“Rezultatet mund të jenë dëshpëruese për VV-në”, paralajmëron Mazllum Baraliu
Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se vendi mund të përballet me zgjedhje të reja nëse mungon konsensusi politik dhe një lloj konsultimi mes partive para daljes para elektoratit. Sipas tij, qytetarët presin shpresë dhe stabilitet, por situata aktuale nuk jep garanci për rezultate të sigurta. Baraliu theksoi se, duke u bazuar në sjelljet


Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se vendi mund të përballet me zgjedhje të reja nëse mungon konsensusi politik dhe një lloj konsultimi mes partive para daljes para elektoratit.
Sipas tij, qytetarët presin shpresë dhe stabilitet, por situata aktuale nuk jep garanci për rezultate të sigurta. Baraliu theksoi se, duke u bazuar në sjelljet politike të viteve të fundit, veçanërisht që nga viti 2014, krizat nuk janë të reja, por ajo që po ndodh tani përbën kulmin e paralizës politike në vend.
“Askush nuk mund të presë rezultate të sigurta, sepse kemi parë vazhdimisht kriza politike. Kjo nuk është hera e parë, por është një nga më të thellat”, u shpreh ai.
Baraliu përdori edhe një analogji të njohur, duke iu referuar Albert Einstein, duke thënë se nuk mund të priten rezultate të ndryshme nëse përdoren të njëjtat metoda dhe sjellje politike.
Ai shtoi se nëse partitë shkojnë sërish në zgjedhje me të njëjtën qasje dhe kandidatë, nuk mund të pritet një rezultat më i mirë politik.
Sipas Baraliut, një nga pengesat kryesore mbetet procesi i zgjedhjes së presidentit, të cilin e quajti “thembrën e Akilit” të sistemit politik në vend.
“Në momentin kur vjen puna te zgjedhja e presidentit, aty krijohet barriera kryesore. Kjo situatë që e kemi tani do të përsëritet edhe në të ardhmen dhe rezultatet mund të jenë jashtëzakonisht sfiduese dhe zhgënjyese, madje edhe për fituesin e zgjedhjeve”, theksoi ai.
