VLEN: BDI e shkatërroi arsimin, këtë e vërtetoi revizioni
Revizorët e kryen punën e tyre. Enti Shtetëror i Revizionit hapi dosjen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe ajo që u zbulua nuk befason më askënd: kaos, shkelje të ligjit, abuzim me buxhetin dhe partizim politik deri në palcë, thonë nga Koalicioni VLEN. “Revizorët konfirmuan: Zeqirija Hasipi, i vendosur në krye të Byrosë nga […]

Revizorët e kryen punën e tyre. Enti Shtetëror i Revizionit hapi dosjen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe ajo që u zbulua nuk befason më askënd: kaos, shkelje të ligjit, abuzim me buxhetin dhe partizim politik deri në palcë, thonë nga Koalicioni VLEN.
“Revizorët konfirmuan: Zeqirija Hasipi, i vendosur në krye të Byrosë nga Ministria e Arsimit gjatë kohës kur ajo drejtohej nga kuadri i BDI-së, Jeton Shaqiri, ka qëndruar në atë post për më shumë se 5 vite. Pa shpallje publike, pa transparencë, pa turp.
Çfarë tregon raporti për vitin 2023?
Byroja është drejtuar nga dy persona pa mandat të rregullt – në kundërshtim të plotë me ligjin. Pagesat për bashkëpunëtorët e jashtëm janë bërë pa kritere të qarta dhe pa kontroll. Nuk ka pasur mjete për trajnimin e mësimdhënësve, por gjithmonë ka pasur para për punësime partiake. Nga shtatë rekomandimet e raportit të kaluar – janë realizuar vetëm dy.
Të tjerat? Janë lënë pas dore – ashtu siç është lënë pas dore nxënësi dhe e ardhmja e tij.
Kuadrot e BDI-së nuk ishin thjesht funksionarë të emëruar politikisht – ata u shndërruan në simbol të një shteti të kriminalizuar, të një sistemi arsimor të degraduar në shtab partie. Aty nuk numëroheshin programe mësimore, por vota. Nuk investohej në fëmijë, por në klientelizëm.
Shqiptarët i kujtojnë mirë përkthimet e turpshme të projektit “1000 libra” të Gruevskit dhe fëmijët shqiptarë të Velesit që për vite me radhë mbetën pa mësim në gjuhën amtare. Politika e BDI-së është e qartë, të përdorë shqiptarët si mburojë për krimet e saj”, thonë nga VLEN.
Tani që janë në opozitë, shtojnë nga atje, kur opinioni publik çdo ditë më shumë njihet me mëkatet e tyre, BDI nuk tregon asnjë kapacitet demokratik për të përballuar përgjegjësinë. Përkundrazi, kërkon shpëtim përmes përpjekjeve për të shkaktuar krizë politike. Shantazhi i tyre do të jetë – do t’i bojkotojmë zgjedhjet lokale nëse nuk shpallen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. E gjithë kjo s’ka të bëjë fare me pretendimet e tyre të rreme për “rrezikimin e të drejtave të shqiptarëve”, por lidhet drejtpërdrejt me interesat e tyre të ngushta partiake.