Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi: Hodhëm një hap të madh drejt stabilitetit energjetik
Transformatori i ri 400/110 kV në Stacionin Transformator (TS) Manastir 2 është zyrtarisht në funksion, duke shënuar një hap kyç drejt përmirësimit të infrastrukturës energjetike dhe sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët e Maqedonisë Jugperëndimore. Në një status të publikuar në rrjetet sociale, drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, Burim Latifi, […]
Transformatori i ri 400/110 kV në Stacionin Transformator (TS) Manastir 2 është zyrtarisht në funksion, duke shënuar një hap kyç drejt përmirësimit të infrastrukturës energjetike dhe sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët e Maqedonisë Jugperëndimore.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, Burim Latifi, ka shkruar se ky investim është një arritje e rëndësishme për sistemin energjetik të vendit, duke zgjidhur një nga problemet më të mëdha sistematike në rajon.
“E kemi trashëguar një sistem në prag të kolapsit, të ngarkuar me vonesa dhe lëshime nga menaxhmenti i mëparshëm. Por, falë angazhimit dhe ekspertizës sonë, kemi ringjallur këtë projekt dhe e kemi përshpejtuar për të përmbushur nevojat urgjente të rajonit,” ka theksuar Latifi.
Ai ka shtuar se, pavarësisht sfidave logjistike dhe kushteve të pafavorshme, ekipi teknik i MEPSO-s ka punuar pa u lodhur për të vënë në funksion transformatorin, i cili tashmë ka filluar të ulë presionin në rrjetin e transmisionit dhe të forcojë furnizimin me energji elektrike në qytetet e Strugës, Ohrit, Resnjës, Manastirit dhe Prilepit.
“Me këtë investim, sigurojmë furnizim stabil gjatë muajve të dimrit kur konsumi është më i lartë, si dhe mbështesim prodhimin e pandërprerë të energjisë elektrike në REK Manastir, furnizuesin kryesor të vendit,” ka shkruar Latifi.
Në përmbyllje të statusit, ai ka nënvizuar se qytetarët meritojnë rezultate konkrete dhe jo justifikime. “Kjo arritje dëshmon se kur ka vullnet dhe fokus, gjithmonë gjenden zgjidhjet. Do të vazhdojmë të punojmë pa ndalur për të ndërtuar një sistem energjetik më të fortë dhe më të sigurt për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut,” ka përfunduar Latifi.
Ky projekt është pjesë e planit gjithëpërfshirës të SHA MEPSO për modernizimin e rrjetit kombëtar dhe eliminimin e dobësive të trashëguara në sistemin energjetik të vendit.