Plani i mobilitetit për kaosin në trafikun e Tetovës: Drafti final gati, implementimi ende në pritje

Tetovë, 8 shkurt – Plani i mobilitetit për zgjidhjen e kaosit urban në Tetovë nuk është ende gati që të fillojë të implementohet në terren. Ndonëse në dhjetor 2025 nga…

shkurt 8, 2026 - 09:30
 0
Plani i mobilitetit për kaosin në trafikun e Tetovës: Drafti final gati, implementimi ende në pritje

Tetovë, 8 shkurt – Plani i mobilitetit për zgjidhjen e kaosit urban në Tetovë nuk është ende gati që të fillojë të implementohet në terren.

Ndonëse në dhjetor 2025 nga Komuna e Tetovës thanë se si dokument final do të jetë gati para Vitit të Ri, i njëjti nuk është finalizuar ende, që më pas të fillojë implementimi në terren.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se drafti final i planit të mobilitetit është gati dhe se do duhet të kenë edhe një takim të fundit me kompaninë që e ka përpiluar, ku më pas i njëjti do të publikohet dhe do të nisë implementimi i tij.

“Është në përkthim dhe pastaj do duhet ta bëjmë edhe një takim me operatorin i njëjti nëse do të miratohet nga komuna, do të publikohet dhe do të nisë implementimi në praktikë”, tha Kasami.

Zgjidhja për kaosin në trafik, tani e disa kohë nga Komuna e Tetovës thuhet se do të bëhet përmes planit të mobilitetit.

Ky plan i mobilitetit është përgatitur nga Instituti INSI nga Kosova dhe përmes tij pritet të zgjidhet çështja e kaosit në trafik si parkingjet, regjimi i rrugëve, transporti publik, uzurpimi i trotuareve dhe të tjera. Deri tani janë mbajtur dy debate publike.

Në ndërkohë, plani i ri gjeneral urbanistik për Tetovën pritet të sillet në vitin 2026.

Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.