Mungesë e kulturës në komunikimin politik, gjuhë banale dhe urrejtjeje mes grave politikane në RMV

Me zhvillimet e fundit në skenën politike të RMV-së, duket sikur gjuhës së thjeshtuar dhe shpesh banale i është dhënë hapësirë më e madhe, e kjo është bërë e dukshme në veçanti në komunikimin mes grave politikane. Po marrim si shembull dy incidentet që nuk pasqyrojnë figurën e gruas së mençur dhe të matur dhe […]

Mars 26, 2025 - 19:00
 0  7
Mungesë e kulturës në komunikimin politik, gjuhë banale dhe urrejtjeje mes grave politikane në RMV
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Foto nga Portalb.mk

Me zhvillimet e fundit në skenën politike të RMV-së, duket sikur gjuhës së thjeshtuar dhe shpesh banale i është dhënë hapësirë më e madhe, e kjo është bërë e dukshme në veçanti në komunikimin mes grave politikane. Po marrim si shembull dy incidentet që nuk pasqyrojnë figurën e gruas së mençur dhe të matur dhe lënë hapsirë për nxitje të urrjetjes më të madhe, shkruan Portalb.mk.

Gjegjësisht, i referohemi konfliktit të 27 shkurtit ku ministrja e financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në vend që t’i përgjigjej pyetjes së deputetes së LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, deklaroi se ajo nuk ka të drejtë të flasë për familjen dhe nënat, ndryshe nga vetë Dimitrieska-Koçoska, e cila është e martuar dhe ka dy djem. Ky fjalim, haptazi diskriminues nga një funksionare e lartë politike, sugjeron se gratë që nuk janë të martuara nuk kanë të drejtë fjale për çështje që lidhen me martesën dhe familjen, çka e bën atë një sulm të drejtpërdrejtë personal dhe krejtësisht të panevojshëm, pasi jeta private e një politikani apo funksionari nuk ka asnjë lidhje me përmbushjen e detyrave të tij shtetërore.

Debatet në Kuvend nuk janë biseda personale, por dialogje politike dhe profesionale.

Për të kuptuar se përse nxitja e gjuhës së urrejtjes mes grave po shndërrohet në fenomen shqetësues, iu drejtuam ekspertes së shkencave të komunikimit, Valdeta Kasapi.

“Duhet të rikujtojmë që familja nuk përkufizohet vetëm nga prindër që rrisin fëmijë. Familje quhet edhe ajo ku jetojnë vetëm prindër, ku ka vetëm motër e vëlla. Askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë tjetrit diskutimin mbi familjen dhe buxhetin familjar, pasi të gjithë jemi pjesë e buxhetit shtetëror, i cili përfiton nga kontributi i secilës familje.” tha ajo.

Postimi i Sarana Ademit
Postimi i Sarana Ademit

Rasti i dytë ka të bëjë me shefen e kabinetit të zv.kryeministrit të parë, Sarana Ademi, e cila publikoi një fotografi të paketimit të një supe me imazhin e një lope, duke shkruar:

“E shihni këtë lopë në supë? Origjinal i keni disa lopa të këtij lloji edhe në Kuvend.”

Ky postim, drejtuar indirekt deputeteve të opozitës, shkaktoi reagime të shumta, përfshirë një dënim nga BDI që e cilësoi si gjuhë denigruese ndaj deputeteve shqiptare. Edhe pse Ademi e fshiu postimin, veprimi i saj nuk është pa pasoja.

Kasapi thekson se ky është një ilustrim i nivelit të ulët të kulturës së komunikimit në shoqërinë tonë.

“Pa kulturën elementare të të folurit dhe komunikimit, njeriu nuk mund të realizojë nevojat e tij dhe të mbijetojë si qenie shoqërore,” thotë ajo.

Sipas saj, lënda e etikës dhe komunikologjisë duhet të jetë pjesë e edukimit që në shkollat fillore, duke ndihmuar në zhvillimin e kulturës së komunikimit në shoqëri.

Vlen të theksohet se në të dyja rastet kanë nxitur reagime, në të cilat po ashtu ka dominuar gjuha e urrejtjes pra, një kundërpërgjigje e hidhur ndaj asaj që u nis, gjë që është diçka për t’u pritur.

Ndërkaq, kur e pyetëm komunikologen se çfarë tregon e gjithë kjo situatë specifikisht për gratë, Kasapi citon Eleanor Roosevelt:

“Gratë, ashtu si burrat, duhet të përpiqen për të bërë të pamundurën. Dhe kur ato e bëjnë këtë, ndryshojnë historinë”, dhe e pyet veten: “Por ku jemi ne në këto rreshta? Kah po shkojmë si shoqëri? A jemi përpjekur për ta bërë të pamundurën? Ndryshimet janë tek pragu, por, sipas fotografisë që na paraqitet, ai prag duket si dru i kalbur. Nuk ka dyshim se kemi gra të afta që mbajnë pozita të larta politike, por asnjëra nuk po tregon gatishmëri të shkelë në këtë prag.”

Mbetet e qartë se sfidat e komunikimit të kulturuar nuk janë vetëm çështje personale, por tregues i një mungese më të gjerë të etikës dhe respektit në debatet publike. Gratë në politikë kanë përgjegjësinë të veten dhe komunitetin e tyre, por edhe të jenë shembull i një diskursi të denjë, qënuk minon vlerat e barazisë dhe solidaritetit. Në një kohë kur bota kërkon udhëheqje me vizion dhe maturi, mbetet detyrë e secilës prej tyre të zgjedhë fjalët që ndërtojnë, jo ato që përçajnë. Përndryshe, historia do të kujtojë jo vetëm fjalët e thëna, por edhe heshtjen përballë tyre.

Neda Çallovska, juriste dhe konsulente për barazinë gjinore, pajtohet se gjuha e urrejtjes ndaj grave në politikë po ndodh gjithnjë e më shpesh, duke qenë se edhe gratë në politikë i shohim gjithnjë e më shpesh.

“Kjo do të thotë se dhuna ndaj grave rritet kur gratë e pushtojnë dhe janë gjithnjë e më të pranishme në sferën publike. Shoqëria jonë është mësuar me politikanë meshkuj, të cilët perceptohen si liderë, përkundër pozitës së gruas, e cila zakonisht ndërlidhet me kujdesin për shtëpinë dhe familjen. Prandaj, ato gra që inkurajohen të dalin nga këto stereotipe gjinore se “gratë nuk janë për politikë” dhe nga ky pozicionim i grave nga hapësira e mbyllur në hapësirën e hapur publike – shpeshherë janë cak i formave të ndryshme të dhunës, ku përfshihet edhe gjuha seksiste, shqetësimi, si dhe gjuha e urrejtjes me bazë gjinore.”, thotë Çallovska.

Ajo shton se, nga ana tjetër, meshkujve “u falet lehtësisht”, përkatësisht u lejohet të gabojnë, duke qenë se është i tillë narrativi shoqëror.

“Përveç kësaj, ata për një kohë të gjatë janë të pranishëm në skenën politike dhe disi jemi mësuar me “gabimet e tyre, rrëshqitjet, mungesën e rezultateve”, ndërsa nga femrat vazhdimisht pritet më shumë. Kjo kontribuon që shumë gra mos të inkurajohen të hyjnë në politikë, nuk mbështeten nga partitë, të cilat ende janë “shoqëri mashkullore”, sidomos në krye të partive”, thotë Çallovska.

Por, ajo paralajmëron: gjuha e urrejtjes është e rrezikshme dhe mund të çojë në tërheqjen e grave nga politika për të mbrojtur veten. Sipas Çallovskës, ky efekt i ftohjes patjetër të parandalohet, sepse nga situata e tillë më së shumti do të humbin qytetarët.

Kodi Penal, Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe Ligji për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, të gjitha e ndalojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin.

Praktika gjyqësore e Gjykatës Penale, sipas shqyrtimit që kemi bërë, tregon se këtë vit ka pasur 4 aktgjykime në të cilat është konstatuar përhapja e materialit racist dhe ksenofobik nëpërmjet sistemit kompjuterik, ku vepra ishte me paramendim, përmbante vetëdije për natyrën e materialit – që ishte për të promovuar ose nxitur urrejtje, diskriminim ose dhunë kundër personit ose grupit të bazuar në racën, ngjyrën e lëkurës ose bazat e tjera diskriminuese.

Në RMV, Strategjia për Barazi Gjinore 2022-2027 është dokumenti strategjik themelor, vizioni i të cilit është arritja e barazisë gjinore në shoqëri si kusht për zhvillimin dhe progresin e përgjithshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit. Në vitin 2015, të gjitha vendet anëtare të OKB-së i miratuan Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, të cilat i ofrojnë udhëzimet kryesore për prosperitetin e përgjithshëm, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm në të gjitha vendet. Qëllimi numër 5 i Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm është arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave dhe i referohet konkretisht arritjes së barazisë gjinore përmes futjes së masave për arritjen e qëllimeve për avancimin e pozitës së grave në botë.