Ruzhdi Shehu prezanton programin: Në mandatin e parë realizuam mbi 90% të premtimeve, tani synojmë investime mbi 55 milionë euro për Junikun
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka prezantuar programin qeverisës për mandatin e dytë 2025-2029, duke theksuar se mandati i parë ishte shembull i realizimit të premtimeve dhe i investimeve konkrete. Shehu tha se gjatë katër viteve të para janë realizuar mbi 90% e premtimeve, me 49 projekte konkrete prej tyre 35 premtime elektorale […]


Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka prezantuar programin qeverisës për mandatin e dytë 2025-2029, duke theksuar se mandati i parë ishte shembull i realizimit të premtimeve dhe i investimeve konkrete.
Shehu tha se gjatë katër viteve të para janë realizuar mbi 90% e premtimeve, me 49 projekte konkrete prej tyre 35 premtime elektorale që sot u shërbejnë qytetarëve të Junikut. Sipas tij, vetëm në këtë mandat janë investuar mbi 11 milionë euro në projekte kapitale dhe janë ndarë 400 mijë euro subvencione, duke e cilësuar këtë si rekordin më të madh të punëve të realizuara që nga themelimi i komunës, përcjell Gazeta Projekti.
Për mandatin e dytë, Shehu ka paralajmëruar 31 projekte të reja, me investime që kapin vlerën e 13 milionë eurove në projekte kapitale, 400 mijë euro subvencione, si dhe një investim madhor prej rreth 42 milionë euro për parkun solar, i cili pritet ta vendosë Junikun në qendër të hartës energjetike të Kosovës.
Ai shtoi se LDK është e vetmja ofertë politike me program serioz për Junikun, ndërsa kundërshtarët politikë sipas tij nuk kanë program dhe merren vetëm me shpifje e akuza personale, raporton Gazeta Projekti.
“Junikasit e dinë të vlerësojnë punën dhe jo shpifjet. Nuk i pranojnë ata që mashtruan për 12 vite dhe as ata që pozitën e Kryetarit të Komunës e shohin si vend për të fituar përvojën e parë pune në institucione,” ka deklaruar Shehu.
Programi i plotë qeverisës 2025-2029 është publikuar në faqen zyrtare: www.ruzhdishehu.com.
