Prej një viti e gjysmë nuk hospitalizohen pacientë në Klinikën e Psikiatrisë në Shkup, janë shkelur të gjitha afatet për rinovim

Klinika Universitare e Psikiatrisë u mbyll për rinovim në maj të vitit të kaluar dhe parashikimet ishin që kati i parë i klinikës së bashku me fasadën të përfundonin në tetor të vitit 2023. Megjithatë, nga atëherë ka kaluar më shumë se një vit, dhe klinika ende nuk po funksionon, gjegjësisht është në proces renovimi […]

Nëntor 27, 2024 - 13:00
 0  3
Prej një viti e gjysmë nuk hospitalizohen pacientë në Klinikën e Psikiatrisë në Shkup, janë shkelur të gjitha afatet për rinovim
Arben Taravari dhe Agim Berisha. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Klinika Universitare e Psikiatrisë u mbyll për rinovim në maj të vitit të kaluar dhe parashikimet ishin që kati i parë i klinikës së bashku me fasadën të përfundonin në tetor të vitit 2023. Megjithatë, nga atëherë ka kaluar më shumë se një vit, dhe klinika ende nuk po funksionon, gjegjësisht është në proces renovimi dhe nuk pranohen pacientë për hospitalizim, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në pyetjen e Meta.mk më 8 tetor të këtij viti, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se klinika pritet të vihet në përdorim “në ditët në vijim” (tetor 2024). Kjo nuk ka ndodhur, prandaj mund të konstatohet se premtimi i Taravarit nuk është realizuar brenda afatit të caktuar.

Klinika Universitare e Psikiatrisë duhej të ishte objekti i parë shëndetësor që do të përmirësojë efikasitetin energjetik, dhe kjo u njoftua në maj 2023 në faqen e internetit të klinikës.

“Objekti i Klinikës Universitare për Psikiatri në Shkup do të rinovohet tërësisht dhe do të bëhet efikas energjetikisht përmes projektit për përmirësimin e efikasitetit energjetik i financuar nga Banka Botërore dhe i implementuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Punimet e ndërtimit nisin sot, më 15 maj dhe pritet që objekti të marrë pamjen e re pas pesë muajsh”, thuhej në njoftim.

Gjatë kësaj periudhe ende nuk është shtruar asnjë pacient në klinikë, ndërsa ata që kanë nevojë për hospitalizim referohen në Spitalin Psikiatrik-Shkup dhe në Repartin e Psikiatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”. Në SPQ “8 Shtatori” – Shkup funksionon edhe reparti për fëmijë.

Edhe pas kalimit të afatit 5-mujor, klinika nuk filloi të funksionojë, ndërkohë përfundoi fasada, por jo rikonstruksioni i katit të parë, kështu që praktikisht mungonte shtrimi i pacientëve.

Me 8 tetor të këtij viti, në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, Meta.mk e pyeti ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari se kur do të vihet në funksion klinika dhe pse u vonua kaq shumë, ai iu përgjigj:

“Nuk e di kur është premtuar, është dashur ta promovojmë kah fillimi i tetorit, shpresoj që në ditët në vijim ta promovojmë, pothuajse jemi gati”.

Që atëherë kanë kaluar një muaj e gjysmë, por rezultoi se parashikimet e Taravarit nuk ishin të sakta. Në pyetjen e Ministrisë së Shëndetësisë se pse nuk është realizuar ky premtim dhe klinika nuk mund të pranojë pacientë të rinj, janë përgjigjur:

“Rikonstruksioni i Klinikës së Psikiatrisë është në fazën përfundimtare dhe po punohet për ndërtimin përfundimtar dhe detajet teknike. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të përmbushur afatin e shpallur fillimisht, vonesa është rezultat i sfidave teknike të paparashikuara që u adresuan në mënyrë efektive. Është planifikuar që në fillim të dhjetorit të bëhet promovimi dhe vënia në funksion e Klinikës, e cila do të sigurojë një hapësirë ​​krejtësisht moderne dhe funksionale për nevojat e pacientëve dhe personelit shëndetësor”.

Për të gjitha sa më sipër, konkludojmë se premtimi se KU për psikiatri do të vihet në përdorim fillimisht vitin e kaluar, e më pas në tetor të këtij viti, nuk është realizuar brenda afatit të përcaktuar.