Qeveria e Kosovës nis ndihmë humanitare në vlerë prej 500 mijë euro për Gazën nga porti i Mersinit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se anija me ndihmë humanitare të dedikuar për popullin e Gazës është nisur nga porti i Mersinit në Turqi. Sipas Kurtit, dërgesa humanitare ka vlerën prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se anija me ndihmë humanitare të dedikuar për popullin e Gazës është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.
Sipas Kurtit, dërgesa humanitare ka vlerën prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët e Gazës që po përballen me kushte të rënda humanitare.
Ai ka bërë të ditur se vendimi për ofrimin e kësaj ndihme ishte marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në muajin janar, por realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, e arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza,” ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se kjo është hera e parë që Qeveria e Republikës së Kosovës ofron ndihmë humanitare për banorët e Gazës, duke shprehur shpresën se ajo do të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
