Profesoresha kontroverse Tanja Karakamisheva do ta këshillojë Mickoskin për të drejtat e njeriut
Profesoresha nga Fakulteti Juridik, Tanja Karakamisheva, ka njoftuar në “Facebook” se kryeministri Hristijan Mickoski e ka angazhuar atë si këshilltare për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Karakamisheva ndër vite është përcjellë me kundërthënie dhe polemika në qëndrimet e saj politike, sidomos kur bëhet fjalë për pozitën e çështjes shqiptare në Maqedoninë e […]
Profesoresha nga Fakulteti Juridik, Tanja Karakamisheva, ka njoftuar në “Facebook” se kryeministri Hristijan Mickoski e ka angazhuar atë si këshilltare për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Karakamisheva ndër vite është përcjellë me kundërthënie dhe polemika në qëndrimet e saj politike, sidomos kur bëhet fjalë për pozitën e çështjes shqiptare në Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.
Karakamisheva shkroi se besimi që i ka dhënë kryeministri i cili është lider i VMRO-DPMNE-së dhe koleg i saj profesor universitar, është rezultat i bashkëpunimit të tyre shumëvjeçar.
“Me nder dhe kënaqësi të madhe njoftoj se jam angazhuar si këshilltare në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit nga Kryetari i Qeverisë, prof. dr. Hristijan Mickoski. Falënderim i madh për besimin e dhënë, i cili është fryt i bashkëpunimit tonë shumëvjeçar. Është një sfidë dhe përgjegjësi e madhe të jesh këshilltare për materien më të ndjeshme juridike, e cila përfshin të gjitha aspektet materiale dhe formale të sistemit maqedonas, por edhe pozitën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Premtoj përkushtim të madh dhe profesionalizëm në kryerjen e obligimeve të dhëna, por edhe shumë më tepër se kaq. Premtoj punë dhe rezultate”, shkroi Karakamisheva.
Kush është Tanja Karakamisheva?
Tanja Karakamisheva është profesoreshë universitare, eksperte e të drejtës kushtetuese, në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, në Shkup. Anëtare e Komisionit të Venedikut, organ këshillimor i Këshillit të Evropës për çështje kushtetuese, duke përfaqësuar Republikën e Maqedonisë së Veriut në periudhën 2016-2020, dhe më parë ka shërbyer si anëtare zëvendësuese nga viti 2008 deri në 2012. Anëtare e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (1999-2001). Në aspektin e kërkimit dhe zhvillimit profesional, ajo ka mbajtur bursa kërkimore nga Fondacioni Shoqëria e Hapur Kosovë, Think Visegrad Fellowship, Fondacioni Shoqëria e Hapur Shqipëri dhe Instituti i Demokratëve Evropianë.
Profesoresha Tanja Karakamisheva nuk është eksperte e pavarur. Ajo është e partizuar dhe mbrojtëse e politikave të VMRO-DPMNE-së. Në vitin 2018 Karakamisheva u zgjedh kryetare e komisionit për Sistem Politik në VMRO DPMNE.
Karakamisheva ishte zgjedhur shkencëtare e vitit, në vitin 2015, derisa ishte anëtare e komisionit që e propozoi. Lajmi pati bërë bujë në opinion. Karakamisheva kishte thënë fillimisht se ishte larguar nga komisioni derisa është vendosur për propozimet, por duke argumentuar se kishte të drejt të kandidohej për këtë titull, sepse nuk ekziston ndonjë ndalesë për një gjë të tillë.
Karakamisheva ishte tejet e zëshme edhe kundër Marrëveshjes së Prespës. Ajo madje edhe në kushtetuese kishte kërkuar shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës. Ndryshe, Marrëveshja e Prespës është ngjarja më e rëndësishme që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, e cila zgjidhi një kontest 27 vjeçar për çështjen e emrit, pasi që Greqia pretendonte se emri dhe flamuri i shtetit janë simbole greke dhe se në të ardhmen Maqedonia mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajonit të saj, e cila gjithashtu quhet Maqedoni. Sipas kësaj marrëveshje, Maqedonia e ndërroi emrin e saj dhe e bëri Maqedonia e Veriut, me çka vendi edhe zyrtarisht hapi rrugën drejt anëtërësimit të plotë në NATO.
Karakamisheva, si kryetare Komisionit për Sistemin Politik të VMRO-DPMNE u angazhua për “dështim të referendumit” dhe publikisht u perceptua si zëdhënëse e bojkotit të referendumit si “vetpërcaktim”. Ditën e referendumit, Karakamisheva agjitonte “NUK VOTOJ dhe nuk po i përgjigjem pyetjes gjenocidale”, dhe më vonë avokoi publikisht për anëtarësim në Bashkimin Euroaziatik, sepse sipas saj: “kjo është e ardhmja e botës”. Retorika e këtillë ishte cilësuar si anti Bashkimit Evropian dhe pro Rusisë. Asokohe, në Maqedoni, një numër i madh i protagonistëve politik ndërkombëtar dhe veçanërisht liderë të vendeve të BE-së dhanë mbështetje për opsionin “Për”, në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë”.
Karakamisheva ka ditur shpesh t’i ngacmojë edhe shqiptarët me komentet e saj. Më e njohura është, kur në Facebook pretendoi se shqiptarët përbëjnë 16.7% të popullsisë, duke u bazuar në numrin e shtetësive të dhëna. Eksponentë të ndryshëm politik në Maqedoninë e Veriut kur duan t’i relativizojnë kërkesat e shqiptarëve tentojnë të vendosin vija të kuqe në prezencën e tyre në institucione. Ndërkaq, kujtojmë se sipas Regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 29.52% shqiptarë.
Një tjetër rast kur Karakamisheva ka shprehur qëndrimin e saj publikisht, e është spikatur qëndrimi anti-shqiptar, ishte në lidhje me fjalimin e Talat Xhaferit në Parlamentin Evropian. Ajo e kritikoi Xhaferin për përdorimin e gjuhës shqipe në fjalimin e tij, duke ia bërë me dije se “shqipen mundet ta përdorë vetëm në shtëpinë e tij”.
Luftën e saj kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk e ka ndalur në asnjë moment. Roli i Tanja Karakamishevës si anëtare e Komisionit të Venedikut ka qenë veçanërisht i theksuar në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo njihet për qëndrimet e saj kundër këtij ligji, i cili ka të bëjë kryesisht me gjuhën shqipe.
Kujtojmë që Tanja Karakamisheva është anëtare e grupit punues që po merret me përpilimin e zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pas shfuqizimit të “Balancuesit” në Gjykatën Kushtetuese.