën mbështetje për idenë e një seance mbikëqyrëse, por njoftuan se para se të ndërmerrnin ndonjë veprim do të prisnin që të përfundonte hetimi:
“Tani do t’i lëmë autoritetet kompetente ta bëjnë punën e tyre, sapo të përfundojë hetimi, do të ndërmarrim çdo veprim që është brenda juridiksionit tonë”, tha Arsova për IRL.
“Për momentin po vijojnë hetimet, shpresoj që organet hetuese do ta përfundojnë punën e tyre sa më shpejt të jetë e mundur, dhe pastaj ne si deputetë do të jemi në gjendje të ndërmarrim hapa konkretë”, tha Hristova.
Për seancë mbikëqyrëse është edhe Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE-ja. Përveç se për tragjedinë në Koçan, sipas tij, deputetët duhet të diskutojnë edhe për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, aksidentin me autobus në afërsi të Llaskarcit dhe atë në Bullgari.
“Tragjedia në Koçan, ashtu si të tjerat, do të jetë objekt i një debati të hapur dhe të argumentuar, menjëherë pas përfundimit të procedurave dhe publikimit të gjetjeve nga institucionet kompetente”, tha Kovački.
Nënshkrimet e Të Majtës të pamjaftueshme
Më 3 prill deputeti Boris Krmov nga E Majta deklaroi se të gjashtë deputetët e partisë së tij kishin nënshkruar një iniciativë për një seancë mbikëqyrëse.
“Ne si deputetë dhe Kuvend, sidomos deputetët nga Njësia Zgjedhore numër 3, duhet të mbajmë përgjegjësi morale dhe për këtë arsye po dorëzoj një iniciativë për një seancë mbikëqyrëse në lidhje me fatkeqësinë që na ndodhi në Koçan”, tha Krmov në një konferencë për shtyp.
Nevojiten nëntë nënshkrime të tjera, por asnjë deputet nga partitë e tjera nuk e mbështeti iniciativën.
“Ne iu përgjigjëm thirrjes. Gjashtë prej nesh e nënshkruan dhe po kërkojmë të paktën nëntë të tjerë. Nëse askush nuk nënshkruan, atëherë, për fat të keq, kjo është e gjitha që na ka mbetur”, tha Krmov.
Përndryshe, në kuadër te hetimeve janë përfshirë disa zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë ish-ministrat e ekonomisë Kreshnik Bekteshi, Bekim Neziri dhe Valon Saraçini, të cilët arrëstuan. Pastaj, nën arrest është edhe Shaban Saliu, ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe Razmena Duroviq, ish-sekretare shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, edhe ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, si dhe një numër i madh nëpunësish policorë dhe individë të tjerë.
Disa dyshohen për falsifikim, lëshim ose lejim të funksionimit të diskotekës edhe pse nuk i plotësonte standardet e kërkuara të sigurisë, ndërsa të tjerë për mosmbikëqyrje dhe mosmiratim të sigurisë nga zjarri.