Protestë në Shkup, kërkohet përgjegjësi për tragjedinë e zjarrit në Koçan ku u dogjën 59 persona

Në sheshin e qytetit të Shkupit, sot duke filluar nga ora 18:00 pritet mbledhja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për të protestuar në lidhje me tragjedinë që kanë ndodhur në Koçani, transmeton Portalb.mk. “Në këto ditë traume, Maqedonia duhet të jetë e bashkuar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për protestën në sheshin “Maqedonia”, […]

Mars 18, 2025 - 12:00
 0  3
Protestë në Shkup, kërkohet përgjegjësi për tragjedinë e zjarrit në Koçan ku u dogjën 59 persona
Protestë në Koçan për shkak të zjarrit në diskotekë i cili mori jetën e 59 të rinjve dhe mbi 150 la të plagosur. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Në sheshin e qytetit të Shkupit, sot duke filluar nga ora 18:00 pritet mbledhja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për të protestuar në lidhje me tragjedinë që kanë ndodhur në Koçani, transmeton Portalb.mk.

“Në këto ditë traume, Maqedonia duhet të jetë e bashkuar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për protestën në sheshin “Maqedonia”, ku bëhet thirrje që qytetarët nga gjithë vendet të vijnë në këtë protestë.

Organizatorët e protestës “Kush është i radhës”, kërkuan që mos të bllokohen rrugët që veturat mjekësorë të mund të lëvizin pa pengesë në komunikacion.

Ata kërkojnë që qytetarët të lëvizin nëpër bregun e lumit Vardar që të arrijnë deri në protestë, duke premtuar që do të ketë edhe protesta tjera në të ardhmen.

Në zjarrin e ndodhur më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa mbi 140 të lënduar janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.

Deri në këto momente 11 persona kanë përfunduar në paraburgim 48 orësh, mbi 20 persona janë të dyshuar, për dyshimet për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe nxitje e rrezikut të përgjithshëm, informoi dje, më 17 mars, ministri i mbrendshëm Pançe Toshkovski.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish drejtori për Menaxhim  me kriza, Bekim Maksuti dhe ish sekretarja shtetërore Razmena Çekiç Duroviç.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskitha se disa nga të dyshuarit për shkaktimin e kësaj ngjarje penale juridike kanë vdekur, disa janë në spital.