Policia përsëri kërkoi nga qytetarët mos të shkojnë në Kodrën e Diellit dhe në Mavrovë me goma vere

Për shkak problemeve që po krijohen në rrugët për në qendrat e skijimit në Mavrovë dhe Kodrën e Diellit, Policia e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar nga qytetarët mos të nisen në këto vende pa pajisjet adekuate, transmeton Portalb.mk. “SPB apeloi deri te qytetarët të respektojnë te gjitha rregullat dhe udhëzimet në komunikacion, të mos […]

Jan 6, 2025 - 20:00
 0  4
Policia përsëri kërkoi nga qytetarët mos të shkojnë në Kodrën e Diellit dhe në Mavrovë me goma vere
Kodra e Diellit, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për shkak problemeve që po krijohen në rrugët për në qendrat e skijimit në Mavrovë dhe Kodrën e Diellit, Policia e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar nga qytetarët mos të nisen në këto vende pa pajisjet adekuate, transmeton Portalb.mk.

“SPB apeloi deri te qytetarët të respektojnë te gjitha rregullat dhe udhëzimet në komunikacion, të mos i parkojnë veturat e tyre në rrugë, të respektojnë urdhrat e punonjësve policor në lidhje me regjimin e komunikacionit dhe të lëvizin në përputhje me rregullat e parapara, të mos nisen në drejtim të Mavrovës dhe Kodrës së Diellit me goma vere dhe pa pajisjet përkatëse dimërorë”, deklaroi Policia.

Policia vlerësoi se respektimi i tillë do të sigurojë një komunikacion pa pengesa.

Ndryshe, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka sqaruar që komunikacioni në Mavrovë është normalizuar pasi janë angazhuar dhjetëra punonjës të policisë. Ata sqaruar që plani vjetor për sezonin dimërore përmes një rrethrrotullimi nuk është realizuar për shkak mosrespektimit të rregullave.

Ndryshe, kur jemi te Kodra e Diellit, ende nuk është miratuar plani urbanistik për këtë hapsirë. Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se i njëjti është dorëzuar në Ministrinë e Transportit për të marrë pëlqim. Megjithatë nga Ministria e Transportit theksuan se kanë disa vërejtje të cilat duhet të përmirësohen dhe që ende është duke u shqyrtuar.

Nga ana tjetër, më 19 dhjetor 2024 u bënë dy vjet që kur kompania italiane ‘TechnoAlpin’në vitin 2022 prezantoi planin dhe projektin për zhvillimin e qendrës turistike ‘Kodra e Diellit’. Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk tregon se ku ka ngecur procesi për investimin italian në Kodrën e Diellit. Pavarësisht se thonë që mundohen të gjejnë zgjidhje, nuk japin informata konkrete, por arsyetohen. Që ky proces po zvarritet me vite e konfirmojnë edhe deklaratat e njëpasnjëshme të kompanisë italiane.

Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Sezoni turistik në Kodrën e Diellit sivjet filloi më 13 dhjetor 2024. Për shkak të borës së pamjaftueshme, viteve të fundit sezonet e skijimit kanë qenë të pasuksesshme dhe me shumë humbje.