RMV, certifikatat e shtetësisë tashmë mund të merren në mënyrë elektronike në çdo kohë

Nga dje qytetarët do të mund të marrin certifikatën e shtetësisë në çdo kohë përmes portalit kombëtar të shërbimeve elektronike uslugi.gov.mk, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Siç sqaroi ai, vetëm në një minutë pas dorëzimit të kërkesës, nëse gjithçka është në rregull, qytetarët do të marrin përgjigje pozitive dhe do të mund ta shkarkojnë […]

dhjetor 27, 2024 - 10:00
 0  5
RMV, certifikatat e shtetësisë tashmë mund të merren në mënyrë elektronike në çdo kohë

Nga dje qytetarët do të mund të marrin certifikatën e shtetësisë në çdo kohë përmes portalit kombëtar të shërbimeve elektronike uslugi.gov.mk, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Siç sqaroi ai, vetëm në një minutë pas dorëzimit të kërkesës, nëse gjithçka është në rregull, qytetarët do të marrin përgjigje pozitive dhe do të mund ta shkarkojnë dokumentin nga sistemi, transmeton Portalb.mk.

“Shërbimi që disponohej në portal deri më tani, edhe pse mund të aplikohej në çdo kohë, dhënia e nënshtetësisë elektronike ishte e mundur vetëm gjatë orarit të punës. Tash e tutje, shërbimi bëhet tërësisht digjital dhe qytetarët mund të aplikojnë në çdo kohë dhe në vetëm një minutë pas dorëzimit të kërkesës, nëse gjithçka është në rregull, marrin përgjigje pozitive dhe mund ta shkarkojnë dokumentin nga sistemi. Digjitalizimi i shërbimeve dhe proceseve në Ministri është një nga prioritetet tona kryesore si Qeveri dhe si Ministri. Qytetarët meritojnë që të marrin shpejt dhe me efikasitet dokumentet e tyre, të cilat institucionet janë të detyruara t’i sigurojnë. Përveç kësaj, proceset e digjitalizimit zvogëlojnë mundësinë e korrupsionit nga i cili vuan shoqëria jonë në një përqindje të madhe, kështu që lufta kundër korrupsionit bëhet edhe përmes digjitalizimit”, tha Toshkovski.

Portali kombëtar uglugi.gov.mk u ribrendua dhe u ridizajnua nga Ministria e Transformimit Digjital javën e kaluar. Bëhet fjalë për një portal qendror elektronik ku disponohen të gjitha shërbimet elektronike të institucioneve në shtet.

Toshkovski po ashtu theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme po punon me shpejtësi në digjitalizimin dhe shërbimet tjera që do të jenë në dispozicion të qytetarëve në periudhën e ardhshme.

Kujtojmë se ministrat e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe Transformimit Digjital Stefan Andonovski në korrik premtuan digjitalizimin e shërbimeve të MPB-së, duke iu referuar procesit të dhënies së dokumenteve personale, i cili ende funksionon mjaft vështirë.

Ndryshe, qytetarët apo personat juridikë do të mund të pajisen me fletë pronësie përmes portalit të ri të shërbimeve elektronike të Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme brenda pak sekondave deri në një minutë. Këtë në nëntor e bëri të ditur drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, Ivan Zhivkovski, duke theksuar se portali i ri e-uslugi.katastar.gov.mk mundëson qasje të shpejtë elektronike në gjithsej 94 shërbime të ndryshme kadastrale.