Qeveria e RMV-së do të kërkojë rinegocim të kontratës për helikopterët “Leonardo”

Trupi koordinues për procedurat e arbitrazhit në Qeveri po përzgjedh një shtëpi avokatore për bisedime mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë italiane “Leonardo”. Kontrata për blerjen e helikopterëve nuk ndërpritet, por do të rinegociohet. Nuk ka nevojë shtëpi avokatore, të gjitha dilemat gjatë zbatimit të marrëveshjes mund të tejkalohen, thotë ish-ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, […]

Mars 14, 2025 - 15:00
 0  3
Qeveria e RMV-së do të kërkojë rinegocim të kontratës për helikopterët “Leonardo”
Helikopter. Foto: Leonardo Helicopters

Trupi koordinues për procedurat e arbitrazhit në Qeveri po përzgjedh një shtëpi avokatore për bisedime mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë italiane “Leonardo”. Kontrata për blerjen e helikopterëve nuk ndërpritet, por do të rinegociohet. Nuk ka nevojë shtëpi avokatore, të gjitha dilemat gjatë zbatimit të marrëveshjes mund të tejkalohen, thotë ish-ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, raporton Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Qeveria po përgatit terrenin për rinegocimin e kontratës në vlerë prej afro 250 milionë eurosh për blerjen e tetë helikopterëve nga kompania italiane “Leonardo Helicopters”, e lidhur gjatë qeverisjes së kaluar me nënshkrimin e ish-ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Një veprim i tillë është paralajmëruar në seancën e Qeverisë së 6 marsit, të cilën e udhëhoqi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolovski, i cili është edhe kryetar i Trupit Koordinues për Procedurat e Arbitrazhit.

“Kryetari i Trupit Koordinues për Monitorimin e Procedurave të Arbitrazhit që dalin nga Marrëveshjet Ndërkombëtare, kërkohet që brenda tre ditëve të dërgojë një kërkesë për mbledhjen e ofertave për zgjedhjen e një shtëpie avokatore për ofrimin e shërbimeve juridike në fushën e arbitrazhit ndërkombëtar dhe të ligjit zviceran në përputhje me objektin e përcaktuar të punës, tek firmat juridike ndërkombëtare si më poshtë: Three Crowns,PLLPVLLP. Freshfields LLP, Clifford Chance LLP, Latham & Watkins LLP”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes së qeverisë.

Kompanitë duhet të dorëzonin ofertat e tyre deri më 10 mars.

Sot, më 14 mars, ky Trup Koordinues duhet të zgjedhë më të mirën, i cili në të ardhmen do të duhet të japë ekspertizë ligjore për kontratën e lidhur mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe italianëve “Leonardo Helicopters”.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh kryetar i këtij organi, Aleksandar Nikollovski, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Trupi Koordinues i ngarkuar nga Qeveria deri më tani ka mbajtur dy takime, duke filluar procedurën për zgjedhjen e një studioje avokatore zvicerane. Ai thekson se kjo nuk nënkupton zgjidhjen e kontratës dhe procedurën e arbitrazhit të saj, por parandalim që të mos ndodhë një epilog i tillë.

“Organi i arbitrazhit ka të drejtë të zgjedhë shtëpi ligjore në këtë fazë për konsultim. Ne synojmë gjithashtu të shmangim arbitrazhin. Tani po zgjedhim shtëpi avokatore me njohuri të ligjit zviceran, pasi kontrata është lidhur sipas ligjit zviceran, i cili mund të këshillojë Ministrinë e Mbrojtjes në lidhje me kontratën me Leonardo Helicopters. Tani është faza e konsultimit, sepse ka interpretime të ndryshme në lidhje me marrëveshjen. Pra, qëllimi nuk është që marrëveshja të ndërpritet”, tha NikoLlovski për REL.

Krahas informacioneve që Qeveria ndau me publikun për punën dhe iniciativën e Trupit Koordinues, për këtë çështje është mbajtur edhe një seancë me dyer të mbyllura.

Sipas burimeve të REL, Ministria e Mbrojtjes kishte rezerva të mëdha për kontratën me “Leonardo Helicopters” dhe mbron qëndrimin se ajo është asimetrike, pra është shumë më shumë në favor të kompanisë italiane sesa shtetit.

Në seancën me dyer të mbyllura, Ministria shprehu shqetësimin për dorëzimin e helikopterëve pasi në kontratë thuhej se do të dorëzoheshin vetëm pasi të ishte paguar shuma e plotë prej gati 250 milionë euro. Ajo që është kontestuese për Qeverinë është që paratë të paguhen paraprakisht, dhe helikopterët të vijnë pas pagesës së fundit. Pikërisht në këtë drejtim u afrua marrja në punë e një shtëpie ligjore zvicerane, e cila do të rinegocionte kontratën për të specifikuar dorëzimin e helikopterëve.

Në marrëveshje ka një sërë problemesh dhe sfidash, tha mbrëmë për TV Sitel ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski. Ai njoftoi se në dy raste në muajin mars, përfaqësues nga kompania italiane do të mbërrijnë për bisedime në Maqedoninë e Veriut.

“Për mua më e rëndësishmja është se si do të paguhen fondet ligjërisht dhe ky është kësti i dytë. Sipas tekstit dhe neneve shkruhet se duhet paguar sipas një neni që nuk ekziston në kontratë dhe duhet të paguajmë 35 milionë euro, prandaj duhet ekspertizë juridike që më pas të paguajmë pjesën e dytë dhe në të njëjtën kohë të diskutojmë se si të përmirësohet kontrata. Shumë aspekte të marrëveshjes nuk janë nga pala maqedonase. Qëllimi është që helikopterët të mbërrijnë vitin e ardhshëm, por edhe të mbrojnë ligjërisht interesat e Maqedonisë. Nga avansi mund të paguhen mjete të mëdha dhe mund të ndodhin probleme të mëdha në dorëzim”, tha Misajllovski.

Më 26 mars 2024, në nivel qeveri me qeveri, Ministria e Mbrojtjes e udhëhequr atëherë nga ministrja Slavjanka Petrovska dhe homologu i saj italian Guido Croceto nënshkruan kontratën për blerjen e tetë helikopterëve të rinj transportues AW149 dhe AW169M për nevojat e Ushtrisë.

Avansi i parë për kompaninë italiane është paguar menjëherë pas lidhjes së kontratës. Tani është koha për të paguar këstin e dytë, i cili kap vlerën e 35 milionë eurove.

Sipas ish-ministres Sllavjanka Petrovska, masa për të punësuar një firmë ligjore qeveritare është e panevojshme.

“Dilema dhe sfida të ngjashme kemi pasur edhe gjatë zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të lidhura mes qeverive, por i kam tejkaluar duke marrë vendime brenda ministrisë. Për mendimin tim, është e panevojshme të punësohet një shtëpi ligjore dhe të bëhen shpenzime shtesë financiare për qeverinë dhe ministrinë”, tha Petrovska për Radion Evropa e Lirë.

Kontrata me “Leonardo Helicopters” italiane ndezi diskutime politike edhe para nënshkrimit të saj. Qeveria aktuale e VMRO-DPMNE-së, atëherë si opozitë, kërkoi që të ndërpritet prokurimi që ka ndodhur para zgjedhjeve.

Pas ardhjes në pushtet, dhe ministri Vlado Misajllovski tha se shteti do ta respektojë marrëveshjen e nënshkruar, edhe pse, siç tha ai, ka aspekte problematike juridike.

Edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur rast për blerjen e tetë helikopterëve. Pothuajse një vit më vonë, presidentja Tatjana Dimitrovska thotë se procedura për blerjen e helikopterëve është në vazhdim e sipër.

“Procedura është ende e hapur, kanë ardhur shumë dokumente shtesë, të cilat nuk janë dorëzuar me kërkesën e dorëzuar fillimisht nga ana jonë. Është mbajtur një takim pune edhe me Ministrinë e Mbrojtjes dhe aktualisht është duke u dorëzuar dokumentacioni”, tha Dimitrovska për Radion Evropa e Lirë.

Sipas kontratës, helikopteri i parë duhet të zbarkojë në tokën e Maqedonisë së Veriut në mesin e vitit 2026 dhe i gjithë dorëzimi i të tetëve duhet të përfundojë në vitin 2028.