Tragjedia në Koçan, reagime të ashpra për PR-et e politikanëve që vizituan të plagosurit në prani të kamerave

Ortek reagimesh në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut shkaktuan vizitat e politikanëve në dhomat e spitaleve ku po trajtohen të lënduarit rëndë nga zjarri në diskotekën e Koçanit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i shoqëruar nga një turmë gazetarësh dhe kamerash, hyri në hapësirat e spitalit dhe nxiti revoltën e qytetarëve të cilët i thanë se […]

Mars 19, 2025 - 20:00
 0  2
Tragjedia në Koçan, reagime të ashpra për PR-et e politikanëve që vizituan të plagosurit në prani të kamerave
Vuçiq gjatë vizitës së të mbijetuarve nga zjarri në Koçan të cilët janë të hospitalizuar në Serbi. Foto nga profili i Vuçiqit në Facebook

Ortek reagimesh në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut shkaktuan vizitat e politikanëve në dhomat e spitaleve ku po trajtohen të lënduarit rëndë nga zjarri në diskotekën e Koçanit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i shoqëruar nga një turmë gazetarësh dhe kamerash, hyri në hapësirat e spitalit dhe nxiti revoltën e qytetarëve të cilët i thanë se të plagosurit nga Maqedonia kishin ardhur në Beograd për mjekim, jo ​​për PR në shpinën e kësaj tragjedie, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Përfaqësues të qeverisë së RMV-së këto ditë kanë vizituar të lënduarit në Shkup, Koçan dhe Selanik. Por, kryeministri Hristijan Mickoski tha se “qëllimi nuk është të bëjmë PR, por të dalim para jush, të mos fshihemi dhe të flasim hapur për gjithçka me të cilën po përballemi”.

PR edhe në momente trishtimi

Fëmijët e plagosur rëndë, me fasha në fytyrë dhe trup, qëndrojnë shtrirë në shtretërit e spitalit. Rreth tyre, personeli mjekësor me maska ​​po monitoron me vigjilencë gjendjen e tyre shëndetësore. Vetëm pak hapa nga shtrati i spitalit, dhjetëra gazetarë dhe kamerat e tyre janë drejtuar drejt politikanëve që janë nisur për një xhiro nëpër dhomat e spitalit, ku po trajtohen të lënduarit rëndë nga zjarri katastrofik në diskotekën e Koçanit. Foto të tilla kanë dalë në profilet e rrjeteve sociale të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka vizituar të plagosurit nga Maqedonia, të cilët kanë shkuar për mjekim në Beograd.

Derisa disa janë mirënjohës për dorën e zgjatur dhe ndihmën mjekësore, të tjerë e kanë sulmuar ashpër PR-in e Vuçiqit, i cili solli dhjetëra gazetarë, fotoreporterë dhe kameramanë në një nga dhomat me të rinj të plagosur rëndë. “Turp për ty Vuçiq! Nuk ke asnjë grimcë dinjiteti! Ku e ke të drejtën që për hir të vetëpromovimit të fotografosh njerëz, të sëmurë me fashë! Turp për ty dhe gjithë rrethin tënd!;Të lënduarit i kemi dërguar të mjekoni, jo të bëni PR”, kanë reaguar qytetarët në rrjetet sociale si në Maqedoni ashtu edhe në Serbi.

Vuçiq gjatë vizitës së të mbijetuarve nga zjarri në Koçan të cilët janë të hospitalizuar në Serbi. Foto nga profili i Vuçiqit në Facebook
Vuçiq gjatë vizitës së të mbijetuarve nga zjarri në Koçan të cilët janë të hospitalizuar në Serbi. Foto nga profili i Vuçiqit në Facebook

“Kam ndjekur protokollet”

Një ditë më vonë kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski njoftoi se ka vizituar pacientët e lënduar nga zjarri në Koçan, të cilët janë të shtruar në spitalin e Shkupit. Edhe dje edhe sot kam vizituar pacientët e lënduar nga zjarri në klubin ‘Puls’ në Koçan”, tha Mickoski për gazetarët.

I pyetur se me çfarë protokolle lejohet kjo dhe a ka pasoja për shëndetin e pacientëve, duke qenë se nuk lejohen as vizitat familjare, ai është përgjigjur se ka respektuar të gjitha protokollet e kërkuara nga stafi mjekësor dhe mjekët.

“Nuk do të shihni fytyrë, as nuk do të dëgjoni apo lexoni emrin e një pacienti që e kam vizituar. Do t’i shikoni të gjitha fotografitë, do të shihni se si kam hyrë”, tha Mickoski para spitalit “8 Shtatori”.

Shërbimi qeveritar publikoi foto nga vizita e fundit në rrjetet sociale dhe në profilin e qeverisë, por edhe të kryeministrit Mickoski, por vetëm nga takimet me personelin mjekësor në korridoret e spitalit.

Mickoski të hënën ka vizituar të lënduarit nga zjarri tragjik në Koçan dhe ka marrë pjesë në mbledhjen e shtabit të krizës në Ministrinë e Shëndetësisë. Në atë kohë në rrjetet sociale u postuan foto nga vizita në dhomat e spitalit.

“Kemi qenë të kujdesshëm se çfarë fotosh postonim”

Mickoski tha se “ka nga ata që kanë hyrë me kamera e të ngjashme”, por se nuk ka hyrë askund me kamera dhe nuk ka ndërmend të bëjë PR nga e gjithë kjo.

“Fotografitë janë prapa, nuk ka asnjë fytyrë, i kemi përzgjedhur me shumë kujdes fotot që të mos ketë asnjë fytyrë, këtë nuk po e bëj për PR, por po e bëj që të dal para jush që të mos fshihem dhe të flas hapur për gjithçka me të cilën po përballemi”, tha Mickoski.

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Shëndetësisë Arben Taravari/ Foto: Nga facebook-u i kryeministrit
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Shëndetësisë Arben Taravari/ Foto: Nga facebook-u i kryeministrit

Por, nëse ky është problem, unë jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi, shtoi kryeministri. Ai beson se detyra e tij është që përmes mediave t’u adresojë qytetarëve mesazhe të rëndësishme. “Ky është qëllimi im,” përsëriti Mickoski.

Ai iu drejtua disa gazetarëve me fjalët: “Ju nuk duhet të publikoni asgjë nga unë, nuk duhet të publikoni një foto të vetme, një status të vetëm. Por ju më lini të bëj punën time”.

Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.