Presidenti i “ulëret” Gardës Revolucionare, Irani ngacmon Trump: Po zhyteni në moçal, projekti i lirisë, i vdekur
Amerika dhe Irani po bëjnë “luftë” për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit. Ministri i jashtëm i Teheranit paralajmëron Uashingtonin se po zhytet në moçal, pasi presidenti Donald Trump tha se ushtria e tij kishte “qëlluar” shtatë “anije të ...


Amerika dhe Irani po bëjnë “luftë” për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit. Ministri i jashtëm i Teheranit paralajmëron Uashingtonin se po zhytet në moçal, pasi presidenti Donald Trump tha se ushtria e tij kishte “qëlluar” shtatë “anije të shpejta” iraniane.
“Ngjarjet në Hormuz e bëjnë të qartë se nuk ka zgjidhje ushtarake për një krizë politike”, shkroi Abbas Araghchi.
“Ndërsa bisedimet po përparojnë me përpjekjet bujare të Pakistanit, SHBA-të duhet të jenë të kujdesshme që të mos zhyten përsëri në moçal nga dashamirësit e luftës. Kështu duhet të bëjnë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Projekti i Lirisë është Projekt i vdekur”, deklaroi Abbas Araghchi, ministër i jashtëm i Iranit.
“Projekti i Lirisë” i Donald Trump, i cili filloi të hënën, synon të përdorë ushtrinë amerikane për të udhëhequr anijet e bllokuara të mallrave jashtë rrugës kryesore ujore. Por Irani këmbëngul se e kontrollon ngushticën dhe të hënën qëlloi raketa dhe dronë drejt anijeve ushtarake dhe tregtare, sipas SHBA-së. Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan dëme në anije tregtare, ndërsa një sulm iranian i raportuar shkaktoi një zjarr në një depo nafte të Emirateve të Bashkuara Arabe. Presidenti amerikan, kundërshtoi publikisht sondazhet.
“Ata bënë një sondazh mbi luftën me Iranin dhe thanë se vetëm 32% e njerëzve e pëlqejnë. Mua nuk më pëlqen aspak lufta, por ne jemi të pajisur më mirë dhe kemi ushtrinë më të fortë në botë. E patë çfarë ndodhi me Venezuelën, e patë çfarë ndodh me gjithçka. Por ata thanë se 32% e njerëzve janë kundër Presidentit Trump. Por më shpjegoni pak, a është mirë që Irani të ketë një armë bërthamore? Nuk do të ishte 32%. Por edhe nëse do ta thoshit këtë, do të kishte një 32% sepse sondazhet janë të rreme”, u shpreh Trump, shkruan A2 CNN.
“Ne e dimë shumë mirë se ruajtja e status quo-së është e patolerueshme për Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që ne ende nuk kemi filluar”, tha Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, duke iu referuar konfliktit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Ngushticën e Hormuzit. “Skenari i ri në Ngushticën e Hormuzit po merr formë”, shtoi Ghalibaf në një mesazh të publikuar sot në X.
Por jo të gjithë janë të kënaqur në Teheran lidhur me veprimet e ushtrisë. Presidenti iranian Masoud Pezzekian është jashtëzakonisht i irrituar nga veprimet e Ahmad Vahidi, komandant i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, duke i konsideruar sulmet me raketa dhe dronë kundër Emirateve të Bashkuara Arabe si veprime “të papërgjegjshme”, të kryera pa informuar qeverinë dhe pa koordinim. Kjo sipas Iran International, duke cituar burime ekskluzive. Kreu i shtetit e quan qasjen e Pasdaran “çmenduri”.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.