Kuvendi zgjodhi për anëtar të Këshillit të Prokurorëve Publik bashkëpartiakun e Izet Mexhitit, Ardian Demirin
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot me 49 vota pro, 4 kundër dhe pa abstenim zgjodhi Ardian Demirin për anëtar të Këshillit të prokurorëve publikë, transmeton Portalb.mk. Demiri përndryshe është funksionar partiak i VLEN-it, ndërsa vetë Izet Mexhiti më parë e ka prezantuar në rrjetet sociale si koordinator të partisë në Strugë. Demiri dhe Mexhiti […]
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot me 49 vota pro, 4 kundër dhe pa abstenim zgjodhi Ardian Demirin për anëtar të Këshillit të prokurorëve publikë, transmeton Portalb.mk.
Demiri përndryshe është funksionar partiak i VLEN-it, ndërsa vetë Izet Mexhiti më parë e ka prezantuar në rrjetet sociale si koordinator të partisë në Strugë. Demiri dhe Mexhiti kanë një sërë fotosh së bashku. Dy javë para se Mexhiti të zgjidhej zëvendëskryeministër dhe ministër, më 13 qershor ishte fotografuar me Demirin në një ngjarje partiake
Demiri, 50-vjeçar, ka shkruar në biografinë e tij se ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004. Ka punuar si përkthyes, bashkëpunëtor dhe këshilltar për çështje juridike në Komunën e Strugës. Ka kaluar provimin e jurisprudencës dhe është bërë avokat.
Në biografinë e tij, Demiri ka veçuar daljet e tij televizive në debate, ku ka qenë bashkëbisedues për temat e drejtësisë. Ai ishte edhe aktivist civil.
Ky propozim vjen në kohën e njoftimeve të qeverisë se po fillon një spastrim të prokurorëve dhe gjyqtarëve të afërt me pushtetin e kaluar.
Kujtojmë se me 8 nëntor fillimisht u tërhoq propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë që Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime e kishte dorëzuar në Kuvend më 5 nëntor.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) reagoi atëkohë se Ardian Demiri, duke u bërë thirrje deputetëve që të mos të pranojë partizim në Këshillin e Prokurorëve.
Ata theksuan se kjo është një tentativë për partizim brutal të gjyqësorit dhe Prokurorisë përmes ndërhyrjeve partiake në Këshillin e Prokurorëve.
Si dëshmi e afërsisë mes Ardian Demirit dhe Izet Mexhitit, BDI-ja publikoi foto të tyre së bashku.
Sipas Ligjit për prokurorët publikë, anëtarë të Këshillit të Prokurorëve zgjidhen profesorë universitarë të drejtësisë, avokatë, ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarë ndërkombëtarë dhe juristë të tjerë të dalluar.
Kuvendi para dy muajsh publikoi shpalljen për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë nga radhët e komuniteteve etnike.