Po nxitet sërish çështja mes Greqisë dhe RMV, Mickoski “i befasuar” nga reagimet e Athinës
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski është deklaruar pas reagimeve të Athinës zyrtare në adresë të tij. Mickoski u përgjigj se ishte i befasuar nga një reagim i tillë sepse, siç tha ai, nga janë ndjerë të thirrur kur nuk përmendet askush në deklaratën time. Ai theksoi se nuk do të lejojë që të […]
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski është deklaruar pas reagimeve të Athinës zyrtare në adresë të tij. Mickoski u përgjigj se ishte i befasuar nga një reagim i tillë sepse, siç tha ai, nga janë ndjerë të thirrur kur nuk përmendet askush në deklaratën time. Ai theksoi se nuk do të lejojë që të provokohemi dhe se e gjithë kjo paraqet një proces të pafund, raporton Portalb.mk.
“Qëllimi dhe mesazhi im janë të qarta. Si kryeministër, do të ishte e papërgjegjshme dhe e pabesë ndaj popullit maqedonas, ndaj qytetarëve maqedonas, të them se çështja maqedonase është e mbyllur në kushtet kur ne nuk jemi pjesë e familjes evropiane dhe e kemi nisur rrugën shumë më parë, ndoshta edhe para disa shteteve anëtare dhe kjo është çështje që rri hapur”, tha Mickoski.
Sipas Mickoskit, pse nuk është arritur sukses në atë periudhë, ka arsye objektive dhe subjektive.
“Por, arsyeja kryesore, për mendimin tim, janë çështjet dypalëshe që nuk duhet të jenë kritere dhe kushte. Një çështje më thelbësore është se, nuk mund të themi se çështja maqedonase është e mbyllur kur Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë vendime dhe aktgjykime për maqedonasit në anën tjetër të kufirit në Bullgari, të cilat thonë se shoqëria bullgare nuk respekton të drejtat themelore të njeriut të popullit maqedonas atje”, tha Mickoski.
Kryeministri Mickoski, theksoi se: “Do të ishte e papërgjegjshme dhe tradhtare nga ana ime, si kryetar i Qeverisë së Maqedonisë, ta anashkaloj këtë dhe të tërhiqem në mënyrë të nënshtruar, duke menduar se në këtë mënyrë do t’i zgjidh problemet. Jo, sa të jem gjallë dhe merrem me këtë punë do të luftoj që këto padrejtësi të korrigjohen në shekullin e 21-të. Kur të iki dhe të mos e bëj më këtë punë, do t’u lihet brezave pas meje. Por, ne duhet të kemi një gjurmë institucionale që kemi luftuar, që nuk e kemi braktisur fushën e betejës dhe se nuk kemi qenë tradhtarë të popullit maqedonas dhe të identitetit maqedonas”.
Ministria e Punëve të Jashtme greke dënoi deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, sepse ky i fundit e cilësoi çështjen maqedonase si të “pazgjidhur” dhe “ekzistuese” në Nju Xhersi. Në njoftim, Greqia nënvizoi se ky është një provokim dhe një përpjekje për të rishikuar Marrëveshjen e Prespës, e cila, siç thonë ata, e zgjidhi çështjen “përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme”.
“Greqia kujton se për përparimin e mëtejshëm në marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimin e qetë të rrugës evropiane të vendit fqinj, parakusht është respektimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe natyrisht përmbajtja nga deklaratat dhe pretendimet irredentiste ndaj vendeve fqinjëve”, thuhet në deklaratën e MPJ-së greke.
Reagimi i MPJ-së greke erdhi pas deklaratës së kryeministrit Mickoski nga SHBA-ja në të cilën tha se “duhet të fitojmë edhe në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris, Romë dhe kryeqytete të tjera botërore nëse duam që çështja maqedonase të marrë përfundimisht zgjidhjen e saj, sepse ajo nuk është zgjidhur, ajo flakëron dhe zgjat me shekuj dhe ekziston ende”.
Kujtojmë se Marrëveshja historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila i dha fund një sherri 27-vjeçar, për çështjen e emrit, pasi pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e një rajoni grek, u nënshkrua me 17 qershor 2018. Si rrjedhojë, Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO, por nuk i nisi negociatat për anëtarësim, pasi ia preu udhën Bullgaria, një tjetër fqinj i cili nuk e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, duke pretenduar se janë bullgare.