Pezullimi i fondeve nga BE i kushton Kosovës mbi 613 milionë euro, dëmet prekën energjinë, mjedisin e bizneset
Kosova po përballet me pasoja të rënda financiare dhe politike si rezultat i masave të vendosura nga Bashkimi Evropian që nga qershori i vitit 2023. Sipas një analize nga Instituti GAP, mbi 613 milionë euro janë pezulluar gjatë kësaj periudhe, përmes dy instrumenteve kryesore, IPA dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). BE-ja vendosi


Kosova po përballet me pasoja të rënda financiare dhe politike si rezultat i masave të vendosura nga Bashkimi Evropian që nga qershori i vitit 2023. Sipas një analize nga Instituti GAP, mbi 613 milionë euro janë pezulluar gjatë kësaj periudhe, përmes dy instrumenteve kryesore, IPA dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, si përgjigje ndaj veprimeve të Qeverisë në komunat veriore, ku u përshkallëzua situata pas zgjedhjeve të bojkotuar nga serbët lokal. Masat përfshijnë pezullimin e përkohshëm të disa fondeve, ndalimin e vizitave të nivelit të lartë dhe ndërprerjen e pjesëmarrjes së Kosovës në takime rajonale të BE-së.
Koordinatorja e hulumtimeve në GAP, Rrona Zhuri, në emisionin e fundit “Shtylla”, prodhim i KosovaPress, thotë se 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht, pasi disa projekte të IPA 2020, nuk arritën të kontraktohen para skadimit të afatit. Sipas saj, projektet më të prekura janë ato në mjedis, energji, digjitalizim dhe kulturë.
“Që nga qershori i vitit 2023, BE ka vendos disa masa për Kosovën, një prej të cilave ka qenë edhe pezullimi i fondeve në kuadër të dy instrumenteve kryesore. Pra, instrumentit IPA, dhe kornizës së investimeve për Ballkanin Perëndimor. Sipas llogaritjeve tona, gjithsej vlera e projekteve të pezulluara gjatë kësaj periudhe dyvjeçare, deri në muajin maj 2025, ishte 613.4 milionë euro, prej këtyre 218 milionë euro kanë qenë prej instrumentit IPA, ndërsa 395 milionë euro prej kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor. Nga këto rreth 7.1 milionë euro, janë humbur tërësisht. Këto 7.1 milionë euro përfshinë disa projekte të marrëveshjes IPA 2020, të cilës i ka skaduar afati dhe nuk kanë pasur kohë të kontraktohen këto projekte. Këto projekte në vlerën 7.1 milionë euro, janë në disa fusha, rreth 3 milionë euro kanë qenë në fushën e konkurrueshmerise dhe inovacionit, rreth 1.3 milionë euro kanë qenë në fushën e sundimit të ligjit, dhe tri projekte në vlerë 2.8 milionë euro i përkasin sektorëve të bujqësisë dhe turizmit rural…te fondet e pezulluara, energjia është një ndër sektorët që është prek më së shumti, ndërsa mjedisi është sektori që është prekur me shumën më të lartë, projekte në vlerë 350 milionë euro, në energji janë prekur rreth 117 milionë euro, në digjitalizim 56 milionë euro dhe në kulturë rreth 15 milionë euro”, thotë ajo.
Përveç dëmeve financiare, masat dhe ngërçi politik po godasin edhe legjitimitetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Sipas hulumtuesit në GLPS, Besar Gërgi, rreziku nuk është vetëm ekonomik, por institucional dhe strategjik.
“Kur flasim për masat e BE-së ndaj vendit tonë ato kanë një kosto të pamohueshme financiare, por ato me vete bartin një kosto politike dhe diplomatike për vendin tonë. Vendi ynë paraqitet si një vend që është de-facto nën sanksionet e BE-së, dhe këtë Serbia e përdorë për fushatën e saj kundër vendit tonë…Një dëm tjetër përben për integrimin evropian të Kosovës. Në fund të vitit 2022, ne kemi dorëzuar një aplikim për anëtarësim në BE, dhe ne veçse e dimë që rruga jonë drejt anëtarësimit është shumë e vështirë për shkak të pesë vendeve mosnjohese, porse me vënien e këtyre masave, është bërë e pamundshme diskutimi i aplikimit pa u hequr këto masa njëherë. Këto po shërbejnë si një barrierë shtesë në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Dëmi që i bëhet Kosovës është strategjik, afatgjatë dhe duhet sa më shpejtë te hiqen këto masa”, thotë ai.
Nga ana tjetër, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, në një përgjigje me shkrim për emisionin “Shtylla”, deklaro se Kosova ka përmbushur kërkesat për heqjen e masave që në fillim, duke përmendur Marrëveshjen e Bratisllavës.
“Kosova i ka përmbushur hapat e kërkuar nga BE për heqjen e masave që në krye të herës (marrëveshja e Bratisllavës), por konstatimi i tillë nga unioni pati ardhur vetëm vitin e kaluar përmes rekomandimit të atëherë përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell për heqjen e tyre. Masat që nga momenti kur janë vendosur, ka qenë e specifikuar nga ana e BE se janë të kthyeshme dhe jo të përhershme. Andaj, edhe fondet të cilat mbeten të pezulluara ende, janë të rikthyeshme dhe pritet të lirohen në vijim, duke qenë se nga korriku ka filluar heqja e masave graduale. Deri tash kanë rifilluar të mbahen takimet e nënkomiteteve në kuadër të MSA-së, si dhe janë liruar projekte dhe aplikime të Kosovës në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Ai thekson se tensionet në veri nuk janë shkaktuar nga Kosova.
‘Në pyetjen tuaj se ;A është si pasojë e tensioneve në veri të vendit, duhet specifikuar e saktësuar, se Kosova asnjëherë nuk ka ngritur apo nxitur tensione, as në veri, as në asnjë cep të vendit. Rastet kur institucionet tona dhe vendi jonë janë sulmuar (sulmet ndaj ndërtesave komunale maj 2023, rrëmbimi i zyrtarëve tanë policorë, Banjska, vendosja disa herë e barrikadave në veri në 2022) kanë qenë të prodhuara, krijuara dhe organizuara nga Serbia përmes grupeve dhe strukturave kriminale të dirigjuara nga Beogradi zyrtar”, thekson Kadiu.
Emisioni “Shtylla” ka drejtuar pyetje edhe Komisionit Evropian, për të kuptuar më mirë se cilat masa kanë filluar të hiqen dhe sa ka humbur Kosova, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Megjithatë, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas para disa muajve kishte deklaruar se ka nisur heqja graduale e masave ndaj Kosovës, të vendosura në qershor dymijenjëzetetre, por nuk kishte shpjeguar se kur ka filluar një gjë e tillë dhe çfarë masash mund të jenë hequr deri tani.
Se këto masa kanë shkaktuar dëme në sektorin privat dhe zhvillim të vendit, e thotë edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi.
Krasniqi e cilëson pezullimin e fondeve dhe mungesën e qeverisjes funksionale si faktorë kryesorë që po bllokojnë zhvillimin ekonomik.
“Po bëhen më shumë se dy vjet që ne jemi duke pas sanksione dhe duke vuajtur për mungesë të këtyre mjeteve aq të nevojshme për zhvillimin e vendit, dhe të cilat sanksione nuk dihet as kur do të ndalen. D.m.th do të vazhdojë kjo humbje e madhe. Kjo ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë vendin tonë, sidomos në projekte të mëdha dhe rajonale, por edhe në projekte të vet shtetit, që sa më shpejtë të përshtatet me tregun evropian, por edhe me infrastrukturën ligjore, projekte që i ka IA. Mosmarrja e këtyre mjeteve, humbja e këtyre qindra milionave është në këtë gjendje, ku Kosova është në një krizë të madhe të mungesës së të hyrave, si rezultat edhe i politikave jo të mira qeveritare. Është duke e dëmtuar vendin tonë, dhe duke e ndal zhvillimin e vendit në mënyrë të jashtëzakonshme. Shumë projekte që është dashur të kryhen, kanë ngel, dhe nuk dihen se kur do të kryhen. Dëm i jashtëzakonshëm që është duke i shkaktuar biznesit dhe vet shtetit…Çdo centë që mungon në tregun e biznesit, është humbje për vet vendin, humbje për qytetarët, punëtorët dhe vet bizneset. Mungesa e këtyre mjeteve, dhe mos njohuria se kur do të fillojnë të merren këto mjete në të ardhmen është duke dëmtuar jashtëzakonisht biznesin, dhe vet shtetin, sepse nuk dihet se kur do të fillojë alokimi i mjeteve nga tash e tutje”, tha ai.
Por përveç mungesës së fondeve, problem mbetet edhe mungesa e një qeverie funksionale. Kosova është lider në rajon për borxhin më të ulët, ndryshe nga vendet si Mali i Zi dhe Maqedonia që kanë nivele 3–4 herë më të larta.
Ai kritikon edhe mungesën e bashkëpunimit me Qeverinë, sidomos me kabinetin Kurti, për mosrealizimin e premtimeve dhe mungesën e politikave mbështetëse në kohën e krizave si pandemia dhe inflacioni.
“Ne fatkeqësisht viteve të fundit, sidomos me Qeverinë Kurti jemi duke u përballuar me mungesë komunikimi, mungesë bashkëpunimi, edhe kur kemi pas qeveri me mandat të plotë. Ardhja e tyre ka qenë një shpresë edhe për biznesin dhe qytetarët, që këta do të kenë mundësi t’i shtynë këto projekte. Fatkeqësisht shumica e premtimeve të dhëna nga Qeveria Kurti nuk janë realizuar. Sidomos po flasim për kohë të COVID, kur Kosova dhe vet bota është dashtë të bëjë ndryshime të mënyrave të politikave që më iu përshtat bizneseve që t’i përmbajnë vendet e punës dhe të mund të mbijetojë qytetari dhe biznesi për shkak inflacionit. Por, edhe qytetari ka pësuar shumë, për shkak se ka pas rritje enorme të shpenzimeve, mungesë të të hyrave. Një pagë 500 euro, ndërsa tash edhe me 800 euro nuk mjafton për shkak të inflacionit, si rezultat i mos futjes në treg të parave nga ana e qeverisë ose investimit siç kanë bërë vendet tjera…Ndërkohë vendi ynë ka bërë të kundërtën, ka ulur borxhin publik. Tani jemi në mungesë qeverie, thuajse një vit gati, nuk dihet se kur do të ketë, ka mosalokim të mjeteve, mosinvestim dhe mos njohuri nga ana e bizneseve se kur do të ketë një ndryshim, sepse, nuk po dihet sa do të vazhdojë ky ngërç politik”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, ndërsa Kosova përballet me mungesë stabiliteti politik, pasojat ekonomike po grumbullohen edhe sa i përket përkeqësimit të deficitit tregtar.
“Ekstrem shumë, sepse ne nga viti 2020 deri në fund të vitit 2024 është dyfishuar importi, që është tragjedi e vendit tonë, nënkupton rritje të çmimeve dhe rritje të shpenzimeve nga ana e qytetarëve dhe biznesit, dhe ulje te fitimit, që shtyn mosardhjen e investitorëve. Ne nuk kemi as kërkesë, më herët ka pas kërkesë dhe ardhje, gjatë kësaj kohe nuk kemi as kërkesë të investitorëve të huaj të vinë në Kosovë, si rezultat i kësaj gjendje. Ne nga 3.2 miliardë kemi shkuar 6.5 miliard në fund të vitit. Këtë vit kemi edhe më shumë rritje të deficitit, import, që nënkupton varfërim të qytetarëve, ndërkohë që eksporti është shumë i vogël krahasim me importin”, nënvizon Krasniqi.
Në fund, Krasniqi apelon institucionet shtetërore për reformimin e politikave fiskale për të bërit biznes.
“Kërkesa është që me emergjencë partia që ka dalë e para të krijojnë institucionet, të marri seriozisht gjendjen e rendë të qytetarëve dhe punëtorëve, të biznesit, të rrisin bashkëpunimin me qytetarë, biznese, me ata që krijojnë të hyra për qytetarë dhe shtetin, që është biznesi. Të bëjmë strategji reale si të zhvillohemi. Të krijojmë një ligj për tregti të brendshme që çdo 50 metra të mos krijohet një pompë benzini apo çdo 5 metra, 10 metra një kafe apo market, por të ndalen këto, në mënyrë që këto para të shkojnë, orientohen në politika, oferta, në rritje të prodhimit vendor, rritje të eksportit. Sepse, paratë po hyn, por në vend të gabuar dhe shteti për mungesë të ligjeve po i dëmton qytetarët që po investojnë në lejimin e hapjes së një marketi ose ndërtimit. Do duhej me emergjencë të ndalet ndërtimi, sepse ndërtimi është në shpërputhje me nevojën dhe asnjë shtet nuk lejon investime diku ku ka tepricë…Qytetari, biznesi apo ai që ka vullnet të investojë të ju mundësohet investimi diku, ku mundësia e profitit do të jetë më e madhe”, thotë ai.
Përndryshe, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi tha se BE-ja do të fillojë së shpejti me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të MSA-së me Kosovën dhe projektet e asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), që prekin fusha si energjia, infrastruktura e të tjera.
