“Presidenti si çelës i krizës”, Kurti e Abdixhiku u pajtuan për kriteret – a po përgatitet marrëveshja e madhe politike?

Ditë më parë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë diskutuar për kriteret dhe profilin që duhet të ketë presidenti i ri i Kosovës, duke shprehur vullnet për të gjetur një pajtim. Takimi mes ...

gusht 23, 2026 - 10:00
“Presidenti si çelës i krizës”, Kurti e Abdixhiku u pajtuan për kriteret – a po përgatitet marrëveshja e madhe politike?

Ditë më parë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë diskutuar për kriteret dhe profilin që duhet të ketë presidenti i ri i Kosovës, duke shprehur vullnet për të gjetur një pajtim.

Takimi mes dy liderëve ka rikthyer në vëmendje mundësinë e një marrëveshjeje politike mes LVV-së dhe LDK-së, në një kohë kur Kosova përballet me një ngërç institucional dhe nevojën për një zgjidhje që do t’i hapte rrugë funksionimit normal të institucioneve.

Por sa reale janë gjasat që ky diskutim të shndërrohet në një marrëveshje konkrete? A është përcaktimi i kritereve për presidentin vetëm një hap procedural, apo po krijohen kushtet për një bashkëpunim më të gjerë mes LVV-së dhe LDK-së? Dhe a mund të jetë pikërisht zgjedhja e presidentit pika e nisjes për tejkalimin e krizës politike?

Lidhur me këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” kanë folur publicisti Lis Bukuroca dhe opinionisti Skënder Kapiti.

Bukuroca: Nuk besoj se do të arrihet një zgjidhje, opozita nuk po vepron me autonomi politike

Publicisti Lis Bukuroca shprehet skeptik për mundësinë që diskutimet mes Kurtit dhe Abdixhikut të përfundojnë me një marrëveshje konkrete për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Sipas tij, Kosova ka nevojë për një president dhe ka mjaft kandidatë që mund ta ushtrojnë këtë detyrë me dinjitet, por mënyra se si po zhvillohen negociatat nga partitë opozitare, sipas tij, nuk japin shumë shpresë për një zgjidhje.

“Nuk besoj se do të arrihet një zgjidhje. Kosova ka nevojë për një kryetar dhe këtë e dinë të gjithë. Ka dhjetëra kandidatë që mund ta ushtrojnë me dinjitet këtë detyrë. Megjithatë, partitë opozitare po japin përshtypjen se po përdorin intimidimin për të fituar në negociata atë që e humbën në zgjedhje. Arsyeja kryesore është se tre liderët e opozitës nuk veprojnë me autonomi të plotë politike. Ata po ndjekin një skenar më të gjerë dhe qëndrime që nuk burojnë vetëm nga vullneti i tyre”, deklaron Bukuroca për “Bota sot”.Duke folur për rolin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, publicisti thotë se edhe nëse ai arrin një pajtim, mbetet e paqartë nëse do të mund ta sigurojë mbështetjen e plotë të opozitës.

Sipas tij, edhe partitë e tjera opozitare po vendosin kushte që e vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje.

“Abdixhiku po shtiret. Edhe nëse ai pajtohet, nuk është e sigurt se do t’i bashkohen të gjithë. E njëjta gjë vlen për Hamzën dhe partinë e Haradinajt, e cila po vendos kushte sikur të ishte forca më e madhe politike në vend. Kushtet për zgjedhjen e kryetarit janë aq të çuditshme, sa duket sikur nuk po flitet për një funksion kushtetues, por për përzgjedhjen e një figure që duhet ta shpëtojë botën”, shprehet ai.

Bukuroca kritikon ashpër edhe qasjen e opozitës ndaj Kurtit, duke e cilësuar kundërshtimin ndaj tij si më shumë sesa një përplasje të zakonshme politike. Sipas tij, bëhet fjalë për një përballje mes dy modeleve të ndryshme politike dhe të konceptimit të shtetit.

“Sipas meje, kjo opozitë është degraduar deri në palcë. Ajo nuk ka as guximin të distancohet qartë nga disa politika të së kaluarës që e kanë dëmtuar shtetin. Kundërshtimi ndaj Kurtit nuk është thjesht politik. Ai duket i përbashkët dhe sistematik. Kjo është e kuptueshme, sepse Kurti përfaqëson një model tjetër shteti, ndërsa opozita përfaqëson një model të vjetër politik që nuk arriti të ndërtojë një shtet funksional, por tallava-shtet!”, deklaron publicisti.

Ai thotë se opozita, sipas tij, po minimizon disa prej veprimeve të Qeverisë Kurti, sidomos në raport me veriun e Kosovës dhe sigurinë e vendit.

“Opozitarët shpesh thonë se Kurti nuk ka bërë asgjë ose se ka folur vetëm për urën. Kështu, ata shpërfillin integrimin e veriut, vendosjen e kontrollit institucional në atë pjesë të Kosovës, përballjen me grupin terrorist dhe arrestimin e disa udbashëve. Megjithatë, është mirë që vazhdojnë kështu. Në dhjetor, votuesi do t’u japë përgjigjen përfundimtare”, thekson ai.

Në fund, publicisti thotë se problemi kryesor qëndron te mënyra se si opozita po e ushtron rolin e saj politik dhe te mungesa e, sipas tij, e një qëndrimi të pavarur në raport me interesat e Kosovës.

“Për mua, problemi kryesor është se këta njerëz nuk po i përfaqësojnë siç duhet interesat politike të Kosovës. Po luajnë një rol dhe po sillen si figurantë në një teatër politik. Meqenëse nuk janë në gjendje të marrin vendime vetë, sjellja e tyre është njëkohësisht qesharake dhe tragjike”, përfundon Bukuroca.

Kapiti: LDK-ja është në provë, duhet të sakrifikojë për interesin kombëtar

Ndërkaq, opinionisti Skënder Kapiti e sheh zhvillimin aktual si një moment të rëndësishëm për LDK-në dhe për të ardhmen politike të Kosovës. Sipas tij, diskutimi për presidentin nuk duhet parë vetëm si një çështje procedurale, por si një test për seriozitetin e partive politike dhe veçanërisht të LDK-së.

“Sot është në provë politika shqiptare në Kosovë. Sot është në provë sidomos serioziteti i politikës së LDK-së: a është ajo një politikë në interes të kombit, shtetit dhe PAVARËSISË SË KOSOVËS, apo është një politikë matrapazësh, djalëzore, manipuluese, mashtruese dhe hipokrite?”, shprehet Kapiti për “Bota sot”.Sipas tij, nëse LDK-ja arrin të kapërcejë interesat e ngushta partiake dhe të kontribuojë në tejkalimin e krizës, duke bashkëpunuar me LVV-në, kjo do të mund të ndikonte pozitivisht edhe në pozicionin politik të vetë LDK-së.

“Nëse LDK-ja arrin që të kapërcejë interesin e ngushtë politik dhe të kontribuojë për stabilizimin dhe daljen nga kriza të Kosovës, duke bërë koalicion me LVV-në, kjo do të ishte në të mirë të vetë LDK-së, së pari, pasi asaj do t’i atribuohej shumë më tepër sesa vetë LVV-së kontributi për zgjidhjen e krizës. Nëse LDK-ja kontribuon për krijimin dhe funksionimin e shtetit dhe të demokracisë sot, kjo do të shënonte fillimin e një ringritjeje politike të LDK-së”, deklaron Kapiti.

Ai e konsideron kompromisin politik si një akt në funksion të interesit të përgjithshëm dhe jo domosdoshmërisht si një humbje për partinë që bën një hap prapa nga interesat e saj të ngushta.

“Është shumë fisnike dhe patriotike që një parti të sakrifikojë diçka nga vetja për të mirën dhe për interesin kombëtar. Këtë duhet ta bëjë sot LDK-ja”, përmbyll Kapiti për “Bota sot”.

Nëse takimi Kurti-Abdixhiku do të shndërrohet në një marrëveshje konkrete, mbetet ende e paqartë. Megjithatë, fakti që dy partitë kanë nisur të diskutojnë për kriteret dhe profilin e presidentit të ardhshëm ka hapur një mundësi të re për dialog politik.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.