Fetai takoi delegacionin malazias për interkulturalizëm
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, priti sot në një takim pune, Ljudmila Popoviç, drejtoreshë e Drejtorisë për Interkulturalizëm pranë Ministrisë për të Drejtat e Pakicave të Malit të Zi, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, Arben Xhureta, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e […]

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për politikat e
qeverisjes së mirë, Arben Fetai, priti sot në një takim pune, Ljudmila Popoviç,
drejtoreshë e Drejtorisë për Interkulturalizëm pranë Ministrisë për të Drejtat e Pakicave
të Malit të Zi, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, Arben Xhureta, drejtor i Drejtorisë
për Mbrojtjen e Pakicave dhe z. Kristian Dukaj, këshilltar i pavarur për çështje të
interkulturalizmit.
Në takim u diskutua rëndësia e zhvillimit të mëtejshëm të konceptit të interkulturalizmit
si bazë për mbrojtjen e vlerave kulturore të komuniteteve, garantimin e mirëqenies dhe
ndërtimin e paqes së qëndrueshme në shoqëritë tona.
Popoviç ndau përvojën e Malit të Zi në zhvillimin e politikave multikulturore, të cilat, siç
theksoi ajo, kanë qenë themeli i pavarësisë dhe i orientimit evropian të vendit. Ajo
theksoi nevojën për nisma të përbashkëta rajonale që promovojnë të drejtat dhe liritë e
pakicave, të mbështetura në vlera universale dhe standarde demokratike.
Ndërkohë, drejtori Xhureta u ndal në pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar
se përfaqësimi i tyre në institucionet shtetërore është përmirësuar ndjeshëm, me
pjesëmarrje me tri ministri dhe një pozitë të zëvendëskryeministrit.
Zëvendëskryeministri Fetai prezantoi prioritetet e kabinetit të tij, duke vënë theksin në
luftën kundër krimit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, forcimin e transparencës
institucionale dhe thellimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile. Ai shprehu mbështetje
për të gjitha nismat që promovojnë mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve, veçanërisht në
luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe promovimin e një diskursi publik gjithëpërfshirës.