Pse po i “kruhet” Mickoskit pikërisht në Butel, aty ku tensionet për gjuhën shqipe janë në kulm?

Fejzi HAJDARI Kryeministri Hristijan Mickoski zgjodhi pikërisht Butelin (Shkup) për të marrë pjesë në hapjen solemne të vitit të ri shkollor. Në rrethana normale, kjo mund të dukej si një vizitë protokollare. Por, Buteli, sot nuk është një ...

shtator 1, 2026 - 15:30
Pse po i “kruhet” Mickoskit pikërisht në Butel, aty ku tensionet për gjuhën shqipe janë në kulm?

Fejzi HAJDARI
Kryeministri Hristijan Mickoski zgjodhi pikërisht Butelin (Shkup) për të marrë pjesë në hapjen solemne të vitit të ri shkollor.
Në rrethana normale, kjo mund të dukej si një vizitë protokollare. Por, Buteli, sot nuk është një komunë si gjithë të tjerat.
Buteli është pikërisht vendi ku është krijuar tensioni rreth vendimit për mbylljen e një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe në shkollën “Penko”. Është po ajo komunë ku problemet me arsimin dhe raportet mes nxënësve shqiptarë e maqedonas janë bërë gjithnjë e më të dukshme.
Dhe pikërisht në këtë moment, kryeministri zgjedh Komunen Butel te Shkupit, për të folur për “investime”, “tekste falas”, “shkolla të reja”, “pishina” dhe “salla sportive”.
Po për të drejtën e fëmijëve shqiptarë për të mësuar në gjuhën e tyre, çfarë kishte për të thënë kryeministri?
Asgjë. Asnjë fjalë për paralelet në shqip. Asnjë fjalë për tensionin në “Penko”. Asnjë fjalë për zbatimin e barabartë të të drejtave gjuhësore. Asnjë fjalë për faktin se investimi në një shkollë nuk mund të përdoret si dekor politik ndërkohë që një e drejtë elementare e një komuniteti vihet në pikëpyetje.
Dhe kjo bëhet edhe më shqetësuese kur shohim se çfarë po ndodh në shkollat e tjera të Butelit.
Sipas të dhënave të bëra publike, në nivel komune numri i nxënësve shqiptarë në arsimin fillor është dukshëm më i madh, rreth 56 për qind, ndërsa nxënësit maqedonas janë mbi 35 për qind.
Atëherë lind pyetja: Si është e mundur që në një komunë ku shqiptarët përbëjnë një pjesë kaq të madhe të nxënësve, të diskutohet mbyllja e paraleleve në gjuhën shqipe?
Kjo nuk është më vetëm çështje e një klase. Nuk është vetëm çështje e një drejtoreshe. Nuk është vetëm çështje e një shkolle.
Është çështje politike dhe institucionale, sepse kur një e drejtë gjuhësore cenohet, shteti nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Dhe këtu duhet të flasim hapur edhe për partitë shqiptare në pushtet.
Ku jeni? Pse heshtni? Pse nuk ka një reagim të fuqishëm, të përbashkët dhe institucional? Pse përballë këtyre zhvillimeve kemi më shumë heshtje sesa përgjigje? Nëse sot mbyllet një paralele në shqip, nesër mund të mbyllet një tjetër. Sot është një klasë. Nesër është një shkollë. Pasnesër bëhet “normale” që shqiptarëve t’u thuhet: “Shkoni në komunën tjetër.”
Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku. Buteli nuk është thjesht një pikë në hartën e Shkupit. Gjeografikisht dhe demografikisht, ai është një hapësirë me rëndësi të veçantë për shqiptarët e kryeqytetit.
Prandaj, çdo vendim që prek arsimin shqip në këtë zone, nuk mund të trajtohet si një çështje administrative pa pasoja më të gjera shoqërore.
Ndërkohë, kryeministri vjen në Butel, dhe na tregon sa shkolla janë rinovuar. Shkëlqyeshëm. Por një shkollë nuk matet vetëm me muret, çatinë, palestrën apo pishinën. Një shkollë matet edhe me atë nëse fëmijës shqiptar i garantohet e drejta të mësojë në gjuhën e tij.
Çfarë vlere ka një shkollë e bukur, nëse brenda saj një komuniteti i ngushtohet hapësira për të mësuar në gjuhën e vet?
Kryeministri thotë se për dy vjet nuk mund të rregullohet ajo që është “shkatërruar për 35 vjet”. Mirë, por shqiptarët nuk po kërkojnë që për dy vjet të rregullohen 35 vjet probleme. Po kërkojnë që të mos shkatërrohet ajo që është fituar me dekada luftë politike, sakrificë dhe, në fund të fundit, edhe me Marrëveshjen e Ohrit.
Dhe këtu duhet të jemi shumë të qartë: Marrëveshja e Ohrit nuk është dekor ceremonial. Gjuha shqipe nuk është privilegj. Arsimi në gjuhën amtare nuk është favor politik.
Të drejtat e shqiptarëve nuk janë monedhë për pazare koalicioni. Prandaj është legjitime të shtrohet edhe pyetja më e rëndë: A po shohim një politikë të koordinuar që, hap pas hapi, synon ta dobësojë praninë institucionale dhe arsimore të shqiptarëve në zona të caktuara të Shkupit?
Nuk po themi se kemi prova për një “plan sekret”, por zhvillimet janë aq serioze saqë institucionet duhet të japin përgjigje, jo të fshihen pas statistikave për tekste falas dhe rikonstruksione.
Ndërkohë që njëra dorë tregon shkollat e rinovuara, tjetra nuk mund të mbyllë paralele në shqip dhe pastaj të presë që shqiptarët të heshtin. Dhe këtu përgjegjësia bie edhe mbi politikën shqiptare.
Nëse partitë shqiptare në pushtet vazhdojnë të heshtin, atëherë duhet të kuptojnë se kjo heshtje nesër mund të lexohet si bashkëpërgjegjësi, sepse qytetarët kanë të drejtë të pyesin:
A po bëhen pazare politike në kurriz të të drejtave të shqiptarëve? Dhe nëse nuk ka pazare, atëherë le ta dëshmojnë.
Le të dalin. Le të flasin. Le të kërkojnë dokumentet. Le të kërkojnë shpjegime. Le ta mbrojnë publikisht çdo paralele në gjuhën shqipe që plotëson kushtet ligjore.
Për shkak se nëse sot heshtet për Butelin, nesër askush nuk mund të pretendojë se nuk e kishte parë se çfarë po ndodhte.
Kemi parë raste të ndryshme në vend ku balancat politike dhe demografike kanë ndryshuar. Kemi parë zhvillime që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha te shqiptarët. Dhe tani jemi te Buteli.
Prandaj pyetja nuk është më “pse erdhi Mickoski në Butel?”
Pyetja është: Çfarë mesazhi po jepet nga zgjedhja e Butelit pikërisht në këtë moment?
Nëse është thjesht një vizitë për fillimin e vitit shkollor, atëherë kryeministri duhet ta shfrytëzojë rastin dhe të flasë qartë për problemin e arsimit në gjuhën shqipe. Nëse nuk është e tillë, atëherë shqiptarët kanë të drejtë të dyshojnë.
Dhe politika shqiptare duhet të jetë aty për të kërkuar përgjigje.
Jo për të heshtur e për të arsyetuar. Jo për të bërë pazare nëpër korridore, por për të mbrojtur të drejtat që janë fituar me aq shumë sacrifice, sepse historia na ka mësuar një gjë:
Kur padrejtësitë grumbullohen, kur institucionet heshtin dhe kur një komunitet fillon të ndiejë se të drejtat e tij po tkurren hap pas hapi, tensioni shoqëror rritet.
Dhe askush nuk duhet të lejojë që Maqedonia e Veriut të kthehet në një spirale të tillë. 2001-shi nuk duhet të përsëritet. Por pikërisht për këtë arsye duhet të kujtojmë edhe pse erdhi deri te ai konflikt.
Jo për të kërcënuar. Jo për të nxitur tensione… Por për të kuptuar se paqja mbahet duke respektuar të drejtat, jo duke i relativizuar ato.
Sot është momenti që politika shqiptare të zgjohet. Të unifikohet. Të kërkojë përgjegjësi. Të kërkojë transparencë.
Dhe mbi të gjitha, të mos lejojë që e drejta për arsim në gjuhën shqipe të shndërrohet në një çështje që negociohet sipas interesave ditore të koalicioneve, sepse Buteli nuk është thjesht një shkollë.
Buteli është test. Test për kryeministrin. Test për institucionet. Dhe, mbi të gjitha, test për politikën shqiptare. Dhe nëse politika shqiptare dështon edhe këtë herë, historia do ta mbajë shënim.
Heshtja përballë padrejtësisë nuk është neutralitet. Në politikë, shumë shpesh, heshtja është bashkëpërgjegjësi.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.