Qeveria miraton projektligjin për çmimet tavan
Projektligji për masat për produktet bazë në treg të destabilizuar është risjellë për miratim sot në mbledhjen e Qeverisë. Projektligji, i cili është sjellë për herë të dytë, është miratuar nga anëtarët e ekzekutivit. Kryeministri, Albin Kurti tha ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në kohë krize dhe parandalon fitimet


Projektligji për masat për produktet bazë në treg të destabilizuar është risjellë për miratim sot në mbledhjen e Qeverisë. Projektligji, i cili është sjellë për herë të dytë, është miratuar nga anëtarët e ekzekutivit.
Kryeministri, Albin Kurti tha ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në kohë krize dhe parandalon fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve.
Ai shtoi se për herë të parë do të krijohet një mekanizëm i pavarur, i cili vendos, siç tha Kurti mbi bazën e interesit publik e jo të interesave të ngushta.
“Që prej vitit 2020 kur filluam të qeverisnim jemi përballur me sfida të mëdha globale, secilës prej tyre i jemi përgjigjur me seriozitet e përgjegjësi dhe kemi ndihmuar secilën kategori shoqërore, natyrisht ata që kanë më shumë nevojë. Kemi nisur edhe iniciativën për çmimet tavan për të evituar fryrjen artificiale të çmimeve. Ky ligj u pat sfiduar në Kushtetuese nga ana e opozitës. Ja ku jemi shumë muaj më pas me kriza të reja, që prekin edhe xhepin e qytetarëve tanë. Po e risjellim për miratim këtë projektligj sot.
Me këtë ligj nuk po hyjmë në tregun e lirë, por po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në kohë krize, parandalon fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve dhe për herë të parë krijohet mekanizmi i pavarur, bordi i cili vendos mbi bazën e të dhënave e interesit publik e kurrsesi mbi interesat e ngushta”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Gjatë prezantimit të këtij projektligji, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari, tha se për masa të përkohshme të rregullimit të çmimeve parashikohet themelimi i një bordi të pavarur, i cili do të emërohet nga Kuvendit dhe do t’i raportojë atij.
Gjykata Kushtetuese e kishte shpallë antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, i cili ishte dërguar në gjykatë nga deputetë të opozitës.
