Putinistët në Shkup presin forcimin e ndikimit rus në Ballkan !!

Shkruan: Naser SELMANI Shfaqja publike e mospajtimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë mes kryetarit amerikan Donalld Tramp dhe kryetarit të Ukrainës Vollodimir Zelenski ka nxitur një reagim të fortë në mediat në gjuhën maqedone. Gazetarë, redaktorë, opinionist, analistë, profesorë dhe ish diplomatë, në mënyrë të hapur kanë promovuar narracione të dala nga kuzhina propagandistike […]

Mars 8, 2025 - 01:00
 0  11
Putinistët në Shkup presin forcimin e ndikimit rus në Ballkan !!

Shkruan: Naser SELMANI

Shfaqja publike e mospajtimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë mes kryetarit amerikan Donalld Tramp dhe kryetarit të Ukrainës Vollodimir Zelenski ka nxitur një reagim të fortë në mediat në gjuhën maqedone. Gazetarë, redaktorë, opinionist, analistë, profesorë dhe ish diplomatë, në mënyrë të hapur kanë promovuar narracione të dala nga kuzhina propagandistike ruse. Për të maskuar këtë qasje tendencioze, përdorin kryetarin Tramp, që ka manifestuar një qëndrim ndryshe ndaj Rusisë.

Narracioni i parë që përdorin simpatizantët e Putinit në Maqedoninë e Veriut është se Rusia fitoi luftën në Ukrainë, përkundër të gjitha fakteve, që dëshmojnë të kundërtën. Të gjithë këta njerëz që marrin pjesë aktive në krijimin e opinionin publik për çështje të ndryshme në vend, sikur harrojnë të përkujtojnë, se Putin, nisi agresionin e paprovokuar kundër Ukrainës, me arsyetimin e rremë, se dëshiron të de-nazifikojë vendin dhe të shkatërrojë ushtrinë naziste ukrainase, e cila qenkësh kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Rusisë.

Pas tre vitesh pushtimi në shkallë të gjerë, Moska ende nuk arrin të mposhtë Ukrainën dhe ushtrinë ukrainase. Putini dështoi të pushtojë vendin dhe të instalojë një qeveri kukull në Kiev, që do ju shërbente interesave ruse.

Për Rusinë, edhe më i paarritshëm është qëllimi për të shkatërruar ushtrinë ukrainase, e cila me sukses ka ndaluar përparimin e rusëve. Ato, si superfuqi që mbajnë veten, me javë e muaj dhe me përpjekje të jashtëzakonshme, mezi pushtojnë ndonjë fshat në Ukrainën Lindore duke paguar një çmim të lartë në ushtarë dhe pajisje ushtarake. Kjo tregon qartë se Rusia në betejë e ka humbur luftën dhe po përpiqet, në tavolinën e bisedimeve të shpëtojë fytyrën. Të negocioi armëpushim sepse ushtria ruse nuk ka fuqi për të vazhduar pushimin më tutje dhe të legalizojë plaçkën e luftës, 20 për qind të territorit ukrainas.

Megafonët e Putinit në median maqedone, vuajnë nga sindroma serbe, humbjet të festohen si fitore. Thonë se Ukraina nuk do të bëhet anëtare e NATO-s. Ndoshta edhe nuk bëhet, por pa garanci për sigurinë e Ukrainës, askush në Kiev nuk do nënshkruaj armëpushimin me Putinin.

Këta rusofilë shkojnë aq larg sa ëndërrojnë syhapur dhe thonë se po përgatitet Jalta 2, ku SHBA dhe Rusia do të ndajnë sferat e interesit në Evropë. Propaganda flet për dëshira, injoron faktet. Nëse flasin për Jaltën 2, atëherë bëjnë mirë të na përkujtojnë realitetin e vitit 1945, kur u mbajt takimi i treshes fitimtare nga Lufta e Dytë botërore, SHBA, Rusisë dhe Anglisë. Gjermania kapitulloi, ushtria sovjetike kishte mbërritur në Berlin dhe pushtoi të gjitha vendet e Evropës Lindore, nga Polonia deri në Bullgari. Realiteti i sotëm është krejtësisht tjetër, ushtria ruse për tre vite është ngatërruar në baltën e Ukrainës Lindore, e jo më të pretendojë të rikthejë ndikimin në vendet e Evropës Lindore, të gjitha anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Tjetër narracion që përdorin rusofilët në median maqedone, është se Ukraina dhe Bashkimi Evropian qenkan kundër paqes. Sipas kësaj logjike të çoroditur, Zelenski dhe Brukseli qenkësh për vazhdimin e luftës, të humbjes së jetëve të njerëzve, vuajtjeve dhe shkatërrimit. Faktet flasin ndryshe. Ato kërkojnë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme sepse do të ishte e pandershme që Ukraina të detyrohet të bëjë koncesione territoriale ndaj Rusisë dhe ti vejë në shërbim të SHBA mineralet e rralla, pa garanci sigurie. Dikush duhet të garantojë se Putin, nesër, pasi ta merr veten, nuk do të nisë një  inkursion të ri kundër Ukrainës apo ndonjë vendi tjetër me arsyetime të rreme.

Dhe narracioni më i mërzitshëm që kanë përdorur tellallët e Rusisë në Shkup është se BE qenkësh joparimore ndaj Maqedonisë së Veriut. Për parime mund të flasin vetëm ata që kanë dhe respektojnë parimet. Nuk mund të flasin për parime kur vendi tyre nga Freedom House vlerësohet si demokraci hibride, me korrupsion deri në fyt dhe pa sundim të ligjit.

Mos durimi i mediave maqedone kundër BE-së dyshojë të jetë insistimi i Brukselit për të përfshirë bullgarët në Kushtetutë, sepse kjo vetëmvërteton ekzistencën e popullit maqedon. Halli i eksponentëve të establishmentit maqedon janë standardet e BE-së, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Janë kundër shtetit të drejtës sepse nuk duan sistem, që trajton njësoj të gjithë qytetarët  sepse ende besojnë se maqedonët duhet të jenë më të barabartë se të tjerët. Dhe nuk duan të luftojnë krimin sepse korrupsioni është shndërruar në sistem qeverisje për kontrollin e njerëzve, si në kohën e komunizmit.

Nënteksti i zhurmës mediatike për takimin Tramp-Zelenski nuk është shqetësim për paqen në Ukrainë dhe Evropë, por interesim për rritjen e ndikimit rus në Ballkan, i cili do ta privilegjonte Serbinë për të dëmtuar interesin shqiptar në rajon. Të besosh se me marrëveshjen për armëpushim në Ukrainë do të forcohet ndikimi i Putinit në Evropën Juglindore, është naivitet sepse në histori pengimin e Rusisë për të dalë në ujëra të ngrohta, nuk e kanë bërë SHBA, por shtetet evropiane. Ishte Anglia ajo që pengoi marrjen e Stambollit nga aleatet ballkanik të Rusisë në luftën e Parë ballkanike. Po ashtu ishin fuqitë evropiane, që në Kongresin e Berlinit anuluan marrëveshjen e Shën Stefanit, me të cilën Rusia forcoi pozitat e saj në Ballkan.

Edhe sikur të realizohen parashikimet e konspiracionit për tërheqjen amerikane nga Evropa, gjë që ka shumë pak gjasa për të ndodhur, Serbia më nuk mund të dëmtojë Kosovën e shqiptarët. Shqiptarët në Ballkan tashmë janë kafshatë që nuk kapërdihen lehtë.  Opsioni i ndërhyrjes ushtarake serbe në Kosovë është thuajse i pamundur, por kjo nuk do të thotë që Kosova dhe Shqipëria duhet ta përjashtojnë këtë skenarë dhe duhet të përgatiten.