QKUK jep detaje për të plagosurit në Prishtinë: Gjendja e tyre është e rëndë
Në orët e para të mëngjesit, të shtëna me armë zjarri janë raportuar në një diskotekë në Prishtinë, në rrugën “Ahmet Krasniqi”, në lagjen Dragodan, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, drejtori i


Në orët e para të mëngjesit, të shtëna me armë zjarri janë raportuar në një diskotekë në Prishtinë, në rrugën “Ahmet Krasniqi”, në lagjen Dragodan, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, drejtori i emergjencës së QKUK-së, Naser Syla, ka bërë të ditur për IndeksOnline se njëri nga të plagosurit ndodhet në sallën operative dhe gjendja e tij është e rëndë dhe jo stabile.
Ndërkaq, i plagosuri i dytë po trajtohet në Qendrën Emergjente, ku gjendja e tij është e rëndë, por stabile për momentin
Sipas Sylës, të dy pacientët kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë duke u mbikëqyrur nga ekipet kujdestare mjekësore. Ai bëri të ditur se të plagosurit janë të moshave 1990 dhe 1995.
“Tek ne janë dy të plagosur me armë zjarri. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme për të dy pacientët. Njëri është dërguar menjëherë në sallën operative të emergjencës, ku po punojnë ekipet kujdestare mjekësore. Gjendja e tij është e rëndë dhe jo stabile. Ndërsa i plagosuri i dytë ndodhet ende në Qendrën Emergjente, duke u mbajtur nën vëzhgim; gjendja e tij është gjithashtu e rëndë, por stabile për momentin. Mosha e të plagosurve është 1990 dhe 1995”, ka thënë Syla.
Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili njoftoi se hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.
