Qendra rekreativo-sportive në Kumanovë e cila u promovua si e gjithë qytetarëve, sot është nën dry e privatizuar

U promovua si kompleks rekreativo- sportiv, me terrene tenisi, tri fusha futbolli, fushë basketbolli, kënd lojërash për fëmijë, shtigje vrapimi dhe pajisje për ushtrime, por sot ky kompleks në lokacionin “Përmendorja Kosturnica” në Kumanovë lë shumë për të dëshiruar. Madje fusha e futbollit nuk është e hapur dhe e qasshme për të gjithë qytetarët, siç […]

Mars 2, 2025 - 12:00
 0  4
Qendra rekreativo-sportive në Kumanovë e cila u promovua si e gjithë qytetarëve, sot është nën dry e privatizuar
Qendra rekreativo sportive te Memoriali Kosturnica- Kumanovë. Foto: Portalb.mk

U promovua si kompleks rekreativo- sportiv, me terrene tenisi, tri fusha futbolli, fushë basketbolli, kënd lojërash për fëmijë, shtigje vrapimi dhe pajisje për ushtrime, por sot ky kompleks në lokacionin “Përmendorja Kosturnica” në Kumanovë lë shumë për të dëshiruar. Madje fusha e futbollit nuk është e hapur dhe e qasshme për të gjithë qytetarët, siç ishin zotuar autoritetet lokale, por mbahet nën dry, shkruan Portalb.mk.

“Do të vazhdojmë të rrisim kapacitetet sportive dhe të krijojmë mundësi më të mëdha për qytetarët tanë për t’u argëtuar dhe për të bërë sport”, deklaroi para katër viteve kryetari aktual i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Por, sot katër vite më vonë, pamjet nga ky kompleks rekreativo sportiv thonë diçka tjetër.

Në redaksinë tonë lexues të Portalb-it kanë reaguar se fusha e futbollit kohëve të fundit është e mbyllur nën dry dhe jo e hapur për qytetarët, siç ishin zotuar pushteti aktual lokal.

Pas adresimit të problemit deri te Komuna e Kumanovës, nga aty na informuan se fusha e futbollit nga fundi i vitit 2023 nuk është nën menaxhimin e komunës.

“Terreni sportiv – fusha e hapur sportive në Monumentin e Kosturnicës, në pronësi të Komunës së Kumanovës, i është dhënë me qira personit juridik përmes ankandit publik elektronik. Ankandi publik është mbajtur më 6 dhjetor 2023, pas së cilës është lidhur kontrata me ofertuesin më të volitshëm, për një periudhë pesëvjeçare. Prandaj, komuna e Kumanovës aktualisht nuk ka asnjë autoritet mbi fushën e sportit – fushë e hapur sportive në Monumentin e Kosturnicës”, thanë për Portalb.mk nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Komunës së Kumanovës.

Kjo vërtetohet edhe nga mbishkrimi në terrenin e futbollit që do duhej të ishte i hapur për të gjithë qytetarët: “Ndalohet hyrja! Terren privat!”.

Për këshilltarin komunal nga BDI Fitor Jakupin akti i komunës për t’ia dhënë dikujt tjetër hapësirën rekreative, me të cilën është krenuar si objekt për të mirën e të gjithë qytetarëve, është e patolerueshme dhe aspak e arsyeshme. Ai thotë se komuna duhet t’i mirëmbajë vetë qendrat rekreativo sportive dhe të mundësojë që të njëjtat të jenë të qasshme për të gjithë qytetarët.

“Komuna ka rregulluar një hapësirë rekreacioni me qëllim që qytetarët të kenë hapësirë për argëtim dhe rekreacion sportiv, por në anën tjetër përmes një ankandi ia kanë dhënë në shërbim një klubi futbollistik. Është e patolerueshme, aspak e arsyeshme, për shkak se hapësira iu është referuar qytetareve për nevojat e tyre sportive dhe argëtuese, dhe e njëjta do duhej të ishte e hapur për të gjithë qytetarët, për atë qëllim edhe është ndërtuar, së paku ashtu janë prononcuar publikisht. Komuna nuk duhet të jetë përfituese e hapësirave që janë ndërtuar për të mirën e përgjithshme, për të mirën e gjithë qytetarëve. Kësi soji, ajo i shërben vetëm një personi juridik”, tha për Portalb.mk Jakupi.

I pakuptimtë, por edhe i padrejtë veprimi i komunës është edhe për gazetarin sportiv nga Kumanova, Reshat Ibrahimin.

“Edhe pse Kumanova është një qytet i madh, dhe me klube të shumta sportive, ku dominojnë shkollat e futbollit me fëmijë të shumtë, mungojnë qendra dhe terrene sportive për qytetarët e saj. Për mendimin tim, terrenet sportive mungojnë sepse te komuna dhe kryetari i saj mungon vullneti dhe dëshira për të investuar në sport dhe terrene sportive. Kryetari është përqendruar vetëm në politikë duke harruar investimet në infrastrukturën sportive. T’ju kujtojë vetëm gjendjen e mjerueshme të stadiumit të qytetit i cili është shumë pranë objektit të komunës dhe kryetari nuk e sheh të rrugës që të rinvojë stadiumin e vjetër, duke i lënë në mëshirë disa trajnerë të disa shkollave ta mirëmbajnë stadiumin. Edhe ato pak investime që i ka bërë komuna, janë bërë në pjesën maqedonase. Edhe kjo qendra që duhet të jetë e hapur për qytetarët t’i jepet një personi juridik ose ta shfrytëzojë vetëm një klub sportiv është e patolerueshme, e pakuptimtë dhe e padrejtë. Qëllimi nuk po dihet!”, tha për Portalb.mk gazetari Ibrahimi.

Kujtojmë se qytetarët e Kumanovës nuk gëzojnë “Stadium të qytetit” 100 përqind funksional. Për të njëjtin janë bërë shumë premtime, por gjendja në terren mbetet e pandryshuar. Në vitin 2019 kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski deklaroi se do të kërkojë ndihmë nga investitorë privatë për të rregulluar gjendjen e stadiumit. Në vitin 2021 Dimitrievski tha se duhen rreth 300 mijë euro vetëm për prishjen e stendeve ekzistuese dhe se kanë kërkuar fonde nga Agjencia për Rini dhe Sport. Ndërkaq në shtator 2024 Komuna e Kumanovës theksoi se kanë filluar me përgatitjen e projektit për rikonstruimin e stadiumit të qytetit.