Reagon Shoqata e Akademikëve Shqiptarë: Shqipja po sulmohet në jetën publike
Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoni vlerëson se ngjarjet e fundit, përfshirë protestat studentore në Shkup, kanë rikthyer në vëmendje çështje të pazgjidhura që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas Akademisë, përfaqësuesit politikë shqiptarë ndër vite nuk kanë arritur ta mbrojnë në mënyrë të […]
Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoni vlerëson se ngjarjet e fundit, përfshirë protestat studentore në Shkup, kanë rikthyer në vëmendje çështje të pazgjidhura që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas Akademisë, përfaqësuesit politikë shqiptarë ndër vite nuk kanë arritur ta mbrojnë në mënyrë të duhur këtë të drejtë, duke lejuar interpretime dhe zbatim të mangët të ligjeve në praktikë.
Akademia Shqiptare në Maqedoni pretendon se kundërshtimet ndaj përdorimit të gjuhës shqipe burojnë nga iniciativa institucionale, duke veçuar letrën e dhjetorit 2017 të iniciuar nga Gordana Siljanovska, Katica Kullakova dhe drejtues të Institutit për Gjuhën Maqedonase, e cila u shndërrua në iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, si dhe deklaratën e 26 marsit 2025 të kryetarit të ASHAM-it se gjuha shqipe nuk duhet të përdoret në ushtri, polici, shëndetësi dhe jurisprudencë.
Shoqata e Akademikëve shqiptarë kërkon dialog politik dhe përdorim të barabartë të gjuhës shqipe dhe maqedonase në të gjitha sferat, duke vlerësuar se çdo qasje përjashtuese ndaj gjuhës shqipe është e papranueshme dhe se të drejtat gjuhësore nuk mund të kufizohen përmes manovrave institucionale.