Risteski: Shporta e re e konsumit do të jetë të paktën 10% më e ulët se ajo sindikale, pritet qëndrimi i partnerëve socialë
Shkup, 10 shkurt – Edhe pse shporta mesatare e konsumit është përgatitur që në gjysmën e parë të vitit të kaluar, zbatimi i saj zyrtar ende është në pritje për…
Shkup, 10 shkurt – Edhe pse shporta mesatare e konsumit është përgatitur që në gjysmën e parë të vitit të kaluar, zbatimi i saj zyrtar ende është në pritje për shkak të mungesës së përgjigjes nga sindikatat dhe punëdhënësit, informoi zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski.
Ai, në një paraqitje në edicionin informativ të TV Sitel, deklaroi se dokumenti ishte prezantuar në një seancë të Këshillit Ekonomiko-Social (KES) më 30 korrik të vitit të kaluar, pas së cilës u ishte dërguar për shqyrtim partnerëve socialë. Sipas tij, prej më shumë se gjashtë muajsh pritet qëndrimi i tyre – nëse metodologjia e propozuar është e pranueshme apo nëse ka vërejtje që duhet të përfshihen.
Risteski theksoi se, sipas përllogaritjeve të bëra, shporta e re mesatare e konsumit do të jetë më e ulët se ajo sindikale për të paktën 10 për qind, dhe do të jetë edhe nën nivelin e pagës minimale. Ai shtoi se gjatë përgatitjes janë përdorur të dhëna nga Enti Shtetëror i Statistikave, çmime nga gjashtë zinxhirë kombëtarë dhe dy rajonalë marketesh, tregje të gjelbra nga rajone të ndryshme, si dhe informacione nga Sistemi informativ i tregut bujqësor.
Shporta është e ndarë në dy segmente – ushqim dhe pije joalkoolike, si dhe shërbime dhe nevoja të tjera për një familje mesatare katëranëtarëshe. Nga përllogaritja janë përjashtuar produktet me akcizë si cigaret, duhani dhe alkooli, të cilat trajtohen si luks, por edhe shpenzimi për qira. Sipas Risteskit, kjo vendimmarrje bazohet në të dhënat nga regjistrimi i vitit 2021, sipas të cilave rreth 90 për qind e popullsisë nuk paguan qira.
Ai kritikoi metodologjinë e shportës sindikale, duke theksuar se ajo bazohej në çmime nga një numër i kufizuar marketesh, përfshinte produkte sezonale që nuk janë karakteristike për periudha të caktuara, si dhe qiranë, ndërsa përllogaritjet bëheshin gjatë muajit dhe jo për një periudhë të plotë mujore.
Megjithatë, Risteski theksoi se shporta mesatare e konsumit nuk do të jetë konkurrencë për atë sindikale, duke shtuar se sindikatat kanë të drejtë të përfaqësojnë kërkesat e tyre, por se qëllimi i Qeverisë është të ofrojë një pasqyrë reale dhe të bazuar në statistika për shpenzimet e një familjeje mesatare.
