Rigjykimi për zjarrin në spitalin modular: Një vit e gjysmë burg për Besimin dhe Etemin, Spitali i Tetovës gjobë prej 1 milion denarëve
Me 1 vit e 6 muaj burg janë dënuar ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë. Ky është vendimi të cilin e shpalli Gjykata e Tetovës në rigjykimin për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 […]


Me 1 vit e 6 muaj burg janë dënuar ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë. Ky është vendimi të cilin e shpalli Gjykata e Tetovës në rigjykimin për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona, ku të akuzuarit nuk u gjykuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, shkruan Portalb.mk.
Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht.
Ndërsa Spitali i Tetovës mori gjobë në para prej 1 milionë denarëve, e cila duhet të paguhet në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së vendimit.
“Florin Besimi dhe Artan Etemi janë fajtorë për kryerjen e veprës penale “krime të rënda kundër sigurisë publike” sipas nenit 292 paragrafi 4 në lidhje me nenin 288 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 2 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal. Personi juridik ISHP Spitali Klinik Tetovë është përgjegjës për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” sipas nenit 288 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 4 dhe në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal….Gjykata i dënon Florin Besimin dhe Artan Etemin me dënim efektiv me burg prej një viti e gjashtë muajsh…Gjykata e dënon Spitalin e Tetovës me gjobë prej një milion denarësh që duhet të paguhet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së vendimit”, u thagjatë leximit të aktgjykimit.
Gjatë shpalljes së vendimit të gjykatës në sallë munguan Artan Etemi dhe avokati i tij.
Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu lëndën në Gjykatën Themelore në Tetovë.
Florin Besimi tha se ky gjykim nuk synonte të nxjerr në pah të vërtetën e kësaj tragjedie, të zbuloi arsyet e zjarrit, e as përgjegjësit për ndërtimin e një objekti që u dogj si letër, si dhe nuk shqyrtoi se kush lejoi që jeta e njerëzve të vihej në rrezik.
“Jo. Ky gjykim u kthye në një gjueti faji ndaj atyre që nuk kanë pasur as fuqinë, as përgjegjësinë për këtë tragjedi. Mua më akuzuan për mungesë të aparateve për zjarr, a në fakt unë në thelb kam qenë kundër këtij objekti dhe kam refuzuar të pranoj objektin edhe pse dëshmitarët konfirmuan që ka pasur aparate, edhe pse të gjithë ne e pamë me sytë tanë – se atë zjarr nuk do ta ndalte asnjë aparat dore! Kjo nuk është drejtësi. Kjo është shmangie nga e vërteta”, tha Besimi.
Ai tha se do e ankimojnë vendimin.
Avokati i Spitalit të Tetovës, Valon Abudlhamidi vlerësoi se ky vendim është pasojë e konstatimit të gabuar të gjendjes faktike, dhe interpretimit të gabuar të dispozitave të Ligjit për procedurë penale dhe Kodit Penal.
“Kundër këtij vendimi në kohë do të deponojmë ankesë pranë Gjykatës së Apelit, dhe presim që e njëjta të nxjerrë vendim meritor”, tha Abdulhamidi.
Familjarët e viktimave të zjarrit nuk janë të kënaqur me këtë gjykim, ata kërkojnë proces gjyqësor ku do të thirren në përgjegjësi fajtorët e vërtetë për shkaqet e zjarrit, të cilët sipas tyre tani më janë të njohur për publikun.
Mumin Ismaili i cili humbi nënën tha se nuk janë të kënaqur me këtë vendim që e mori gjykata, siç tha, nëse bëhet një matematikë e thjeshtë të pjesëtohet, 14 viktima për 1 vit e gjashtë muaj, i bie se për një viktimë, një muaj tburg.
Domethënë vlera e një qytetari në Maqedoninë e Veriut është 1 muaj. Para gjykatës duhej të vinte edhe ish ministri i Shëndetësisë Filipçe dhe Angjushev nga Firma Brako, ata që e bënë instalimin elektrik në spitalin modular. Ata duhet të jenë fajtorë për këtë tragjedi, por shteti vendosi që Florin Besimi dhe Artan Etemi të jenë të dënuar, nuk them se nuk kanë faj as këta, por faji është më lartë”, tha Ismaili.
Ndërkaq Ibin Emshi i cili humbi babanë dhe vëllain gjithashtu tha se nuk janë të kënaqur me këtë proces gjyqësor.
“Ndjehem i turpëruar të dal nga gjykata, për 14 persona që vdiqën të dënohen me 1 vit e 6 muaj. Nuk e di as vetë të them. Këtu nuk jetohet, ky shtet nuk bëhet asnjëherë. Nuk e marrin si bazë ekspertizën e Gjermanisë, derisa nuk merret për bazë kjo, nuk mund të shkojë përpara kjo. Unë personalisht do lëshoj akuzë kundër gjithë shtetit me provat e dokumentarit të IRL-së, dhe do mundohem të futem në Strazburg”, tha Emshi.
Familajrët kanë paralajmëruar se do të vijojnë të kërkojnë drejtësi për jetët e humbura në zjarr të familjarëve të tyre.
Në ndërkohë, Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një hetim tjetër për këtë rast, i cili ende është në procedurë para hetimore.
Rigjykim me nëntë seanca
Më 12 maj 2025 u thanë fjalët përfundimtare.
Më 22 prill 2025 u prezantuan dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët në gjykimin paraprak.
Më 8 prill 2025 u lexuan provat nga ana e avokatëve të të akuzuarve.
Më 3 prill 2025 prokurorët publikë paraqitën provat, ndërsa nga prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve u morën në pyetje ekspertët të cilët kanë bërë ekspertizë menjëherë pas zjarrit.
Më 18 mars 2025 prokuroria ka paraqitur titujt e provave dhe prezantoi video dëshmitë, për të cilat pati kundërshtime nga avokatët, të akuzuarit thanë se nuk ndjehen fajtorë. Nga kjo seancë u ndryshua gjykatësi, në vend të Jordan Vellkovskit erdhi Rexhep Musa.
Më 15 janar 2025 seanca u anulua pasi gjykatësi Jordan Vellkovski ishte në pushim mjekësor.
Më 5 nëntor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së gjyqtarit Jordan Vellkovski.
Më 25 shtator 2024 seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të akuzuarve.
Më 26 qershor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Spitalit Klinik të Tetovës.
Pse erdhi deri te rigjykimi?
Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.
Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Në rigjykim u kthye një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.
Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.
“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.
Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit
Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.
Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.
Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”
Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregoi një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese. Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.
Çfarë ndodhi?
Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.