Qeveria do ta ndërpresë procedurën për shkarkimin e Kocevskit, edhe Këshilli i Prokurorëve e shtyu seancën për këtë çështje

Qeveria do ta ndërpresë procedurën për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski edhe nëse merr mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë lidhur me propozimin për shkarkim. Kjo, siç ka sqaruar zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva në konferencën e sotme për media, do të thotë se edhe nëse e merr mendimin nga Këshilli i […]

Mars 26, 2025 - 19:00
 0  6
Qeveria do ta ndërpresë procedurën për shkarkimin e Kocevskit, edhe Këshilli i Prokurorëve e shtyu seancën për këtë çështje
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Meta.mk

Qeveria do ta ndërpresë procedurën për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski edhe nëse merr mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë lidhur me propozimin për shkarkim. Kjo, siç ka sqaruar zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva në konferencën e sotme për media, do të thotë se edhe nëse e merr mendimin nga Këshilli i PP-së, Qeveria nuk do ta dërgojë atë në Kuvend për vendimmarrje të mëtutjeshme, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e ndërpret procedurën që i referohet pjesës që Qeveria, pas marrjes së mendimit nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, duhet të dërgojë një mendim të tillë në Kuvend. Në këtë kontekst, dua të sqaroj se edhe nëse Qeveria merr një mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, do ta ndërpresë procedurën, domethënë nuk do ta dërgojë atë në Kuvend”, tha Miteva.

Në këtë kuptim, zëdhënësja e qeverisë shtoi se Këshilli i Prokurorëve Publikë do të veprojë sipas afateve.

Këshilli i Prokurorëve Publikë duhej të mbante sot seancë për të shqyrtuar propozimin e Qeverisë për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski. Mbledhja nuk u mbajt sepse nuk kishte kuorum. Seanca me këtë pikë të rendit të ditës fillimisht ishte caktuar për 18 mars, por u shty për shkak të tragjedisë në Koçan ku humbën jetën 59 persona.

Kjo shtyrje siç raportohet u bë për shkak të mungesës së kuorumit. Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk e mbajti sot seancën. E caktuar për në orën 10:30, seanca as që filloi. Karriget në sallën ku është udhëheq Këshilli mbetën të zbrazëta, pasi nuk ishte paraqitur asnjë nga anëtarët. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit njoftoi gazetarët që prisnin brenda se nuk do të ketë seancë për mungesë kuorumi

Kryetarja e Këshillit, Dushica Dimitrieska, përmes një deklarate për gazetarët, por pa kamera, informoi për rrethanat. Ajo ka konfirmuar se nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës dhe duke iu përgjigjur pyetjeve ka thënë se kanë munguar tre anëtarë, por nuk ka treguar se cilët.

Siç tha ajo, mungesën e tyre e kanë arsyetuar pjesërisht me shëndetin dhe pjesërisht me rrethanat familjare që i kanë penguar të vijnë sot.

Për përkujtim, Këshilli i Prokurorëve Publikë ka gjithsej 10 anëtarë, duke përfshirë edhe prokurorin publik të shtetit, i cili është anëtar sipas detyrës zyrtare. Por, në seancën ku shqyrtohet propozimi për shkarkimin e tij, ai sipas ligjit nuk merr pjesë në diskutim.

Nga ana tjetër, Dimitrieska tha se ka bërë të gjitha përpjekjet që seanca të mbahet. Kur do të riplanifikohet, duke qenë se afatet po “vjen”, kryetarja tha se publiku dhe gazetarët do të njoftohen përmes një deklarate të postuar në faqen e tyre të internetit.

Ndryshe, seanca me këtë pikë të rendit të ditës fillimisht ishte caktuar për 18 mars, por u shty për shkak të tragjedisë në Koçan ku humbën jetën 59 persona.

Rastësisht apo jo, shtyrja e sotme erdhi pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, në të cilën njoftoi se do të ndërpritet procedura për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit.

Kryeministri tha se procedura për shkarkimin e Kocevskit, e cila është iniciuar nga Qeveria në shkurt, duhet të mbetet në fazën në të cilën është aktualisht, për shkak të hetimit të tragjedisë në Koçan, për të cilën po punon ekipi prej 11 prokurorësh.

Siç tha ai, prokurorëve që punojnë në këtë rast “duhet t’u jepet shans të punojnë”. Ai po ashtu tha se puna e përbashkët e Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në kuadër të hetimeve për tragjedinë e Koçanit ka rezultuar me sigurimin e 34 personave.

Më herët, në një dalje televizive, kryeministri ka lavdëruar edhe Prokurorinë për përfshirjen e saj në hetimin e zjarrit në të ashtuquajturin klub kabare “Pulse” në Koçan, pavarësisht, siç tha ai, dallimeve që kanë pasur në periudhën e kaluar.

“Pavarësisht se kemi dallime të mëdha me punën e prokurorëve, këtë herë kanë treguar një mobilizim të madh, duhet ta them”, tha Mickoski.

I pyetur për këtë moment në lidhje me njoftimin për ndërprerjen e procedurës për shkarkimin e Kocevskit, kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik sot tha se nuk kanë pranuar asnjë shkresë nga Qeveria për njoftimin e një vendimi të tillë.

Ndryshe, procedurën për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski e ka iniciuar Qeveria në shkurt të këtij viti, pikërisht një vit pasi ai ka marrë këtë pozitë. Pas kalimit të seancës së qeverisë, propozimi për shkarkimin e Kocevskit mbërriti në Këshillin e Prokurorëve Publikë në fillim të marsit.

Propozimin për shkarkimin e tij Kocevski e ka marrë më 6 mars, dhjetë ditë para tragjedisë në Koçan. Në ndërkohë ai është dashur të vendosë për mocionin për shkarkim, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë është dashur të japë mendim brenda 15 ditëve.