Punëtorët e NPK Tetova 3 muaj pa rroga dhe 14 muaj pa sigurim shëndetësor, sot vendosën mos të dalin në punë 

Në shenjë revolte se nuk kanë marrë tre rroga dhe se nuk u janë paguar kontributet për 14 muaj, rreth njëzet punëtorë nga Njësia Parqe dhe Gjelbërime të Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” sot vendosën të mos punojnë, shkruan Portalb.mk.  Të punësuarit thonë se nuk kanë marrë rrogën e muajit dhjetor 2023, janar 2025 dhe shkurt […]

Mars 19, 2025 - 20:00
 0  3
Punëtorët e NPK Tetova 3 muaj pa rroga dhe 14 muaj pa sigurim shëndetësor, sot vendosën mos të dalin në punë 
Punëtorët e NPK Tetova 3 muaj pa rroga dhe 14 pa sigurim shëndetësor, sot (19.03.2024) vendosën mos të dalin në punë. Foto: Portalb.mk

Në shenjë revolte se nuk kanë marrë tre rroga dhe se nuk u janë paguar kontributet për 14 muaj, rreth njëzet punëtorë nga Njësia Parqe dhe Gjelbërime të Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” sot vendosën të mos punojnë, shkruan Portalb.mk. 

Të punësuarit thonë se nuk kanë marrë rrogën e muajit dhjetor 2023, janar 2025 dhe shkurt 2025.

Situata më e rënduar për ata është sepse nuk u janë paguar kontributet për 14 muaj, janë pa sigurim shëndetësor, ndërsa për shkak të kësaj nuk mund të marrin shërbime në spital. 

“Sigurim shëndetësor ne nuk kemi afër 14 muaj, ashtu i bie. Prej në dhjetor të 23-shit, deri dhjetor të 24-tës. Vetëm dhjetorin e 24-tës e ka paguar. Domethënë 11 andej, edhe tre këndej, 14 muaj nuk kemi sigurim shëndetësor… Domethënë krejt jemi mbi 50 vjeç, krejt jemi me barna, e gjoja, nuk dimë kujt t’i kthehemi”, tha një i punësuar. 

Ata kërkojnë rrogat dhe të drejtat që u takojnë, asgjë më shumë. 

“Nuk na janë paguar tre rroga, kontribute për 12-24 muaj, nuk kërkojmë asgjë përveç asaj që na takon. Përballemi me sëmundje, nuk kemi sigurim shëndetësor, vërtet është problem. Kërkojmë të zgjidhet situata jonë”, tha një tjetër i punësuar. 

Ata thonë se pavarësisht se kanë pasur premtime nga autoritetet komunale se deri në janar do të ketë zgjidhje kjo nuk ka ndodhur ende.

Për këtë rast kanë reaguar edhe nga BDI dega e Tetovës, sipas tyre kjo nuk është vetëm papërgjegjësi por është skandal që tregon dështimin e plotë të menaxhimit komunal dhe neglizhencën e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

“Kryetari Bilall Kasami dhe administrata e tij nuk mund të fshihen pas justifikimeve boshe. Kjo situatë është pasojë e një keqmenaxhimi të vazhdueshëm dhe një mungese totale të llogaridhënies. Në vend që të zgjidhin krizën, ata kanë lënë punëtorët dhe familjet e tyre në mëshirë të fatit. Kërkojmë përgjegjësi”, thanë nga BDI Tetovë.

Nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb-it për këtë problem, ndërsa përmes një deklarate për media kanë njoftuar se punëtorët do t’i marrin rrogat deri në fund të javës. 

Përndryshe, më 11 dhjetor 2024 Këshilli Komunal miratoi vendim që të mbulojë harxhimet dhe humbjet e NPK-së në vlerë prej rreth 60 milionë denarë, të cilat pritej të destinoheshin për pagat e punëtorëve të cilët kanë vonesa prej disa muajve.

Nga opozita aso kohe thanë se ky veprim ngre dyshime për keqpërdorime dhe nuk e përkrahën të njëjtën duke e braktisur seancën. 

Komuna e Tetovës edhe në të kaluarën e ka subvencionuar NPK-në me miliona denarë, ndërkaq opozita edhe atëherë e ka braktisur seancën.